200-vjetori i Charles Dickens

Të martën Britania e Madhe shënoi 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Charles Dickens, i cili njihet si njëri ndër shkrimtarët më njohur që shkroi në gjuhën angleze. Për nder të shënimit të këtij përvjetori të rëndësishëm, në Britani u mbajtën ngjarje të ndryshme, të cilat u organizuan nën patronazhin e princit Charles.
Ndryshe, Charles Dickens u lind më 7 shkurt të vitit 1812 në qytetin Portsmouth, në bregdetin jugor të Anglisë. Ai botoi një numër të madh tregimesh të shkurtra, por edhe të dramave dhe novelave të mëdha, si “Oliver Twist”, apo “Pritjet e Mëdha”.
Shkrimet e tij u ndikuan shumë nga përvoja e tij jetësore, duke filluar që nga mosha e tij e lumtur djaloshare në juglindje të Anglisë - para se babai i tij të futej në burg për shkak të borxheve - e deri tek varfëria e skajshme në të cilën u zhyt më vonë. Dickens vdiq më 9 qershor 1870.