E Shtunë, 31 Tetor 2026

2009, kemi tre zgjedhje plus një

HENRI ÇILI 

Kemi hyrë në vitin e elektoral 2009. Eshtë vit që shenjon maturimin e brezit të parë të tranziocionit, është viti që shënon meso-moshimin e rinisë së tranzicionit, është viti që shënon fillimin e plakjes së brezit të viteve ‘80, është viti që dërgon në pleqërinë e bardhë ose të sikletshme gjithë ç’mbetet. Në këtë kuptim, viti 2009, është viti i dilemave të shumëfishta. Duke vijuar Horoskopin 2009, të nisur në SHQIP-in e Rudina Xhungës, këtë të hënë, mund të themi që ky vit ka të paktën tre zgjedhje, plus një, për t’bërë nga shumica e pjekur e shqiptarëve, që kërkon t’i japë një fat të ri, në 20 vjetët e ardhshëm shoqërisë shqiptare.
Zgjedhja e parë e këtij është viti është Partia Demokratike dhe e djathta shqiptare, në të cilën kryeministri Sali Berisha është aktor kryesor, por jo gjithçka për të ardhmen. Partia që i ka sjellë demokracinë Shqipërisë dhe që ka dominuar me ulje-ngritje tranzicionin, vjen në finish të një mandati 4-vjeçar më të keq se pritej, por më të mirë nga çfarë dyshohej. Ardhja e dytë në pushtet, më 2005 e Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare, ka qenë thuajse një bast i pamundur për të, po të kemi parasysh mënyrën se si ajo iku nga pushteti më 2005, po të kemi parasysh opozitën e vështirë 8-vjeçare të saj dhe rilindjen e saj si një aleate e shumicës së shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005.
Nuk është as vendi e as koha për të bërë analizën e gjatë të mandatit të PD në pushtet, i cili tashmë e ka shprehur karakterin e vet plotësisht. Shpejt e shpejt shqiptarët ftohen në këtë qershor të votojnë një mandat të dytë si ky që po mbyllet, gjykimet mbi të cilin janë kontradiktore. Është mandati ndërprerjes së hajdutërisë socialiste që kulmoi me 2005, pa mundur fatkeqësisht të mbyllej si një mandat i duarve të pastra, po të kemi parasysh Gërdecin dhe çështjen e rrugës Durrës-Kukës apo fantazmën e lobistit që s’na duhet, Fazlliç. Është mandati i liberalizmit të thellë ekonomik në disa sektorë (biznesi, liberalizimi i lejeve dhe licencimet, inkurajimi i biznesit, ulja e taksave, formalizimi i ekonomisë, kushte të barabarta në tatime dhe dogana etj.) Është mandati i investimeve të mëdha në infrastrukturë, është mandati i uljes së taksave dhe sistemit liberal të taksimit (taksa e sheshtë). Është mandati i ndeshjes mes institucioneve, por gjithashtu mandati i një demokracie funksionuese, ku secili luftoi për pushtetin e vet dhe përgjithësisht pushtetet arritën t’i qëndrojnë përpjekjes për kontroll nga ana e qeverisë. Ky është mandati gjithaq i punëve të papërfunduara, i reformizmit të çalë dhe të mangëta, është mandati i reformave të ndrojtura në arsim dhe i reformave të munguara në shëndetësi. Është mandati i mbajtjes së pazgjidhur të disa prej plagëve dhe borxheve të vjetra të shoqërisë shqiptare: pronat, të përndjekurit politikë, kapitalizmi i munguar në fshat.
Është mandati i pushtetit personal të Sali Berishës dhe si i tillë, me të mirat dhe këqijat e tij, ky mandat po shkon i tillë në zgjedhje për tu gjykuar dhe për të kërkuar votat e shqiptarëve. Pa kujdesin për t’u fshehur, pa kujdesin për t’u makiuar, pa kujdesin për të premtuar diçka esencialisht të ndryshme nga mandati i parë. Në zgjedhjet votohet “PRO” ose “KUNDER” qeverisë në fuqi, kjo është parësore. Të tjerat janë dytësore.
Zgjedhja e dytë, është Edi Rama dhe Partia Socialiste. Eksperimenti më interesant i politikës shqiptare ka ardhur në kohën e provës. Rama, duke e mbrujtur me kujdes ashtu si edhe me çdo mjet, që prej 20 vjetësh, karrierën e vet publike dhe politike, do ta vërë atë në provën e këtij qershori. E majta shqiptare me Edi Ramën në krye nuk tremb më si e majtë komuniste apo ish–komuniste. Ajo është një e majtë e transformuar, bile më shumë se sa duhet për kritikët e të majtës. Me bilancin e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Rama kërkon një aprovim mbarëkombëtar të asaj që ai ka bërë prej 9 vjetësh në Tiranë. Ky aprovim ka avantazhin e zellit për ta shumëfishuar modelin dhe hezitimin për të pranuar që tani këtë model. Në përpjekje për t’u shndërruar nga model në “alternativën Rama”, ky i fundit vjen në provën për pushtetin të 2009 me një bilanc të akumuluar dhe me dyshime të akumuluara. Ky i fundit për shembull nuk i rezistoi dot tundimit për të siguruar që në tavolinë me armikun e tij Sali Berisha, porcione të pushtetit që nuk burojnë drejtpërdrejt nga vota e popullit, por që janë të tillë që nga tavolinë, pavarësisht popullit ose për të ose për kundërshtarin e tij Sali Berisha. Ndërsa është plotësisht bindës potenciali i tij transformues për vendin, është po aq bindës potenciali i tij për të ngushtuar hapësirën demokratike, në mos më shumë të paktën sa kundërshtari i tij Sali Berisha. Me Edi Ramën zgjedhja është e qartë: siguri për transformim e Shqipërisë, pasiguri për efektet qendrore apo anësore që do të ketë pushteti i tij potencial si kryeministër i Shqipërisë mbi demokracinë dhe liritë tona. 
Zgjedhja e tretë, është LSI dhe Ilir Meta. Kjo parti ka shansin historik, që prej prillit 2009 të bashkojë në një kauzën e vet për pushtet me kauzën për demokracinë shqiptare, për liberalizmin politike, me kauzën e një mekanizmi për të mbrojtur avantazhet e sistemit demokratik të deritashme në Shqipëri. Një “qytetari demokratike”, pavarësisht nga bindjet politike, por sidomos ajo qytetari gri, ka shansin të materializojë tek LSI dhe Ilir Meta në këto zgjedhje garancitë për të ekuilibruar sistemin politik, për të përfaqësuar tek ai dhe LSI dështimin e projektit oligarkik, të qëllimtë apo jo Ramës dhe Berishës, të cilët që me ndryshimet e 21 prillit e deri te Kodi Elektoral, duan të ndërtojnë një bi-partitizëm, jo nëpërmjet votës së popullit, por pavarësisht votës së tij, duke cituar në këtë ide të fundit, kolegun Blendi Kajsiu.
Zgjedhja e katërt dhe më e rëndësishmja, është ajo e zgjedhjeve të lira. Aktorët shoqërorë dhe trupa zgjedhëse në Shqipëri ka shansin në këtë zgjedhje të vulosë një herë e mirë vullnetin e kësaj shoqërie për zgjedhje të lira në këtë vend, më në fund, në finish të dekadës së dytë të tranzicionit. Ky është ideali dhe patetizmi i fillimit të vitit 2009. Ky na duhet para së gjithash. Tre zgjedhjet e tjera vijnë më pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›