E Diel, 1 Nëntor 2026

“Saranda do të bëhet një nga qendrat më të mëdha të turizmit në Ballkan”

Kryeministri Sali Berisha çel zyrtarisht sezonin turistik veror për Shqipërinë

Vitin e kaluar, në Shqipëri, kanë hyrë 2.7 milion vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004. Kryeministri deklaroi e hapja e sezonit turistik, do të punësojë qindra të rinj në sektorin e shërbimeve dhe qindra e qindra milion euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë.

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një vizitë në Sarandë, me rastin e çeljes së sezonit turistik për vitin 2009. Nga ky qytet, kryeministri përshëndeti hapjen e sezonit turistik në vend dhe uroi qytetarët e Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë për një sezon turistik edhe më të suksesshëm.
“Së bashku, ne çelim sezonin turistik të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë. Sezon, në të cilin Saranda, bregu, Vlora, Durrësi, Velipoja, Shëngjini, Ksamili, i tërë bregdeti shqiptar përgatitet të presë miliona qytetarë dhe qytetare nga vende të ndryshme nga mbarë bota, t’u ofrojë atyre mikpritjen e shkëlqyer shqiptare, t’u ofrojë atyre pasuritë e mëdha kulturore, shpirtërore, fetare dhe të gjithanshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, t’u ofrojë ujërat më të kthjellëta më të pastra, t’u ofrojë shërbimet më të mira,” u shpreh Kryeministri, drejtuar qytetarëve të Sarandës.
Kryeministri tha se falë mikpritjes shqiptare dhe mbështetjes që qeveria i ka dhënë zhvillimit të gjithanshëm të vendit, veçanërisht turizmit, vitin e kaluar, në Shqipëri, kanë hyrë 2.7 milion vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004 dhe vetëm Saranda, në verën e kaluar, ia dalë të presë 300 mijë turistë, aq sa kishin hyrë në Shqipëri, gjatë vitit 2004.
Kreu i qeverisë tha se gjatë këtyre viteve, janë investuar rreth 4 herë më shumë, se para kësaj qeverie.
“Janë ndërtuar rrugë dytësore rreth 25 kilometra, po punohet me intensitet në ujësjellës, kanalizime, ndërtimin e portit, landfill-it dhe të gjithë infrastrukturës së një qyteti të mrekullueshëm evropian. Këtë qershor në përfundojmë rrugën e bregut, në të cilën turistët nga Llogoraja do të zbresin me lehtësi në Sarandë për të kaluar ditën, për të vizituar Butrintit.  Gjithashtu, po ecën me shpejtësi rruga Kardhiq-Delvinë. Ju jap fjalën se shumë shpejt do të fillojë boshti i jugut që do ta sjellë Sarandën në një distancë shumë më të shkurtër me Tiranën. Saranda. Ksamili kanë të  gjitha mundësitë të bëhen një nga qendrat më të fuqishme e të mëdha të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri deklaroi se “çelim këtë sezon, kur Saranda ka ndryshuar thellësisht, kur Saranda pret turistët si një qytet i një vendi anëtar të NATO-s, si qytet i një vendi që ka kandiduar për anëtar të BE-së, kur Saranda i pret turistët, pasi qytetarët e saj e të mbarë Shqipërisë kanë shndërruat në realitet ëndrrën e madhe të integrimit në NATO dhe po ecin të sigurt drejt shndërrimit në realitet të ëndrrës së madhe për integrimin në BE”.
Sipas kryeministri Berisha, hapja e sezonit turistik do të punësojë qindra të rinj në sektorin e shërbimeve dhe qindra e qindra milion euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë.
Më pas, kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e çeljes së sezonit turistik. Kryeministri vizitoi panairin përgjatë shëtitores së qytetit, në stendat e ndryshme të të cilit ishin ekspozuar punime artizanale nga Saranda dhe zonat përreth, piktura dhe punime të fëmijëve nga Qendra Kulturore e Sarandës.
Kryeministri Berisha vizitoi më tej Muzeun Arkeologjik dhe Zyrën e Informimit Turistik. Kryeministri përgëzoi punonjësit e saj për promovimin e potencialit turistik të Sarandës dhe për inkurajimin e turistëve për të ardhur në Shqipëri.
Kryeministri u takua në vijim me qytetarë të shumtë dhe u konfirmoi vullnetin e tij dhe të qeverisë që ai drejton për ta kthyer Sarandën në një nga qendrat më të mëdha të turizmit jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan e më gjerë.
Kryeministri tha se edhe përpjekjet në këtë drejtim duhet të jenë shumë më të mëdha dhe u ndal në një aspekt të rëndësishëm të imazhit turistik, mjedisi i pastër.
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ardian Turku.

Lufta kundër varfërisë, objektivi më madhor i qeverisë “Berisha”

TIRANE - Kreu i ekzekutivit Sali Berisha, deklaron se lufta kundër varfërisë në vend do te jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë së drejtuar prej tij. Gjatë vizitës në Sarandë, me rastin e çeljes së sezonit turistik, kryeministri Berisha u shpreh se në 4 vitet që vijnë do të realizohen ndryshime akoma edhe më të mëdha, për të ndërtuar atë Shqipëri që meritojmë.
“Ne po shkojmë drejt një mandati të dytë, duke i kërkuar votën çdo shqiptari që ndjen se në këto 4 vjet jeta e tij personale, e familjes së tij, lagjes, qytetit, komunitetit të tij ka ndryshuar për mirë, e vendit të tij ka ndryshuar për mirë. Duke ju garantuar se në 4 vitet që vijnë, do të realizojmë së bashku ndryshime shumë më të mëdha dhe do të ndërtojmë në këtë mënyrë, një Sarandë dhe Shqipëri tjetër që e meritojmë. Lufta kundër varfërisë është një objektiv madhor. Ne kemi nxjerrë, në tre vjet, 200 mijë shqiptarë nga varfëria. Në maj, nxjerrim edhe 180 mijë të tjerë. Por sërish ka varfëri, por e pamëshirshme do të jetë lufta jonë kundër saj në të gjitha mënyrat. Edhe rritjen e pensioneve dhe pagave e bëjmë për të luftuat varfërinë, edhe koncesionet i bëjmë për të luftuar varfërinë, për të punësuar qytetarët. Edhe shkollat i shtrijmë për të luftuar varfërinë, sepse të shkolluarit kanë shanse shumë më të mëdha punësimi. Në qoftë se në këto vite, kaluam 3-4 vende të BE-së, absolutisht, në 4 vitet që vijnë do të barazohemi me vende të tjera, të cilat vetëm 10 vjet më parë ishim shumë herë më të zhvilluara sesa ne”, garantoi Berisha.

Fakti/Qeveria po përgatit një reformë të thellë në sistemin shëndetësor

TIRANE - Sistemi shëndetësor dhe arsimi do të jenë dy përparësitë e tjera të mëdha të qeverisë aktuale. Kryeministri Berisha tha se qeveria është e përgatitur për një reformë të thellë në sistemin shëndetësor, mënyrë që t’u garantojë shërbimet më të mira qytetarëve.
“Unë e kuptoj se nuk ka asnjë shërbim më të rëndësishëm, sesa shërbimi shëndetësor, por edhe kërkoj mirëkuptimin tuaj se reformat nuk mund të bëhen me infermierë që merrnin 150 mijë lekë (të vjetra) dhe që bënin punën më të vështirë në vend, se duhet të ndryshojmë gjendjen e tyre pastaj të nisnim reformën e madhe të këtij sistemi. Sot, ata marrin mbi dyfish, mjekët paguhen mbi dyfish”, tha Kryeministri.
Berisha garantoi se reforma e qeverisë duhet të sigurojë shërbimet më të mira, më cilësore, të mbulojë sektori privat në mënyrë që qytetarët të përzgjedhin aty, ku mendojnë se shërbimet janë më të mira.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›