E Diel, 1 Nëntor 2026

2008, një vit rekord i çeljes së bizneseve të reja

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola thotë se gjatë vitit 2008 ishin regjistruar afro 18 mijë biznese të reja, 400 prej të cilave me kapital të huaj, një ritëm më i lartë sesa viti paraardhës, edhe ai, me mjaft rezultat në këtë drejtim. Sipas parashikimit, mendohet se të njëjtat ritme do të verifikohen edhe gjatë vitit 2009

Partia Socialiste nuk resht së angazhuari në një fushatë shpifjesh, e cila dy ditët e fundit, nëpërmjet sekretarëve ekonomikë Ilir Beqja e Ervin Bushati ka arritur nivele të reja rekord. Që të dy, në konferenca të veçanta për shtyp, kanë dalë dhe kanë deklaruar se nga të dhënat e tyre “paraprake” e “operative” u rezulton se ka një falimentim të bizneseve gjatë vitit 2008, veçanërisht nëpër rrethe, për shkak të asaj që ata e quajnë “klimë mbytëse e qeverisë Berisha për biznesin”. Por përtej të dhënave paraprake e operative, drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Tom Kola të ofron shifra zyrtare, të cilat janë kokëforta e të japin perspektivën e qartë se si po shkon ekonomia shqiptare. Sipas statistikave, tashmë të përfunduara, rezulton se në vitin 2008 janë regjistruar 17773 biznese të reja, ndërkohë që në vitin 2007 - i cili nga ana e vet ishte një vit shumë i mirë në këtë drejtim – ishin regjistruar 13300 biznese të reja. Një vështrim i thjeshtë pra konfirmon faktin se në vitin 2008 janë regjistruar më shumë se 4400 biznese të reja, sesa në vitin 2007. Këto ritme solide të lulëzimit të biznesit, që vijnë edhe për shkak të politikave favorizuese fiskale, marrin një përmasë më të qartë po të analizojmë përqindjen e biznesit të huaj, që po i afrohet ekonomisë shqiptare. Sipas shifrave që për gazetën “55” i ofron drejtori i QKR-së, zoti Tom Kola, nga afro 18 mijë bizneset e reja që janë regjistruar pranë Qendrës në vitin 2008, 400 prej tyre janë ndërmarrje me kapital të huaj, pra një bonus i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Pasi i kërkuam drejtorit Kola një prognozë për vitin 2009, ai tha se nuk u besonte teorive që kërkonin t’i nxirrnin parashikimet jashtë terrenit konkret, prandaj ai do të përqendrohej në performancën e dy viteve të shkuara të ekonomisë. “Sipas këtyre të dhënave, theksoi ai, s’ka asnjë arsye që të na mbërthejë pesimizmi, i ushqyer nga kriza ekonomike botërore, prandaj edhe mund të parashikojmë një vit të rëndësishëm për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja, ritme të cilat mendohet se do t’i kapërcejnë edhe vitet tashmë të suksesshme 2007 e 2008”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›