200 mijë eurot e Tiranës anulojnë “gjyqin” e Vllaznisë
Nuk ka asnjë ndëshkim me gjobë ndaj futbollistëve të Vllaznisë, edhe pse u fol shumë se presidenti i klubit shkodran, Valter Fushaj, do të reagonte ashpër pas barazimit të papritur të Vllazninë me Lushnjën në “Loro Boriçi” (1-1, java 32), sipas së cilës drejtuesit kuqeblu pritej të propozimin “ngrirjen” e 30 për qind të shumës të kontratave që kanë lojtarët me kuqeblutë. Edhe sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj (21 vjeç, 10 gola këtë sezon), për të cilin u fol në shtyp se do të ishte njëri ndër të ndëshkuarit e mëdhenj, u fal, duke mos marrë ndaj tij asnjë masë ndëshkimore. Mesa duket “hedhja në treg” e 200 mijë eurove nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, për fitimin me çdo çmim të kampionatit, ç’vlerësoi edhe masën ekstreme të klubit më të vjetër shqiptar, tashmë në kërkim të titullit të 10-të kampion. Vllaznia ndodhet në vendin e dytë me 64 pikë, një më pak se Tirana kryesuese, më të cilën do të përballet në javën e fundit të sezonit, dhe krijimi i një situatë të rënduar financiare do të ndikonte negativisht në gjirin e skuadrës, për më tepër që dhe atmosfera në tifozerinë shkodrane nuk është shumë optimiste për një sukses ndaj 23-herë kampionëve në kryeqytet. Takimi i tretë sezonal midis dy ekipeve do të luhet në “Qemal Stafa”, teksa dy të parat janë mbyllur në barazimi: 0-0 “Loro Boriçi” dhe 1-1 në “Selman Stërmasi”. Vllaznia u eliminua nga Tirana në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë: 0-0 në Shkodër dhe 0-1 pas 120 minutave lojë në kryeqytet. Trajneri i Vllaznisë, malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, i vetmi teknik i huaj që ka mundur të fitojë kampionat (2000-2001) e Kupë (2008) në Shqipëri: “Shënuam shpejt kundër Lushnjës. Gabuam dhe e pësuam. Kundër Tiranës nuk shkojmë si favoritë, pasi ka ajo ka epërsi një pikë. Nëse duam që të jemi kampionë duhet të japim maksimumin”.
200 mijë euro
Presidenti me rotacion i Tiranës, Refik Halili, mësohet se ka vendosur një super-premio prej 200 mijë eurosh për titullin kampion. Për çdo lojtar kjo do të thotë afro 7 mijë euro nëse arrijnë të realizojnë objektivin për fitimin e titullit të 24-t.
Në javën e 33-të, java e fundit e sezonit, Tirana, kryesuese e kampionatit të 70-të Kombëtar (65 pikë), do të përballet me Vllazninë, duke pasur një pikë më shumë se kundërshtarët kuqeblu.
Sulmuesi Migen Memelli (29 vjeç, 21 gola këtë sezon): “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Që të dyja skuadrat janë rivale të denjë për titull. Më mungon një gol kundër Vllaznisë”.
Mesfushori Ansi Agolli (26 vjeç, 5 gola): “Po kaloj një formë të mirë dhe shpresoj shumë që të gjej një gol edhe ndaj Vllaznisë”.
19 Maj 2009