E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet në Kroaci gomonia e tre peshkatarëve

Autori i Lajmit: red.
Gomonia me tre peshkatarët e zhdukur prej së dielës është gjetur dje në ujërat kroate. Policia kroate ka mundur të gjejë gomonen e tre peshkatarëve që u nis nga Vlora për të peshkuar. Deri më tani është bërë e mundur vetëm gjetja e dy prej tre personave që u nisën me gomone. Të zhdukur ishin, Romeo Purizio si dhe vëllezërit Niko dhe Sotir Golaj, por dje njëri prej tyre, Purizio u gjet i gjallë në breg të detit në ishullin e Mlejtit në Kroaci, ndërkohë që pak orë më pas, u gjet dhe trupi i pajetë i njërit prej vëllezërve Golaj. Kërkime intensive po bëhen në brigjet kroate për të gjetur peshkatarin e tretë, pasi aty u gjetën dhe dy personat e tjerë. Policia ka bërë të ditur se nuk ka ndërprerë për asnjë moment kërkimet në det dhe në tokë. Po ashtu janë duke u bërë kërkime të shumta dhe nga anijet shqiptare dhe ato të Malit të Zi.
Gomonia
Gomonia me 3 peshkatarët ka dalë në det që të dielën paradite. Ditën e martë bashkëshortja e njërit prej peshkatarëve amatorë ka sinjalizuar në polici moskthimin e bashkëshortit të saj. Romeo Purizio dhe dy vëllezërit Golaj janë të tre peshkatarët amatorë nga qyteti i Vlorës që ndodheshin në gomonen e humbur. Njëri prej tyre ka kontaktuar në telefon vazhdimisht me të afërmit e tij që ndodheshin në kapitenerinë e Vlorës për t u dhënë informacion. Dyshohet se një defekt në motor mund të ketë qenë arsyeja që gomonia nuk ka vazhduar lundrimin dhe më pas nga erërat është shtyrë në drejtim të Malit të Zi. Edhe dita e djeshme ka qenë një ditë e gjatë intensive sa u përket operacioneve të kërkimit për shpëtimin e 3 shtetasve shqiptarë. Operacionet të urdhëruara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare kanë vazhduar deri në rënien e errësirës, nga ajri, por pa rezultat.
Ngjarja
Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territoriale të Malit të Zi, në detin Adriatik. Kapineteria e portit të Durrësit bëri të ditur se gomonia mund të ndodhet rreth 35 milje larg bregdetit të Ulqinit. Policia bregdetare e Malit të Zi ka ndërrmarë një operacion kontrolli të ujërave territoriale, por deri tani nuk është identifikuar vendndodhja e gomones. Mësohet se ujërat territorialë po kontrollohen edhe nga lart nëpërmjet një helikopteri. Kapiteneria e portit të Durrësit konfirmoi se policia bregdetare e Malit të Zi pati kontakte telefonike me njërin nga personat në bordin e gomones. Personat në gomone kanë njoftuar se arrinin të shikonin në det një traget, i cili mendohet se ishte i linjës Ankona-Durrës. Kapiteneria e portit të Durrësit i ka dhënë urdhrin kapitenit të tragetit të ndërpriste udhëtimin dhe të mbikëqyrte zonën. Deri tani nuk ka asnjë shenjë të gomones, ndërsa ujërat po kontrollohen edhe nga një motovedetë dhe helikopter malazez. Edhe kërkimet me radarë nuk kanë dhënë asnjë shenjë për vendndodhjen e gomones.

Familjarët e vëllezërve Golaj kërkojnë ndihmë

Familjarët e dy vëllezërve që u zhdukën për disa ditë me një gomone në det bëjnë thirrje për vazhdimin e kërkimeve.
Ata mësuan se në Kroaci përveç Romeo Purizos është gjetur edhe një trup pa jetë që mendohet se ai është një nga vëllezërit Golaj që ndodhej në gomonen e tragjedisë. Mesditën e së premtes u njoftua nga policia kroate se është gjetur edhe gomonia. Bashkë me Romeon në mjetin lundrues ishin edhe Jani dhe Piro Golaj, 38 dhe 45 vjeç të martuar dhe me nga dy fëmijë. Tashmë është dita e pestë dhe shpresa për të gjetur të mbijetuar është zvogëluar, për shkak se gomonia është mbytur. Familjarët e dy vëllezërve kërkojnë ndihmë. Policia kroate pritet të konfirmojë identitetin e trupit pa jetë që u gjet të enjten, ndërsa i mbijetuari Romeo Purizo është duke u kuruar për shkak se ka qëndruar për ditë të tëra në det. Ndërkohë në ujërat malazeze dhe ato kroate vazhdon kërkimi për gjetjen e personit të tretë që ishte në gomone.

Trupi pa jetë, ende i paidentifikuar
Gjendet trupi i pajetë i njërit prej peshkatarëve të humbur 5 ditë më parë. Sipas burimeve, bëhet e ditur se trupi i përket njërit prej vëllezërve Golaj dhe është gjendur nga forcat kroate në brigjet e Kroacisë. Ndërkohë mësohet se kërkimet po vazhdojnë intensivisht për gjetjen e peshkatarit tjetër, që është vëllai tjetër Golaj. Lajmi është bërë i ditur nga policia malazeze, e cila ka pasur kontakte të vazhdueshme me forcat kroate. Nuk dihet ende fati i peshkatarit të tretë. Trupi u gjet në brigjet e Kroacisë, 30 milje larg Dubrovnikut, afër vendit ku u gjet i mbijetuari Purizio.

Peshkatari: “Gomonia u përmbyt nga dallgët”
I mbijetuari i gomones me peshkatarë nga Vlora ka bërë të ditur se gomonia e zhdukur është përmbytur nga dallgët. Sipas deklaratës së tij, konfirmohet prania e tre personave në gomone, por nuk jepet asnjë koordinatë e saktë në lidhje me vendndodhjen e dy peshkatarëve të tjerë. Purizio ka thënë se pas përmbytjes, të tre peshkatarët kanë rënë në det të hapur duke humbur njëri-tjetrin nga sytë. Romeo Purizio u gjet dje rreth orës 13:00 në afërsi të ishullit të Mlijetit në Kroaci. 43-vjeçari nga Vlora nuk ndodhej në gomone në momentet që u shpëtua, por në det të hapur. Peshkatari tjetër po kërkohet pikërisht në zonën ku u gjet shoku i tyre. Sipas komandantit, Purizio gëzon shëndet të mirë, përveç shqetësimeve të shkaktuara nga i ftohti dhe uria. Ai nuk ka mundur të komunikojë dhe të tregojë për fatin e dy peshkatarëve të tjerë, për shkak të gjendjes së rënduar.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›