E Diel, 1 Nëntor 2026

Server: “Serbia nuk do të hyjë në BE pa njohur Kosovën”



“Kosova ka nevojë jo vetëm për ndihmë ekonomike, por edhe për politikën diplomatike të Shteteve të Bashkuara”. Kështu deklaroi analisti nga Instituti Amerikan për Paqe, Daniel Server. Sipas tij, Serbia do të ketë probleme në raportet e saj me SHBA-të për aq kohë, sa të mos e njohë Kosovën. “Serbia do të donte që kjo të mos paraqiste problem. Por, në fakt mendoj se ky është problem për amerikanët dhe për sa kohë që Serbia të mos njohë Kosovën dhe të vazhdojë të provojë të mbajë kontrollin nëpër disa pjesë të Kosovës, kjo do të konsiderohet problem nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,- tha ai. I pyetur ndërkaq se si mund të zgjidhet kjo çështje, Server deklaroi: “Mund të zgjidhet përmes njohjes dhe përmes tërheqjes nga pretendimet territoriale”. Por, kjo sipas tij nuk do të ndodhë shpejt sepse politikanët në Serbi janë mbyllur brenda pozitave të tyre aktuale. “Shpresoj që Bajden të ketë bisedë shumë miqësore me ta për këtë çështje dhe t’u thotë të vërtetën, që e dimë të gjithë: se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Europian pa e njohur Kosovën”,- ka thënë Server.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›