200 biznese falimentojnë në Gjriokastër
Mbi 200 biznese në rajonin e Gjirokastrës kanë mbyllur aktivitetin e tyre gjatë dy viteve të fundit. Kjo e dhënë është bërë e ditur nga burime që nuk duan të identifikohen nga qendra rajonale e regjistrimit të biznesit në Gjirokastër. Ndonëse jo zyrtarisht kjo qendër nuk ka mundur ta konfirmojë një fakt të tillë, janë të shumtë biznesmenët që e pohojnë falimentin e tyre në aktivitetet private, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme.
Dy prej tyre të ardhur nga Greqia para tre viteve për të çelur biznesin e tyre të tregtimit të mishit dhe një punishte qëndistarie, pohojnë për gazetën se përballimi i taksave vjetore në Shqipëri, është i papërballueshëm. Vasil Llavdaniti nga Gjirokastra, kishte ardhur me shpresën për tu bërë biznesmen në Shqipëri nga Greqia, por ato që i hodhi për ngritjen e biznesit të tij, nuk i fitoi dot. Erdha me shpresën për tu larguar nga Greqia për të jetuar në vendin tim si një biznesmen i vogël por u zhgënjeva mjaft. Hapa një qëndistari duke blerë makinat e fundit të qëndisjes, punësova 22 gra dhe pas dhjetë muajve, falimentova dhe ato që kisha i hodha të gjitha në lumë, shprehet Llavdaniti. Sipas tij, dështimi ka ardhur si pasojë e konkurrencës së pandershme në treg dhe tarifat mjaft të larta vjetore nga taksat vendore e deri tek ato që duhet të paguash si garanci. Ndërkaq një tjetër biznesmen nga Gjirokastra ka falimentuar në aktivitetin e tij pikërisht për taksat mjaft të papërballueshme që i vihen biznesit apo dhe të mungesës së mbështetjes së shtetit ndaj biznesit në hapat e para të tij. Që kur kam ardhur në Gjirokastër, erdha me shpresën për të ndërtuar një biznesin tim, por brenda dhjetë muajve e pata të pamundur të fitoja ato që unë hodha në ngritjen e aktivitetit. Të 20 mijë eurot që unë shpenzova për çeljen e aktivitetit të tregtimit të mishit, shkuan dëm duke më nxjerrë nga konkurrenca e ndershme, shprehet Viktor Caca. Sot njerëzit, sipas tij shkojnë e blejnë mish në dyqane pa thertore ku mishi kush e di se ku theret dhe nuk vinin tek unë ku e therja gjënë e gjallë në ambientet e brendshme të dyqanit. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe mjaft biznese të tjera në rrethet e Tepelenës dhe Përmetit por Gjirokastra si një rreth më i zhvilluar në raport me këto dy rrethe, ka numrin më të madh të bizneseve të falimentuara.