Nallbani, 68 tablo mbi gruan dhe fëmijët shqiptarë në GKA
Piktori Hasan Nallbani, i njohur deri para viteve ’90 si mjeshtër i tablove me sfond historik paraqitet në Galerinë Kombëtare të Arteve me një ekspozitë krejt ndryshe; Publiku do të përballet me piktura bashkëkohore, të cilat i përkasin periudhës së dytë të krijimtarisë së artistit, e më konkretisht, tre viteve të fundit (2006-2009). Tema e 68 tablove vaj mbi kanavacë është gruaja dhe fëmija në shoqërinë shqiptare. Shefja e sektorit të Studimit dhe Kërkimit në GKA, Suzana Varvarica Kuka thotë se “pasqyrimi figurativ i piktorit lidhet ngushtësisht me idetë e tij ndaj fenomenit grua në shoqërinë shqiptare. Djali është një përsonazh i dytë që përfaqëson fëmijën, por që plotëson fenomenin familje. Krijimtaria e tij i përket pikturës bashkëkohore shqiptare.” Ky aktivitet zhvillohet në vazhdën e promovimit të krijimtarisë bashkëkohore që zhvillohet gjatë ditëve të sotme në vendin tonë.
Përzgjedhja e krijimtarisë së Nallbanit është bërë në zbatim të procesit të aplikimit nga vet artisti dhe në bashkëpunim profesional me Sektorin e Studimit dhe të Kërkimit. Pas diskutimeve mbi krijimtarinë e tij në Sektorin e Studimit dhe Kërkimit si dhe referimit për cilësitë dhe mesazhin e krijimtarisë e tij në stafin drejtues të Galerisë Kombëtare të Arteve, piktorit të mirënjohur Nallbani iu dha e drejta të ekspozojë krijimtarinë e propozuar prej tij. Piktori Nallbani lindi në Berat më 15.05.1934. Ai ka kryer studimet në Liceun Artistik “J. Misja” në kryeqytet e më pas është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve ’64 për njohjen dhe restaurimin e veprave të artit. Ai është autor i shumë artikujve që lidhen me tema të ndryshme të restaurimit të veprave të artit mesjetar në Shqipëri. Në vitet ’70, Nallbani arriti të bëhej një nga piktorët më në zë të artit shqiptar. Si për të gjithë artistët shqiptarë edhe krijimtaria e tij ndahet në dy periudha krijuese. E para është ajo e para viteve `90, ku piktori punoi sipas temave dhe kërkesave të diktaturës, duke u dalluar për temën historike dhe aktualitetin, ndërkohë që periudha e dytë është ajo e dy dekadave të fundit në krijimtari të lirë.
Petrika GROSI
19 Maj 2009