Taksat vendore, bizneset afat deri më 20 tetor
Bizneset që nuk kanë shlyer akoma detyrimet për 2008-ën do të kenë kohë deri më 20 tetor për të paguar këstin e fundit. Bashkia e Tiranës publikoi dje datat përfundimtare për pagesën e këtyre taksave. Sa i përket atyre që janë të prapambetur me detyrimet vendore, për këstin e parë, afati i fundit do të jetë data 20 prill i këtij viti. Ndërsa 30 qershori është caktuar për të larë këstin e dytë. Kësti i fundit duhet të shlyhet nga të gjithë bizneset e vogla brenda 20 tetorit. Sakaq Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore bënë të ditur se qytetarët duhet të paraqiten pranë kësaj drejtorie, duke filluar që nga data 10 prill. Në rast se nuk zbatohen këto afate, do të ketë një sërë penalizimesh. Kështu, nëse bizneset devijojnë me pagesat, do të gjobiten deri në 25% të vlerës së taksës. Ndërsa për të stimuluar subjektet është marrë edhe një masë lehtësuese. “Ata që i paguajnë të gjitha këstet brenda afatit përfundimtar, do të kenë 10% ulje të detyrimit fiskal”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore në Bashkinë e Tiranës. Në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor, për shkak të mungesës së adresës ose adresë e gabuar, qytetarët janë të detyruar të paraqiten detyrimisht pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, brenda muajit prill. Përllogaritja e Taksës Vendore të Biznesit të Vogël kryhet në mbështetje të nivelit të qarkullimit vjetor, të deklaruar nga Subjekti dhe niveleve të miratuara për çdo kategori aktiviteti nga Ligji dhe Vendimi i Këshillit Bashkiak. Qarkullimi deri në 2 milionë lekë ka nivel fiks për çdo kategori. Në rastet kur qarkullimi është më i madh se 2 milionë, niveli fiks deri 2 milionë + 1.5 % e vlerës së mesit të intervalit 2-8 milionë. Ambulantët vazhdojnë me kuotë fikse, pavarësisht nivelit të xhiros dhe llojit të tregtisë ambulatore. Ndërsa sa i përket subjekteve të transportit, vijojnë me kuotë fikse, por në raport me llojin e mjetit dhe shërbimit të transportit. m.sh
Datat e Bashkisë
10 prill fillon paraqitja pranë drejtorisë
20 prill kësti i parë
30 qershor kësti i dytë
20 tetor kësti i tretë