SAKAR ankesë APP-së për shkeljet në tenderin e koalidimin e makinave
Autori i Lajmit: red.
Për dijeni: Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Autoriteti Kontraktues
Seksioni I. Identifikimi i Ankimuesit
SAS SAKAR
Emri i plote i ankimuesit
80 Boulevard de Chanzy, 93100 MONTREUIL, France
(Adresa në Shqipëri e përfaqësuesit të autorizuar: Kalo & Associates, Rruga e Kavajës, Nr. 59, Tirana Toëer, Kati 5, Tiranë, Shqipëri)
Adresa
Montreuil, France
Perparim Kalo nga Zyra e Avokatisë Kalo & Associates, autorizuar me Prokurën e Posaçme datë 14 Janar 2009 lëshuar nga Z. Bernard Bourrier në cilësinë e tij si President i Shoqërive Vivauto PL dhe Vivauto dhe si Përfaqësues i Shoqërisë SAS SAKAR sipas autorizimit lëshuar për këtë më 17 Dhjetor 2008 nga Presidenti i SAS SAKAR Z. Paskal Karras. Kjo Prokurë e Posaçme është lëshuar përpara noterit publik francez Z. Jean Pierre Fernandez dhe është legalizuar me vulën apostile nr. 2911, datë 15 Janar 2009.
Emri dhe pozicioni i zyrtarit te autorizuar qe ploteson ankesen
Seksioni II . Informacion per Proceduren
1. Numer Identifikimi
01500/1
2. Autoriteti Kontraktues
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioni
3. Vlera e Perllogaritur e Konkurimit
Koncesion
4. Objekti i Kontrates
Dhënia me koncesion e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove
5. Afati Perfundimtar i Dorezimit te Ofertes
18 Dhjetor 2008
6. Data e Percaktimit te Kontrates Fituese
Njoftimi i vlerësimit për pranimin e ofertës së shoqërisë SGS dhe njoftimi standart për ofertuesin e skualifikuar SAS SAKAR janë bërë më 21 Janar 2009.
Seksioni III . Pershkrimi i Ankeses
1. Baza Ligjore e Ankeses
- Ligji “Për Koncesionet” nr. 9663, datë 18.12.2006 (i ndryshuar), neni 25;
- Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 27, datë 19.1.2007 (i ndryshuar), veçanërisht Kreu XII,
- Dokumentet Standarte të Procedurës Konkurruese shpërndarë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove, nëntitulli “Ankimi administrativ në dispozicion të ofertuesve” në faqet 34 dhe 35 nga 64;
- Ligj “Kodi i Procedurave Administrative” nr. 8485, datë 12.5.1999, Pjesa VI, Kreu I, Seksioni VI si dhe nenet 93 e vijues.
2. Deklaratë e Hollësishme e Fakteve dhe Argumeneve
Të nderuar Zotërinj,
Shoqëria franceze SAS SAKAR (“Ankimuesi”) është shpallur si subjekt i parakualifikuar për të marrë pjesë në fazën e dytë të procedurës konkurruese për projektin “Dhënia me koncesion e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”, në kuadrin e VKM-së nr. 643, datë 3.10.2007 “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”. Ankimuesi dorëzoi më datë 18 Dhjetor 2008 në Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve (“Ministria”), ofertën në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për Koncesionet”, i ndryshuar (“Ligji për koncesionet”), VKM-së nr. 27, datë 19.1.2007, i ndryshuar (“VKM për koncesionet”) dhe Dokumenteve Standard të Procedurës Konkurruese (“Dokumentet Standard”) të shpërndara nga Znj. Mimoza Balla, si person kontakti i Minsitrisë.
Më datë 21.01.2009 Autoriteti Kontraktues ka parashtruar në Njoftimin Standard për Ofertuesin e Skualifikuar, me nr. Protokolli 340/1, datë 21.01.2009, (“Njoftimi”), argumentet e tij përkatese per skualifikimin e Ankimuesit. Ofertuesi është vënë në dijeni të këtij Njoftimi nëpërmjet faksit dërguar në adresën e tij më datë 21.01.2009, version në të cilin mungonte faqja 3 e tij. Për këtë arsye është konsideruar edhe njoftimi publik në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë.
Në vijim paraqesim argumentet e Ofertuesit Ankimues kundër pretendimeve të Autoritetit Kontraktues:
I. Argumente kunder pretendimit se Ofertuesi Ankimues nuk ka paraqitur dokumentet e kërkuara
Ministria shprehet se Ofertuesi Ankimues “nuk ka arritur të paraqesë:
(i) Vërtetimet e kërkuara që tregojnë se subjekti nuk është në kushtet e Kreut V të VKM Nr. 27, datë 19.01.2007, i ndryshuar;
(ii) Vërtetime të mjaftueshme, siç përshkruhen në VKM nr. 27, datë 19.01.2007, i ndryshuar, (seksionet përkatëse të DPK) që tregojnë se ofertuesi në fjalë i plotëson kërkesat për kapacitetet minimale financiare, teknike dhe profesionale, të specifikuara në dosjen e ofertës ose në njoftimin e kontratës;
(iii) Dokumentacion origjinal ose kopje e noterizuar si provë e kërkesave kualifikuese të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese.
Duhet thënë që në fillim, se Autoriteti Kontraktues tek pjesa e Njoftimit e emërtuar “Justifikimi”, pranon se skualifikimi është bërë për shkak të “pasaktësive nga ana formale” dhe më tej “pasaktësive nga ana formale dhe e përmbajtjes” dhe jo nga mangësia e dokumentacionit.
Eshte lehtesisht e provueshme nga ana juaj si Autoritet që shqyrtoni ankimet se vertetimet e kërkuara sipas pikave 1) dhe 2) më lart, janë paraqitur nga Ofertuesi Ankimues si pjesë e ofertës së vet.
Nderkohe, meqenese kundershtimi i pretendimit te Autoritetit Kontraktues sipas te cilit Ofertuesi Ankimues nuk ka përmbushur kërkesat formale dhe thelbësore të dokumenteve të ofertës, kerkon nje trajtim me te zgjeruar, ate po e paraqesim ne pjesen e numertuar II ketu me poshte.
II. Argumente kunder pretendimit se dokumentacioni i Ofertuesit Ankimues ka pasaktësi nga ana formale
Autoriteti Kontraktues eshte shprehur se Ofertuesi Ankimues nuk ka paraqitur “Dokumentacion origjinal ose kopje e noterizuar si provë e kërkesave kualifikuese të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese”. Ky konstatim eshte i pabazuar pasi shoqëria ka dorëzuar dokumentet në origjinal dhe fotokopje, sipas kërkesave te Dokumenteve Standard. Kjo është pranuar edhe nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ditën e dorëzimit të tyre në Minsitri, në prani të përfaqësuesve të shoqërive ofertuese dhe medias dhe me tej edhe në Procesverbalin e mbajtur për administrimin e ofertave nga Komisioni më datë 18.12.2008, i nënshkruar nga anëtarët e tij. (Procesverbali i është njoftuar Ofertuesit Ankimues me faks më datë 19.12.2008, ora 10:30). Sipas Procesverbalit, “dokumentet në kutinë e Shoqërisë SAS SAKAR (duke iu referuar kutisë së parë “e cila përmban dokumentet origjinale”) janë në Gjuhën shqipe, angleze dhe franceze, të përkthyera dhe të noterizuara”. Në të njëjtën mënyrë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është shprehur në Procesverbal për dokumentet e ndodhura në kutinë e dytë dhe të tretë. Sipas Dokumenteve Standard, (faqe 1 nga 64), dokumentacioni origjinal nënkupton dokumente origjinale ose dokumente të noterizuara si njësi me origjinalin. Dokumentet e përmbajtura në ofertë janë të tilla.
Në këto kushte pretendimi i Autoritetit Kontraktues sipas të cilit shoqëria SAS SAKAR nuk arriti të paraqesë “Dokumentacion origjinal ose kopje e noterizuar si provë e kërkesave kualifikuese të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese” është i pabazuar.
Siç u përmend më lart, Autoriteti Kontraktues, në kundërshtim me konstatimin fillestar të tij sipas të cilit skualifikimi i Ofertuesit Ankimues është bërë për shkak të mosparaqitjes së dokumenteve të përmendura në pikat 1), 2) dhe 3), ka vijuar me pjesën “Justifikimi” duke dhënë sqarime në lidhje me mangësitë e pretenduara në formë dhe përmbajtje të dokumenteve të paraqitura nga Ofertuesi.
Me konkretisht, në paragrafin e parë të paraqitur nga Autoriteti Kontraktues nën pjesën “Justifikimi”, ku jane përdorur formulime gjuhesore të paqarta, kemi arritur te kuptojme se Autoriteti Kontraktues pretendon parregullsi në numërtimin e dokumentacionit pasi, sipas tij, përveç dokumentacionit të numërtuar, rezulton një dokument i veçantë prej tre fletësh i panumërtuar. Dihet qe kërkesa për numërtimin e fletëve të ofertave eshte praktike e njohur qe garanton ofertuesit se asnjë fletë e dokumenteve të dorëzuara nuk do të humbasë si dhe për lehtësimin e punës së Autoritetit Kontraktues në referimin e informacioneve të përmbajtura në dokumentacion. Në këto kushte, mungesa e numërtimit të këtij dokumenti nuk cënon vlefshmërinë e dokumentacionit të kërkuar sipas Dokumenteve Standarte dhe as qëllimin për të cilin kërkohet numërtimi i fletëve.
Në vijim Autoriteti Kontraktues pretendon se njëri prej dokumenteve të përmbajtura në dosjen në gjuhën frënge, “është numërtuar vetëm në faqen e parë të tij ndërsa faqja e prapme e të njëjtit format A4 nuk ka numërtim dhe përmban vetëm Apostilën”. Ky pretendim i Autoritetit Kontraktues nuk qëndron pasi vetë Dokumentet Standard parashikojnë në Udhëzimin për ofertuesit (fq. 23 nga 64) se “të gjitha fletët e ofertës duhet të lidhen së bashku dhe të numerizohen”. Me fjale te tjera, Dokumentet Standard kërkojne numertimin vetëm për fletët dhe jo për faqet e ofertes. Pra, edhe ky pretendim i Autoritetit Kontraktues nuk eshte i mbeshtetur as ne ligj e as ne logjiken e praktiken e numërtimit te fletëve.
Më tej, Autoriteti Kontraktues pretendon se “në këtë përmbledhje me vulë të noterit nuk
ka shënim për numër fletësh”. Nuk është i qartë argumenti i Autoritetit Kontraktues në lidhje me këtë konstatim. Ne mendojmë se i referohet mungesës së shënimit të noterit për numër fletësh dhe ju informojmë se kjo është çështje e ligjit francez që përcakton se si bëhet legalizimi i dokumenteve nga noteri francez. Do te kishte qene e udhes qe Autoriteti Kontraktues te kishte kerkuar sqarime, sic thuhet edhe ne Dokumentet Standard, para se te kishte arritur ne kete perfundim. Sipas Vendimit per Koncesionet, Kreu IX, shkronja c), nëse është e nevojshme, komisioni i vlerësimit të ofertave kërkon sqarime nga ofertuesit, të cilat duhet të bëhen vetëm me shkrim ose të reflektuara në procesverbalin e konkurrimit”. Kjo bazohet edhe në Kodin e Procedurave Administrative, nent 93 e vijues të cilat përbëjnë standartet në bazë të të cilave duhet të udhëhiqet një procedurë administrative, sic është procedura e ndjekur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Edhe argumenti i Autoritetit Kontraktues sipas te cilit mënyra e vërtetimit noterial të njësisë me origjinalin “nuk siguron se dokumenti bashkëlidhur është kopje e njësuar e dokumentit origjinal por firmën e personit (...)”, eshte i pabazuar, sepse mënyra e vërtetimit noterial është sqaruar në Dokumentin shtesë (shih më lart) dhe madje është pranuar nga vetë Autoriteti Kontraktues në Njoftim.
Pretendimi tjeter i Autoritetit Kontraktues është se “dosjes i janë bashkëlidhur edhe dokumente të tjerë të krijuar pas kësaj date (duke iu referuar datës së dokumentit të sipërpërmendur) respektivisht datë 17.12.2008 për të cilat ofertuesi ka ndjekur të njëjtën mënyrë njësimi të dokumentit me origjinalin”. Konkretisht, Autoriteti Kontraktues i referohet ekstrakteve të regjistrit tregtar për shoqërinë Vivauto, SAS SAKAR dhe Vivauto PL në lidhje me rezultatin e gjendjes ekonomike (mos qenia në likuidim ose falimentim). Mënyra e vërtetimit të tyre, sic pretendohet edhe nga vetë Autoriteti Kontraktues, është e njëjtë me mënyrën e vërtetimit të dokumenteve të referuar më lart dhe se kjo është një mënyrë e njohur në legjislacionin francez.
Pavarësisht nga sa më sipër, duhet të merret parasysh se Dokumentet Standard nuk kërkojnë depozitimin e dokumenteve që vërtetojnë gjendjen ekonomike (pra qenien e Ofertuesit ne likuidim/falimentim ose jo). Kjo shihet edhe në përgjigjen zyrtare dërguar ofertuesit nga Znj. Mimoza Balla, si person kontakti i Ministrise, në shkresën nr. 7251/3 prot., datë 6 Nëntor 2008 ku konfirmohet lista e dokumenteve të kërkuara për të përmbushur kërkesat ligjore të kualifikimit. Kjo listë nuk përmban dokumentin e mësipërm për gjendjen ekonomike (nëse është në procedura likuidimi/falimentimi apo jo) të ofertuesve të parakualifikuar. Në këto kushte prania e këtij dokumenti në dosjen e ofertës nuk është e domosdoshme për kualifikimin e Ofertuesit Ankimues.
Në lidhje me argumentin 2 dhe 3 të Njoftimit te Ministrise që fillojnë përkatësisht me fjalët “Dosja e dyte dokumentacion në gjuhën shqipe (...)” dhe “Dosja e tretë dokumentacion në gjuhën shqipe (...)”, rezulton se Autoriteti Kontraktues pretendon se listimi i përmbajtjes së dosjes nuk është i numërtuar. Ju lutem konsideroni të njëjtat argumente të paraqitura më lart sipas të cilave mungesa e numërtimit nuk dëmton në këtë rast asnjerën nga palët e përfshira në proces, për më tepër mungesa e tij në fletën që përmban listën e dokumenteve në vijim të dosjes, pasi është thjesht indikative.
Në këto dy justifikime, Ministria përsërit çështjen e mungesës së numërtimit të faqes së prapme të dokumentit noterial në të cilën ndodhet vula Apostille. Duke iu referuar të njejtit argument të parashtruar më lart, mungesa e numërtimit në këtë faqe nuk përbën shkelje serioze e tillë që mund të verë në diskutim vlefshmërinë e dokumentacionit për qëllime të kualifikimit të Ofertuesit.
Së fundi, sa i përket këtyre dy justifikimeve, Ministria parashtron gjithashtu mungesën e lidhjes së fletës përmbledhëse (dmth listimi i përmbajtjes së dosjes), përveç mekanizmit me dokumencaionin bashkëlidhur. Ky pretendim për mungesën e një lidhjeje të posaçme të dokumenteve, eshte ne tejkalim te kerkesave te Ligjit për Koncesionet dhe Dokumenteve Standard. Në Udhëzimin për ofertuesit (fq 23 nga 64) thuhet se “[t]ë gjitha fletët e ofertës duhet të lidhen së bashku dhe të numerizohen”. Dokumentet Standard nuk përcaktojnë ndonjë mënyrë të veçantë madje Ofertuesi Ankimues ka vepruar ne te njejten menyre në procedurën e parakualifikimit, të cilen e kaloi me sukses.
III. Argumente kunder pretendimit se dokumentacioni i Ofertuesit ka pasaktësi nga ana formale dhe e përmbajtjes
Në pikën 1) me titull “Vërtetimi i sigurimit shoqëror dhe sigurimeve familjare të Parisit”, Autoriteti Kontraktues pretendon se dokumentet që tregojnë se Ofertuesi (shoqëritë e lidhura të tij, lidhja ligjore e të cilave sqarohet në vijim të kësaj Kërkesë Ankimore), ka shlyer detyrimet e tij të sigurimeve shoqërore dhe ndihmës familjare, ka mangësi në informacion pasi në këtë dokument thuhet që “të mos dorëzohet kjo deklaratë në URSSAF pa u plotësuar ana e kundërt e faqes. Personi duhet detyrimisht të deklarojë në anën e kundërt të formularit dhe të mbajë përgjegjësi nëse ka sigurime shoqërore dhe ndihma familjare të tjera përveç atyre të lartshënuara”. Bazuar në këtë fjali, Autoriteti Kontraktor pretendon se “ana e kundërt e fletës nuk është paraqitur”.
Në lidhje me këtë pretendim ju informojmë se dokumentet e mësipërme janë përgjigje e kërkesave të paraqitura nga shoqëritë përkatëse të Ofertuesit për tërheqjen e vërtetimit për shlyerjen e sigurimeve shoqërore dhe familjare. Faqja e kundërt e kërkesës (formularit), sipas ligjit dhe praktisës franceze, kërkohet të plotësohet kur kjo kërkesë depozitohet në URSSAF në mënyrë që URSSAF të informohet në lidhje me detyrimet e shlyera të aplikuesit. Në këto kushte vetëm URSSAF ka të drejtë të kërkojë plotësimin e faqes së prapme të kërkesës (formularit). Më pas URSSAF lëshon vërtetimin, i cili natyrisht nuk përmban të dhënat e shënuara nga subjekti në faqen e prapme të kërkesës. Lëshimi i këtij vërtetimi tregon se kërkesa është plotësuar në mënyrë të rregullt (edhe nga faqja e prapme) nga subjekti aplikues pasi në të kundërt nuk do të lëshohej. Kështu, në fund të faqes së këtij vërtetimi të lëshuar nga URSSAF, shënohet vërtetimi nga URSSAF se shoqëria aplikuese i ka shlyer detyrimet përkatëse. Ky vërtetim është nënshkruar rregullisht nga përfaqësuesi i rregullt i URSSAF dhe mban vulën e këtij institucioni. Në këto kushte vërtetimet e lëshuara nga URSSAF janë të mjaftueshme për të treguar se shoqëritë e lidhura të Ofertuesit, kanë shlyer detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe familjare sipas legjislacionit francez duke plotësuar kërkesën përkatëse për kualifikim të Dokumenteve Standarte.
Në pikën 2) me titull “Lidhja ligjore e subjekteve mes tyre dhe raportet e kërkuara”, Autoriteti Kontraktues pretendon se “sipas dokumentacionit të paraqitur (...), është e pamundur të konfirmohet saktë lidhja aktuale ndërmjet subjekteve SAS SAKAR, VIVAUTO SA, VIVAUTO PL, SAKAR Group dhe kompanisë qipriote NERIMA Enterprise co ltd”. Duhet thene qe vete sqarimi i mëtejshëm që Autoriteti Kontraktues ka bëre në lidhje më këtë çështje, tregon qartë lidhjen ndërmjet shoqërive të larpërmendura. Aty shpjegohet se shoqëria SAS SAKAR (referimet SAS SAKAR dhe SAKAR SAS janë për të njëjtën shoqëri ku SAS tregon formën ligjore të saj), zotëron 95,87% të shoqërisë Vivauto SA dhe 100 % të shoqërisë Vivauto PL. Aty gjithashtu sqarohet se shoqëria SAS SAKAR zotërohet 100% nga shoqëria qipriote Nerima Enterprise Co Ltd. Pra vetë shpjegimi i dhënë nga Autoriteti Kontraktues në justifikimin se lidhja e shoqërive është e paqartë, tregon qartë këtë lidhje ndërmjet shoqërive. Në vijim të sqarimit të Autoritetit Kontraktues, dhe duke patur parasysh përmbajtjen e dispozitave përkatëse të Statuteve të shoqërive të sipërpërmendura, mund të shtojmë se grupi i shoqërive të sipërpërmendura, i quajtur ndryshe SAKAR Group, është një grup holding ku shoqëria qipriote Nerima Enterprise co ltd zotëron 100 % të aksioneve të shoqërisë franceze SAS SAKAR. Kjo shoqëri, SAS SAKAR, zotëron aksione në dy shoqëri të tjera, respektivisht shoqërinë Vivauto SA (ku zotëron 95,87 % të aksioneve) dhe Vivauto PL (ku zotëron 100% të aksioneve).
Gjithashtu, informacioni që permban oferta, sipas të cilit shoqëria Nerima Enterprise Co ltd autorizon shoqërinë SAS SAKAR për të përdorur markën e regjistruar Autovision dhe Autovision PL bazohet në faktin se shoqëria Nerima Enterprise Co ltd eshte pronare e logos “Autovision” dhe vetëm ajo mund të autorizojë shoqëritë e tjera për të përdorur këtë logo. Ky informacion i dhene nga Ofertuesi Ankimues nuk kërkohet për përmbushjen e kritereve kualifikuese të ofertuesit në Dokumentet Standard, por ai ka gjykuar qe ta paraqese ate. Në këto kushte, ky dokument nuk cenon vlefshmërinë e dokumentacionit që kerkohet per përmbushjen e kërkesave kualifikuese të ofertuesit.
Me qëllim sqarimin e mëtejshëm të Autoritetit Kontraktues në lidhje me aplikimin e këtij grupi shoqërish, informojmë se shoqëria SAS SAKAR, është futur në konkurrim si shoqëria që përmbush kapacitetin financiar ndërkohë që shoqëritë e zotëruara prej saj, Autovision SA dhe Autovision PL janë shoqëritë që përmbushin kapacitetin teknik. Shoqëria Autovision SA ofron shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve të lehta ndërsa shoqëria Autovision PL ofron shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve të rënda.
Marredhenia midis shoqerive te grupit mund te kuptohet lehte po qe se lexohen me kujdes statutet perkatese te tyre.
Pretendimi vijues i Autoritetit Kontraktues është se në dokumentin e Regjistrit të shoqërisë SAS SAKAR, kur rezulton kohëzgjatja e shoqërisë, “nuk përmendet asambleja e aksionarëve”. Nuk kuptohet përse Autoriteti Kontraktues kërkon një informacion të tillë. Për më tepër që ky informacion kërkohet vetëm në lidhje me njerën nga shoqëritë e lidhura, konkretisht shoqërinë SAS SAKAR. Vërtetimet e Regjistrit tregtar të shoqërive të lëshuara për tre shoqëritë SAS SAKAR, Vivauto SA dhe Vivauto PL, nuk përmbajnë këtë informacion pasi ky është standardi i vërtetimit që lëshohet nga Regjistri tregtar i sipërpërmendur.
Më tej, Autoriteti Kontraktues trajton çështjen se shoqëria Vivauto SA është në pronësi të Z. Karras, çka vjen në kundërshtim me informacionin e mëparshëm sipas të cilit kjo shoqëri zotërohet 95,87% nga shoqëria SAS SAKAR dhe ku Z. Karras është president i saj. Edhe pse referencat e përdorura nga Autoriteti Kontraktues nuk janë të qarta, mendojmë se informacioni konfondues është marrë nga neni 6 i Statutit të Shoqërisë Autovision SA. Sipas këtij neni “[t]ë gjitha aksionet e origjinës formojnë kapitalin fillestar të Shoqërisë (...) siç tregohet në certifikatën e lëshuar nga Credit Du Nord (...) depozituese e fondeve sipas listës së aksionerëve me shumën e derdhur prej secilit, e vërtetuar me sinqeritet dhe vërtetësi nga Z. Karras Jean, themelues”. Në asnjë fjali nuk përmendet se shoqëria Vivauto SA zotërohet nga Z. Karras. Fjala “themelues” tregon thjesht që Z. Karras ka vërtetuar blerjen e aksioneve të emetuara nga shoqëria nga një listë aksionerësh (përfshi edhe shoqërinë SAS SAKAR si zotëruese e 95,87 % të saj). Kjo konfirmohet në dokumentet e tjera ku del qartë, ashtu siç pranohet edhe nga vetë Autoriteti Kontraktues, se Z. Karras është aktualisht president i shoqërisë.
Në përfundim, pretendimet e Autoritetit Kontraktues në lidhje me marrëdhënien e shoqërive të lidhura të grupit SAS SAKAR nuk qëndrojnë pasi ato janë lehtësisht të kuptueshme nga leximi i kujdesshëm i statuteve dhe vërtetimeve të lëshuara nga Regjistri tregtar. Edhe nëse çështjet e mësipërme vërtet nuk do të ishin të qarta për Autoritetin Kontraktues, ky Autoritet duhet t i kerkonte sqarime Ofertuesit Ankimues përpara se të vendoste skualifikimin e tij. Sipas Vendimit për Koncesionet, Kreu IX, shkronja c), “nëse është e nevojshme, komisioni i vlerësimit të ofertave kërkon sqarime nga ofertuesit, të cilat duhet të bëhen vetëm me shkrim ose të reflektuara në procesverbalin e konkurrimit”.
Fryma e legjislacionit të koncesioneve pershkohet nga parimi baze i konkurrences se ofertave për të gjetur ofertën më të mirë dhe Autoriteti Kontraktues duhet te udhehiqej nga ky parim, ne vend qe te hiperbolizonte çështje të cilat nuk janë thelbësore per vleresimin e ofertave, te nje ofertuesi te parakualifikuar ne fazen e pare (fazë në të cilën i gjithë dokumentacioni ligjor i depozituar është konisderuar si i vlefshëm ligjërisht madje është kualifikuar për në fazën e dytë të konkurrimit).
Vlen te përmendet gjithashtu se shoqëria SAS SAKAR është parakualifikuar me sukses nga Autoriteti kontraktues, çka do të thotë se dokumentacioni i sipërpërmendur është depozituar dhe pranuar nga Autoriteti kontraktues në fazën e parë të konkurrimit. Dokumentacioni që është paraqitur me ofertën në këtë fazë të dytë të konkurrimit, është përsëritje e dokumentacionit të mëparshëm. Në këtë kuptim, Autoriteti kontraktues kundërshton vendimin e marrë prej tij më parë.
Kemi te drejte te mendojme se duke njohur elementet e ofertes te Ofertuesit Ankimues, te cilat u bene publike diten e hapjes se ofertave, ajo ne pamje te pare ishte me e mirë se oferta tjeter dhe te ndikuar nga preferenca personale e pse jo edhe nga trysni te faktoreve te tjere, komisioni ka zgjedhur pikerisht rrugen me te lehte per te favorizuar ofertuesin tjeter, pra skualifikimin e ofertes me te mire. Superioriteti cilesor i ofertes se skualifikuar mund provohet nese Agjencia e Prokurimit Publik shfuqizon vendimin për skualifikimin e ofertës së Ofertuesit Ankimues dhe udhëzon korrigjimin e shkeljeve nga ana e Autoritetit Kontraktues përpara vazhdimit të procedurave koncesionare.
Në pikën 3) me titull “Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis”, Autoriteti kontraktues shpjegon se ky raport nuk është nënshkruar rregullisht nga eksperti dhe as nuk i është bashkëlidhur dëshmi e certifikimit të tij. Kërkesa për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk kërkon që ky raport të nënshkruhet nga eksperti i certifikuar. Nëse kjo do të ishte kërkesë e drejtpërdrejtë nga Dokumentet Standarde, Ofertuesi do të kishte vepruar në përputhje me të.
Edhe nëse mungesa e nënshkrimit nga eksperti dhe mungesa e certifikatës së tij do të përbënin pengesë për kualifikim, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të kishte kërkuar sqarime në lidhje me këtë çështje, pasi kjo mangësi në dokument, nuk cënon thelbin e dokumentacionit të nevojshëm për kualifikim.
Në pikën 4) me titull “Financiare (Bilanci i Konsoliduar), pretendohet se “Autoritetit kontraktues nuk i janë paraqitur të dhëna të domosdoshme për përllogaritjen e raporteve Aktivet Qarkulluese/Detyrimet e kërkueshme dhe Rezultati neto/Kapitali i vet për shoqërinë SAS SAKAR”. Në gjykimin tonë, justifikimi se “Autoritetit nuk i janë paraqitur qartë (...)” nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë konkretisht është e paqartë në dokumentet përkatëse. Duke u bazuar në kërkesat e kapacitetit ekonomik dhe financiar të përcaktuara në Seksionin III, Pika 1.2 të Dokumenteve standarte (fq. 11 nga 64), janë përgatitur dokumentet e paraqitura në ofertë. Konkretisht është paraqitur Bilanci Kontabël i Llogarive të Konsoliduara të Grupit SAS SAKAR për periudhën 10.10.2006 – 30.09.2007 (në lidhje me vitin financiar francez është bërë sqarimi në një dokument të veçantë lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Financave Publike sipas të cilit viti fianciar francez fillon më 1 tetor dhe përfundon më 30 shtator të vitit pasardhës). Në këtë Bilanc pasqyrohet gjendja ekonomike dhe financiare e grupit SAS SAKAR për vitin financiar të sipërpërmendur. Ky Bilanc është i certifikuar nga komisari i llogarive (eksperti kontabël) Z. Thierry LE GOURRIEREC, raporti i të cilit është nënshkruar më datë 30 Maj 2008. Mbi bazën e këtyre treguesve të këtij Bilanci, në raportin e tij të datës 30 Shtator 2008 eksperti kontabël ka llogaritur treguesit e mjaftueshmërisë të burimeve financiare të grupit SAS SAKAR. Konkretisht a) treguesin e mbulimit të detyrimeve korrente nga aktivet korrente (shkalla e rritjes së likuiditetit) i cili është 1.29 nga 1.2 deri 1.8 që kërkohet në Dokumentet Standarte; b) rentabiliteti financiar i grupit SAS SAKAR është 33.21% nga të paktën 10 % që kërkohet në Dokumentet Standarte.
Këto dy tregues shprehin se aktivet qarkulluese që mbeten të lira pas likuidimit të detyrimeve qarkulluese (9,967,322 EUR x 29% = 2,89 million EUR) janë të barabarta me 79% të vlerës së investimit fillestar (2,89 million EUR / 3,65 million EUR), nga të paktën 20% që kërkohet në Dokumentet Standarte.
Hollësisht për llogaritjen e këtyre treguesve janë dhënë sqarime në dokumentin e datës 17 Dhjetor 2008 (dokumenti i referuar në paragrafin e 2-të pikës 4 të kësaj Kërkese ankimore).
Në vijim të argumenteve tona të parashtruara më lart, edhe nëse Autoriteti Kontraktues do të kishte nevojë për sqarim të ceshtjeve të mësipërme, ai duhet ta kishte bërë këtë paraprakisht në përputhje me kërkesat e Vendimit për Koncesionet dhe jo të skualifikonte në mënyrë të pajustifikueshme ligjërisht këtë Ofertë.
Në lidhje me pikën 5) me titull “Të dhënat e pagesës së TVSH-së”, përsa i përket të dhënave në lidhje me TVSH-në, formularët janë bosh pasi shoqëritë përkatëse nuk kanë detyrim për pagimin e TVSH-së. Kjo është mënyra se si një formular i TVSH-së lëshohet nga Autorietet kompetente franceze dhe nëse kjo nuk ishte e mjaftueshme për Autoritetin, përsëri ky i fundit duhet të kishte kërkuar sqarime nga Ofertuesi.
Në lidhje me pikën 6) me titull “Stafi dhe mënyra e rekrutimit”, Autoriteti pretendon se Ofertuesi ka keqkuptuar interesin e Autoritetit “duke deklaruar pa njohur gjendjen e punonjësve aktualë të QKT-së, se ata do të përbëjnë jo më shumë se 10-20% të numrit të përgjithshëm pa i dhënë mundësi kualifikimi kësaj fuqie punëtore në përputhje me Kodin e Punës”. Kjo çështje ka të bëje me ofertën teknike dhe jo me dokumentacionin e kërkuar për kualifikimin ligjor, ekonomiko-financiar dhe teknik. Në lidhje me këtë pretendim, dëshirojmë t ju informojmë se sipas parashikimeve të Vendimit të Koncesioneve, Kreu IX, shkronja b), gjatë shqyrtimit të ofertave, në fillim shqyrtohet dokumentacioni ligjor dhe kualifikues dhe më pas oferta teknike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese. Bazuar në sa më siëpr si dhe në përvojën e konkurrimeve për koncesione, shqyrtimi i ofertës teknike nuk bëhet nëse ofertuesi skualifikohet për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të kërkuara për dokumentacionin ligjor dhe kualifikues. Në këto kushte, nëse Autoriteti kontraktues vërtet pretendonte se Ofertuesi Ankimues nuk kualifikohej ligjërisht, ai nuk kishte arsye për të shqyrtuar ofertën teknike të Ofertuesit. Kjo tregon parregullsi në shqyrtimin e çështjes nga ana e Autoritetit Kontraktues gjë që hedh dyshime për bazueshmërinë e procedurës së ndjekur. Kështu Autoriteti Kontraktues mund të ketë shqyrtuar edhe ofertën teknike të Ofertuesit Ankimues dhe në vend që të realizonte një krahasim të drejtë dhe ligjor ndërmjet ofertave, ka vendosur skualifikimin e Ofertuesit Ankimues duke shmangur konkurrimin e drejtë dhe ligjor të këtyre oefrtave si parim themelor i një procedure koncesioni.
Edhe sikur informacioni i marrë nga ky dokument të ishte i rëndësishëm për efekt të vlerësimit të ofertës, ky informacion nuk vjen ndesh me kërkesat aktuale të Dokumenteve Standarte. Ky informacion nuk përbën dokument skualifikues për efekte të kualifikimit ligjor, financiar apo teknik sipas kërkesave të Dokumenteve Standarte. Ai është pjesë e ofertës teknike të SAS SAKAR e cila ka propozuar mundësinë e mbajtjes së rreth 10-20% të stafit aktual pas mbarimit të afatit të kontratave të punës që ky staf ka nënshkruar (pas 1 viti). Ky është thjesht një parashikim i SAS SAKAR, për t u realizuar pas përfundimit të investimeve në vitin e parë të periudhës koncesionare. Në këto kushte, sipas këtij parashikimi, largimi i mundshëm nga puna i stafit aktual do të bëhet pas testimit të tyre sipas procedurave të kualifikimit të parashikuara në programin e paraqitur nga Ofertuesi.
Krahas argumenteve të paraqitura më lart, është për t u theksuar se Autoriteti Kontraktues nuk ka njoftuar Ofertuesin e Skualifikuar në gjuhën angleze si gjuhë e kërkuar zyrtare, krahas asaj shqipe, në Dokumentet Standarde. Kjo ka vështirësuar kuptimin e përmbajtjes së këtij Njoftimi si dhe të gjithë rrethanave që lidhen me të, nga ana e shoqërisë ofertuese.
Skualifikimi që i është bërë Ofertuesit Ankimues për shkaqe të pabazuara dhe që nuk cënojnë thelbin e vlefshmërisë së dokumentacionit për efekt të kualifikimit ligjor, ekonomikon-fionanciar dhe teknik (duke marrë parasysh edhe shkeljet prceduriale pasi nuk janë kërkuar sqarime gjatë procedurës së shqyrtimit të ofertave), nuk ka krijuar mundësinë që oferta teknike e Ofertuesit Ankimues të shqyrtohej dhe krahasohej me ofertën teknike të Ofertuesit konkurues i cili është renditur i pari në klasifikim.
Nga pjesëmarrja në proceduren e hapjes së ofertave dhe nga prcesverbali i mbajtur gjatë kësaj procedure, na rezulton sa vijon.
Konkuruesi tjeter, shoqëria Zvicerane SGS ne dokumentacionin e paraqitur prane MPPTT-së ka mangësi serioze të cilat përbëjnë shkak për skualifikimin e tij. Edhe sikur faza e kualifikimit të tij ligjor, ekonomikon financiar dhe teknik te kalohej me sukses, oferta e tij ekonomike qendron shume me pak e leverdisshme per shtetin shqiptar dhe qytetaret shqiptare (nisur nga formula e vleresimit) se sa oferta e Ofertuesit tone.
Se pari, dokumentet e kapaciteteve ligjore dhe teknik te Kompanise SGS jane jo te plota dhe te pa mjaftueshme.
Sipas procesverbali te mbajtur nga Komisioni i Vleresimit te Ofertave, me date 18 12 2008 dhe vezhgimit, qe ju be procesit te dorezimit te dokumenteve dhe hapjes se ofertes ne kete date, Shoqeria SGS nuk ka paraqitur ose ka paraqitur me mangesi dokumentet e meposhteme:
1. Statutin e Shoqerise (i paparaqitur)
2. Formularin e garancise se ofertes (i paraqitur me mangesi);
3. Raporti i monitorimit te mjedisit (i paparaqitur);
4. Certifikatat ISO te kontrollit teknik (i paparaqitur),
5. Certifikatat ISO te kualifikimit dhe edukimit te personelit ekzistues te SGS (i paparqitur);
6. License profesionale (jo i sakte).
Nga informacionet qe disponojme nga Franca, vend ne te cilin SGS zhvillon edhe veprimtarine e kontrollit teknik, shoqëria SGS nuk ka licensa profesionale. Ne keto rrethana, paraqitja e dokumentit te licenses profesionale prej SGS, eshte i dyshimte.
Se dyti, dokumentet teknike dhe financiare te Shoqërise SGS, qe shoqerojne zbatimin ne Shqiperi te projektit teknik, nuk jane te mjaftueshme si nga pikpamja sasioreashtu edhe nga permbajtja e tyre. Keshtu, SGS, nuk ka fare projekt teknik dhe raport te monitorimit ne mjedis. Ndersa studimi i fizibilitetit dhe plan-biznesi, nga SGS eshte bere ne materiale me nga 10 faqe sejcili, nga mbi 100-120 faqe, qe Shoqëria SAKAT SAS ka prezantuar.
Se treti, Oferta e prezantuar nga shoqeria SAS SAKAR ka epersi te dukshme ne krahasim me oferten e konkurentit, SGS.
Sipas llogaritjeve SAKAR SAS, nga 100 pike te mundeshme, ka grumbulluar rreth 92 pike, nga 74,6 pike, qe ka grumbulluar Konkurenti tjeter.
Se katerti, epersia e shoqerise “SAS SAKAR” ndaj konkurentit tjeter eshte edhe nga pikpamja e leverdishmerise ekonomike.
Pagimi i fee concesionare
Shoqeria “SAS SAKAR”, kete shifer e ka 7%, kundrejte 5% qe e ka SGS. Nga nje perllogaritje e thjeshte (7% / 5%), duket qarte se SAKAR SAS, cdo muaj do ti derdhe shtetit mesatarishte rreth 35-40% me shume te ardhura, nga sa do t i derdhe shoqeria “SGS”.
Sipas plan biznesit, duke mbledhur shpenzimet e llogaritur per pagimin e fee koncesionares per gjate gjithe periudhes se koncesionit, SAKAR SAS, parashikon te derdhe ne shtet rreth 1035 milion leke ose 8,4 milion euro (1€=123leke),ose 420 mije euro mesatarisht ne vit.
Tarifa e sherbimit
Shoqeria “SAS SAKAR”, ka parashikuar nje tarife sherbimi 9% me te ulet nga SGS (1800/1980), ose do te arketoje nga popullata per kryerjen e sherbimit te kontrollit teknik rreth 400 mije euro ne vit me pak krahasuar me SGS (300000 mjete mesatarisht ne vit x 198 leke shtese tarife).
Shoqeria “SGS”, edhe pse perfiton rreth 400 mije euro me shume te ardhura nga aplikimi i nje tarife sherbimi me te larte se i shoqerise “ SAS SAKAR” te projekteve te saj teknike, nuk deshmon nje ndryshim cilesor ne sherbimin e kontrollit teknik, qe parashikon te aplikoje ne Shqiperi. Perkundrazi shoqeria “SAS SAKAR”,nga materialet e prezantuara, krijon bindjen se do te beje nje pune serioze dhe me pergjegjesi ndaj shtetit dhe qytetareve shqiptare.
Qendra te reja te kontrollit teknik.
Shoqeria “SAS SAKAR” qe ne vitin e pare parashikon te ndertoje 4 qendra kontrolli teknik te reja, duke e shtrire sherbimin me afer qytetatereve, kundrejt 1 qendre te re qe nderton shoqeria fituese “SGS”.
Se fundi, duke i vleresuar ne teresi ofertat e te dy shoqërive, eshte e dukeshme epersia e SAKAR SAS, ndaj konkurentit te saje SGS. Per periudhen koncesionare, Shteti Shqiptar perfiton me shume kapitale dhe te ardhura dhe qytetaret paguajne me pak per sherbimin e kontrollit teknik duke shpallur fitues SAKAR SAS.
III. Deklaratë përmbyllëse e Ofertuesit Ankimues
Nga sa më sipër dëshirojmë të theksojmë sa vijon:
1. Autoriteti kontraktues përmes argumenteve të tij kontradiktore sa i përket paraqitjes së dokumentacionit nga Ofertuesi Ankimues, ka vendosur skualifikimin për arsye të cilat nuk cënojnë thelbin e vlefshmërisë së dokumentacionit për efekt të kualifikimit ligjor, ekonomiko-financiar dhe teknik;
2. Autoriteti kontraktues nuk ka kërkuar sqarime, si një kërkesë ligjore e procedurës konkurruese, në lidhje me shumë çështje të cilat sipas tij kanë qenë të paqarta. Kjo ka cënuar të drejtën e Ofertuesit për një proces të rregullt ligjor duke passjellë moskonsiderimin e ofertës së tij teknike, në dëm të një konkurrimi të drejtë dhe ligjor për zgjedhjen e ofertës më të mirë për këtë shërbim publik.
Bazuar në sa më sipër, kërkojmë:
1. Pranimin kërkesës ankimore;
2. Pezullimin e procedurës konkurruese;
3. Shfuzimin e plotë të aktit administrativ nr. 340/1 prot., datë 21 Janar 2009 lëshuar nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve;
4. Udhëzimin e Autoritetit Kontraktues për korrigjimnin e shkeljeve përpara vazhdimit të procedurave koncesionare.
Jemi në dispozicionin tuaj për të paraqitur pranë Autoritetit tuaj çdo dokument të kërkuar prej jush.
Jemi në pritje të seancës dëgjimore në lidhje me këtë kërkesë ankimore.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2009