E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrënohet shtëpia 300-vjeçare, është 1 nga 7 më të bukurat në Ballkan

Gjirokastër-Banesa e gurtë e Skëndulatëve në lagjen ‘Palorto’, e cilësuar si një ndër shtatë shtëpitë tradicionale më të bukura të Ballkanit, rrezikon të shembet ndërsa është dëmtuar rëndë nga shirat. Gjatë këtyre ditëve moti i keq ka ravijëzuar më tepër hartën e plasaritjeve dhe çarjeve në muret e gurta të banesës, ndërkohë që si shkak i shirave është rrëzuar një sipërfaqe e konsiderueshme suvaje në pjesën e fasadës. Duket se si shkak i mungesës së investimeve restauruese dhe mirëmbajtjes së saj, ajo që dikur është cilësuar nga specialistët si një ndër shtatë banesat më të bukura të Ballkanit, rrezikohet të rrënohet plotësisht. Ndërsa ecën në avllinë e gurtë të banesës, midis pirgjeve të suvasë së rrëzuar nga shirat e fundit, Nesip Skënduli, njëri prej pasardhësve të familjes, tregon dhimbjen që ndjen ndërsa shikon se shtëpia me moshë gati 300-vjeçare e ndërtuar me mjeshtëri nga të parët e tij, rrezikon të shembet dita-ditës. “Nuk më dhimbset thjesht si shtëpia apo prona ime, por mendoj se banesa e gurtë e Skëndulatëve përbën një prej shtëpive karakteristike gjirokastrite me vlera të veçanta”, - thotë pinjolli i familjes së Skëndulatëve, ndërsa mundohet të rregullojë disi një tra druri për të mbajtur çatinë gjysmë të rrënuar të portës kryesore të shtëpisë, të realizuar me gurë të skalitur. Edhe pse jeton në një banesë tjetër, sërish ai vjen vazhdimisht në shtëpinë e tij të vjetër për t’i hedhur një sy apo për ta mirëmbajtur disi. Nesipi ecën mes kolonave të gurta të avllisë së shtruar me pllaka të zeza, ndërkohë që hedh vazhdimisht vështrime plot dhimbsuri në drejtim të shtëpisë së gurtë. Nesipi flet plot pasioni sesi të parët e tij rreth fillimit të shekullit të 18-të ndërtuan këtë shtëpi trekatëshe, e tëra me gur të skalitur apo dru të gdhendur. Ishte pikërisht kjo arkitekturë dhe mënyrë ndërtimore, e cila bëri që kjo banesë për vite të tëra të shërbente si Muze Etnografik, ndërkohë që me gjithë gjendjen e saj të amortizuar vazhdon të tërheqë turistë të huaj. Ndërkohë, si shkak i lagështisë së dimrit tavanet e drunjta me rozeta të gdhendura me motive floreale kanë filluar të kalben ndërsa përhapin një erë të rëndë myku. Si shkak i çatisë së amortizuar, reshjet e shiut kanë nisur të dëmtojnë tavanet dhe dyshemetë e banesës të punuara apo të gdhendura në dru. Me të ardhurat që disponon aktualisht, Nesipi nuk mund të realizojë ndërhyrje madhore për restaurimin e banesës, ndërkohë që në këtë drejtim kërkon mbështetjen e shtetit. Ai thotë se vitet e fundit nuk ka reshtur së trokituri në zyrat e shtetit për restaurimin e shtëpisë së gurtë. Këtu gjithçka është në rrezik shembjeje prej çatisë, tavaneve, dyshemeve prej druri etj. Do të ishte mëkat që një simbol i tillë i vlerave tona kombëtare të shkonte drejt rrënimit”, - thotë Skënduli. B.Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›