E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonatë kreut të ujësjellësit: Këtë javë do të të ekzekutojmë!

 

ELBASAN - Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit me origjinë maqedonase denoncon në polici, se persona ende të paidentifikuar e kanë kërcënuar se do ta vrasin. Sipas policisë, drejtori i kompanisë “Elber” shpk, Atila Gjyladin, ka deklaruar se e kishin kërcënuar nëpërmjet telefonit se këtë javë do ta ekzekutonin. I trembur nga ky fakt, Gjyladin i është drejtuar për ndihmë uniformave blu, ku bëri edhe kallëzimin. Drejtori i përgjithshëm i “Elber” pas telefonatës është marrë në pyetje nga ana e agjentëve të krimeve ndaj personit. Ai ka pohuar se rreth orës 12:30 të së hënës, nga një telefonatë me një numër privat, personi e kërcënonte atë se do ta vriste gjatë kësaj jave. Pas denoncimit të bërë në polici, mësohet se Gjyladin është larguar menjëherë drejt Ohrit, aty ku banon edhe familja e tij. Policia bëri të ditur se dyshohet se shkak i telefonatës kërcënuese mund të jetë detyra e drejtorit, të cilën ai e mban prej shtatë vitesh. Policia dhe Prokuroria po bashkëpunojnë edhe me kompaninë celulare, abonent i të cilit është denoncuesi, me qëllim identifikimin e telefonuesit dhe vendosjen e tij përpara drejtësisë. Gjyladin mësohet se ka mohuar të ketë pasur konflikte të mëparshme në qytetin e Elbasanit. Ai është emëruar në këtë detyrë që në kohën kur “Elber” shpk., e menaxhonte një kompani gjermane, e cila pas vendimit të Këshillit të Ministrave u largua nga Shqipëria. Ujësjellësi i Elbasanit vijon të jetë në varësi të ministrisë përkatëse pas refuzimit, që i bëri bashkia për ta marrë gjatë vitit 2008.                   a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›