E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks per Drejtesine...

I dashur vëlla,

Udhëtimi në Amerikë ishte i paharruar, por gjithë këto ditë nuk kam bërë gjumë të qetë dhe kur të vij te ti duhet të më gjesh ca ilaçe të mira për gjumin. Ç’është e vërteta na pritën mirë. Mirë që kishin menduar për dy përkthyes se nga grupi ynë vetëm një sekretare fliste anglisht.
Pjesa e parë e ditës të bënte me dhimbje koke. Takime për të kuptuar se si funksionon drejtësia në SHBA. Për mendimin tim, mendim që e ndan edhe gjithë grupi, amerikanët janë shumë mbrapa në kohë. Kanë mbetur me të vjetrën. Po me të vjetrën fare. Atje gjyqtari ishte krejt kot. Po kot fare - po të them. Falë Zotit këtu ne jemi mbret e kaluar mbretit. Po të duan mund të vijnë këtu tek ne dhe të mësojnë se si bëhet drejtësia. Këtu jemi ne që dënojmë, falim, shtyjmë seancat dhe e fundit... E kupton vetë ti për çfarë e kam fjalën. Po e nis nga kjo e fundit. Atje mor vëlla palët në gjyq paguanin avokatin. E kupton çfarë skandali! Vendimin e merr gjyqtari dhe paratë i merr avokati!? Paguan tjetri avokatin dhe nuk është kurrë i sigurt në e fiton gjyqin apo jo? Këtu te ne është, thjesht, bukur dhe eficiente, paguan të zotin e punës, (gjyqtarin - shënim i përkthyesit) dhe e fiton davanë. Atje mor lum miku, avokatët ishin bërë milionerë, këtu janë thjesht sekserë... Kësaj nga krahina jote i thonë: “Kur bishti është më i rëndë se sëpata”.
Por situata është më e rëndë! Atje, miku im nuk të dënonte gjyqtari. Kishin një sistem të çuditshëm me juri dhe atje kjo juri e zgjedhur me short përbëhej nga qytetarë të zakonshëm dhe personi i akuzuar shpallej fajtor vetëm kur gjithë anëtarët e jurisë ishin në një mendje se "ai kishte kryer krimin". Po të mos ishin në një mendje, atëherë i akuzuari dilte nga salla e gjyqit, po të donte jepte te shkallët e gjykatës intervista me televizionet dhe shkonte në shtëpi... Gjyqtari atje mor vëlla, vetëm lexon verdiktin e jurisë. Kur juria e shpall të akuzuarin "fajtor", gjyqtarit, qyqarit thuaj më mirë, i mbetet vetëm të caktojë masën e dënimit! Vend i çuditshëm Amerika! Falë Zotit që sistemi ynë i drejtësisë është krejt ndryshe. Kulmi ishte kur na thanë se gjyqtarët e nivelit të parë zgjidheshin me votë nga qytetarët! Gimçja - që ti e njeh mirë, bëri një pyetje që desh u mbytëm me të qeshura: si i bëhet nëse ai gjyqtar që ka humbur kërkon të rinumërojë votat? Kush merr vendim për të hapur kutitë? Përkthyesja dha e mori, por amerikanët nuk e kuptuan pyetjen. U krijua ilaritet dhe amerikanët jo vetëm që nuk kuptuan pyetjen, por as morën vesh se pse po mbanim barkun me dorë nga të kukurisjet.
Nuk kaloi një ditë e programit pa shpërthyer në të qeshura. I luteshim përkthyesve të mos përkthenin fjalë për fjalë se do na e nxirrnin fare bojën. Përkthyesja ishte e shkathët dhe na nxori nga telashet duke thënë "culture misunderstanding" (keqkuptim kulturor)
Pse qeshnim do thuash ti? Po ja për shembull në një takim, Hansani që prezantohej me emrin Harry, pyeti një zyrtar të policisë për "provat shkresore". Amerikani i shkretë ndërpreu shpjegimin dhe pyeti përkthyesen se pse po qeshnim. Ku ta dinte ai i gjorë se fjalia "a kanë ardhur provat shkresore" është kodi që ne gjyqtarët përdorim në sallë kur pyesim prokurorin dhe përgjigjen duhet ta japë avokati. Nëse avokati përgjigjet pozitivisht do të thotë se kanë ardhur ato... (paratë- shënim dhe mendim i përkthyesit)
Pasditeve dilnim për Pazar! Nuk e ke idenë sa lirë që ishte! U futëm në një supermarket të madh (atje i thoshin mall) dhe deshën të blinim kostume të mira, por asnjë nuk bleu. Duket se Amerikën e kishte zënë keq kriza ekonomike. Nuk gjeje asnjë kostum që të ishte të paktën 5000 dollarë. Imagjino më i shtrenjti ishte 800 dollarë. Çfarë të të them.. katastrofë! E hëngri përkthyesja. “ore të thamë të na çosh te një butik për të qenë dhe ti na ke sjellë te Gabi! Vetëm te Gabi në Shqipëri gjen mall me çmime kaq të ulëta”- Të betohem që kështu i tha Ganja (Ganiu – sqarim i përkthyesit)! Përkthyesja shqeu sytë dhe desh të justifikohej, por kur pa fytyrën e Ganos (Ganiu i njëjti person) që ishte më e kuqe se lafsha e gjeldetit të Vitit të Ri, kërkoi falje, uli kokë pa nga celulari dhe na kërkoi leje duke thënë se duhej të kthehej urgjent në shtëpi se e kishin njoftuar me mesazh se i kishte vjehrrën shumë sëmurë! Iku e gjora, por kur Teli e pyeti të nesërmen se si ishte vjehrra me shëndet, ajo ngriti vetullat dhe me një buzëqeshje që të kujton vajzat që të ndalojnë rrugëve në Tiranë dhe të ofrojnë regjistrime në universitetet private, tha: burri im është jetim.
Ja kështu vëllai im! E çfarë të të them. Në fund të çdo bisede ata e kishin si rregull që pyesnin; a ka ndonjë pyetje? Pyetjen më të fortë e bëri sekretarja e kryetarit të gjykatës..., ajo çupa që më duket se e ke edhe kushërirë...: “Sa herë del jashtë shtetit një gjyqtar këtu...?”. Amerikani po hapte sytë a thua se kishte para syve një UFO dhe jo një vajzë për të pirë në kupë.
Debati për rrugët jashtë shtetit vazhdoi mes nesh edhe gjatë darkës. Muhabet kot. Kush ka dalë më shumë jashtë shtetit. Unë për shembull nuk fola. E ç’më duhej mua të llap poshtë e përpjetë se çdo të premte vij në Vjenë dhe kthehem në punë të hënën! E marta ditë gjyqesh. Nuk e kam lënë kot se pala që humbet ia vë fajin së martës si ..ditë tersi.
E keqja vëlla, ishte se kur nuk bënim ne pyetje, fillonin ata me pyetje: - Si është tradita e drejtësisë në Shqipëri na pyeti një gjykatës federal në New Jersy.
Kryetari ynë dha një përgjigje që la pa mend jo vetëm amerikanin por na habiti edhe ne me njohuritë e thella të tij për traditën e drejtësisë në Shqipëri: “E vërteta zhytet, por nuk mbytet” – tha shefi ynë duke parë nga përkthyesit.
- Vetëm kaq t’i them - pyeti ajo çupka përkthyese
- E de, ja po llafosim pak bashkë tani në shqip dhe rregulloji vetë fjalët se kam shumë besim tek ti - ia ktheu shefi dhe po i ankohej se në minibarin e hotelit nuk kishte më shumë se tre shishe vere fare të vogla. I tha se ishte qejfmbetur se kishte kërkuar te recepsioni verë ‘Gajo’ prodhim i vitit 1995 dhe nuk kishin gjetur dot. Ta kishim ditur, kishim marrë ca nga shtëpia”. Kryetari shfrytëzoi rastin dhe i tha përkthyeses se e ndjente veten të ofenduar se biletat ambasada nuk i kishte prerë biznes klas. Mu duk vetja si dikur në autobusin e unazës! Kam 10 vjet që udhëtoj vetëm në biznes. Është statusi ynë që nuk mund të udhëtojmë si të tjerët se ndryshe bëhemi si “këmbët e dhisë”.
Por provokimin më të madh na e bëri një zyrtar në Departamentin e Shtetit: E di çfarë pyetje na bëri:
- Kë duhet të korruptojmë që të nisë lufta ndaj korrupsionit në drejtësi?
- Kryetari i delegacionit ia ktheu aty për aty:
- Ne i kemi shpallur luftë me tolerancë zero korrupsionit.
E zgjata ca, por nuk mund të lë pa të treguar historinë që na tregoi vetë Pali! Është e fortë fare. Është i madh Pali! Piu një natë një shishe wiskey dhe na rrëfeu vetë ngjarjen që ka ndodhur më 1997, pak para se të fillonte gjullurdia tek ne. E njeh Palin besoj, është ai që ka punuar dikur në Apel. Ai që të mbylli atë çështjen e pronës për truallin e atij personi që në Shkallë të Parë vëllai yt kishte paraqitur dëshminë e vdekjes dhe në Apel u paraqit vetë dhe tha se “më kanë bërë të vdekur”. Pali atëherë i tha se vetëm Konstandini ishte ngritur nga varri dhe ai për punë të një amaneti dhe e kërcënoi duke tundur certifikatën e vdekjes dhe duke i thënë: nuk ke asnjë shkresë që të vërtetoj se je i gjallë! Atëherë më the se Pali të mbaronte punë, por ishte “grykës i madh” Nejse. I kishte ardhur një ndërtues Palit për një çështje trualli dhe i kishte folur me zemër në dorë: “hap gojën, kërko sa të duash dhe çfarë të duash…”. Pali kishte marrë një letër të bardhë, kishte shkruar fjalën “Dhërmi”, dhe ia kishte vënë parë surratit duke bërtitur: këtu jemi në Gjykatën e Apelit të Republikës së Shqipërisë dhe këtu kërkojmë dhe japim vetëm Drejtësi.
E kuptova – kishte thënë ndërtuesi dhe ishte kthyer pas një jave me një kontratë apartamenti që e kishte blerë në Dhërmi dhe e pyet Palin…: në emër të kujt do ta vendosësh?! Pali kishte shqyer sytë. Siç na e shpjegoi në Amerikë kishte pasur një keqkuptim të vogël gjuhësor. Pali kërkonte Dhrahmi greke dhe ndërtuesi e kishte kuptuar si kërkesë për apartament në Dhërmi. “Më erdhi keq për të ndaj nuk ia çova kot mundin- tha Pali e mbajta apartamentin dhe kur e përcolla tek dera i thashë: “Fol me avokatin dhe më sill javën tjetër “provat shkresore”.
E zgjata këtë letër vëlla, por jam i trishtuar se në Amerikë e kishin punën me keq me Drejtësinë. Lus Zotin se mos u shkrep në mendje këtyre politikanëve tanë dhe e bëjnë sistemin si atje përtej oqeanit. Ja, m’u për këtë nuk më ka zënë gjumi këto ditë! Por fundja çdo problem e ka një zgjidhje. Po vunë këtu sistemin amerikan, ne gjyqtarët do të bëhemi avokatë. Nuk kemi ç’bëjmë.
Kur mbërritëm në Tiranë, Gimçja e përmblodhi vizitën me një fjali lapidare: “Vëllezër, po kthehemi nga Amerika, por për ne Amerika është këtu…”

Shihemi së shpejti vëlla,
I yti
Selimi.

P.S. Këtë javë do të vij edhe kunata në Vjenë, bisedo pak dhe caktoi një orë për parukieren të shtunën se ka parë kafen tek njëra dhe i ka thënë se këtë të diel do të takosh njeriun që do të propozojë për martesë. Kunata i kishte folur pak edhe për shqetësimin tim dhe ajo e kishte marrë shumë seriozisht. Pasi kishte ngjeshur gishtin e madh të dorës së majtë në filxhan e kishte rrotulluar filxhanin tri herë dhe pas një këqyrje të mirë kishte thënë: “Europa do të grindet me Amerikën. Thuaj Nelit ta bëj gjumin e qetë”. Gjithsesi mi merr ato ilaçet. (gazetastart.com)

Konfidenciale

Po iu nisim një email që gabimisht ka ardhur në adresën e një punonjësi të ambasadës! Emaili është shkruar nga një gjyqtar që ka qenë së fundmi në SHBA, në kuadër të një projekti për forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Analizat dhe investigimet tona thonë se emaili është nisur për një mikun e tij që duket se banon në Vjenë të Austrisë. Kolegët tanë në ambasadë atje po hetojnë nga ana e tyre. Megjithëse gjyqtari përmend disa herë fjalën “vëlla”, pas hetimeve tona rezulton se emailshkruesi nuk ka vëlla. Është djalë i vetëm me katër motra. Gjatë viteve të fundit këtu, disa funksionarë i drejtohen me fjalën “vëlla” edhe personit që duan ta shohin të kallur në dhe.

Po e nisim emailin të plotë në vëmendjen tuaj, me disa shënime plotësuese që ka bërë një punonjës lokal në ambasadë që është familjar me problemet e Drejtësisë në Tiranë.

Email:
From: selimidrejt@drejtësia.com
To: idashurvella@drejtesia.com
Subject: Vizita në Amerikë!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›