E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedezët, nesër me mllef kundër Kombëtares

 

Jetmir Halilaj

Dy pikët e lëna në ndeshjen kundër Shqipërisë, në shtator të vitit të kaluar pas barazimit 0-0 që morën në Tiranë, suedezët i qajnë tani, që praktikisht janë të eliminuar nga Botërori i Afrikës së Jugut. Lojtarë si Melberg, Svenson dhe Larson kanë pranuar se ekipi ka bërë gabime gjatë këtij edicioni dhe se ndeshja që u djeg më shumë ka qenë pikërisht ajo kundër Shqipërisë. Lojtarët e Suedisë kanë lënë të kuptohet se ndaj Shqipërisë, do të kenë një motiv më shumë për të fituar nesër në mbrëmje. “E kuptoj fare mirë irritimin e tifozëve, por duhet ta pranojmë se kemi lënë shumë pikë rrugës dhe kemi bërë ndalesa të panevojshme. Barazimi me Shqipërinë, ishte padyshim një lapsus i pafalshëm për ne”, ka thënë Olof Melberg për “aftonbladet.se”. Mbrojtësi suedez ka shprehur keqardhje për situatën dhe ka lënë të kuptohet se skuadra e tij ka vetëm një për qind shanse të kualifikohet. Ndërkaq edhe mesfushori Andres Svenson ka deklaruar se barazimi ndaj Shqipërisë, rezultoi më fatal nga sa u mendua në fillim. “Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë faktin se tani kemi vërtet pak shanse, megjithëse ne do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë me Shqipërinë. Është për të ardhur keq fakti që pikërisht kundër kësaj skuadre kemi lënë dy pikë të çmueshme, të cilat për hir të së vërtetës, tani na duheshin më shumë se kurrë”, është shprehur Zvenson. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe sulmuesi Henrik Larson, i cili u ka bërë apel shokëve që ta mbyllin me fitore edicionin. Ndeshja kundër Shqipërisë do të jetë e fundit për sulmuesin ndër më të mëdhenjtë suedez, Henrik Larson. Ai të hënën ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja pas ballafaqimit të fundit në këto eliminatore. Ndeshja Suedi - Shqipëri do të luhet të mërkurën në Solna, ndërsa do të jetë e fundit edhe për trajnerin Lars Lagerbak. Ai ka paralajmëruar dorëhe-qjen të shtunën mbrëma pak çaste pasi ekipi i tij humbi ndeshjen nga Danimarka, kësisoj edhe shansin e fundit për kualifikim në Botëror. “Tani ka përfunduar gjithçka. E ndiej se nuk do të ketë Kampionat Botëror për mua”, ka thënë sulmuesi Larson të hënën në një konferencë për media, raportojnë agjencitë e huaja të lajmeve. “Jam 38 vjeç dhe nuk kam motiv të luaj më. Është koha të liroj rrugën për sulmuesit e rinj”. Ish-sulmuesi i Sëlltikut, Mançester Junajtid dhe Barcelonës ka thënë se tash do të fokusohet në karrierën e trajnerit. Sulmuesi suedez ka regjistruar 106 paraqitje me Suedinë dhe ka realizuar 37 gola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›