“Akuzat që hidhen ndaj RTSH, të pabaza dhe të papërputhshme me fakte reale”
Reagon RTSH pas akuzave të kryetarit të PS-së
TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Radiotelevizionit kundërshtoi dje deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp theksohet, se akuzat që drejtohen ndaj RTSH-se janë të pabaza dhe nuk përputhen me faktet reale. “RTSH në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka censuruar as kryetarin e PS-se dhe asnjë nga drejtuesit socialiste, apo aktivitetet e kësaj force politike. Përkundrazi, në shumë raste aktivitetet e kryetarit të Partisë Socialiste janë pasqyruar të plota dhe në mënyrën që i ka sjellë zyra e shtypit e Partisë Socialiste”, thuhet në reagimin e RTSH-së.
Gjithashtu, bëhet me dije se monitorimi për muajin dhjetor i Edicioneve Informative nga ana e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit tregon se Partia Demokratike në mazhoranë ka zënë 67.88 minuta ose 13.69 për qind dhe Partia Socialiste në minorancë ka zënë 67.38 minuta ose 13.59 për qind. “Ndryshimi i kohës në total është vetëm 50 sekonda ose 0.10 për qind në favor të Partisë Demokratike. Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së siguron qytetarët se në punën tonë udhëhiqemi nga ligji dhe zbatimi i tij. RTSH u bën thirrje të gjitha forcave politike që të mos ndikohen nga artikuj gazetash apo opinione të televizioneve të caktuara, por t’i referohen monitorimeve të institucioneve që janë ngarkuar me ligj. Drejtoria e Përgjithshme e RTSH garanton edhe njëherë se do të zbatojmë ligjin dhe vetëm ligjin”, nënvizon Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit.
Reagimi i RTSH-ës, erdhi pas pretendimeve të kreut të PS-së për keqmenaxhim, sipas tij të këtij institucioni nga qeveria.
Në kushtet e paaftësisë së Edi Ramës, për t’u faktorizuar mediatikisht, me anë të një reagimi absurd dhe pa iu referuar shifrave që monitorojnë minutazhet përkatëse të pasqyrimet të forcave politike në televizion, ai hodhi shashkën e radhës, por këtë herë ndaj Televizionit Publik, duke e konsideruar atë si një televizion “antidemokratik dhe si konkurrenti më i pandershëm dhe më i dëmshëm në tregun e informacionit”.