E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për ngrohjen në shkolla

 

Protestë për mungesën e ngrohjes në shkolla. Dje Lëvizja Rinore për Integrim tuboi te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, i cili mbahet edhe si një ndër shkollat më të mira të kryeqytetit, për të kërkuar zgjidhjen e këtij problemi. Në mënyrë demonstrative ata kishin marrë batanije me vete dhe shërbyen çaj të ngrohtë për nxënësit e këtij gjimnazi. Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruheshin parullat: “Edi dua ngrohje”, “Çaj dhe Batanije”, apo “Kam ftohtë”, të rinjtë e LRI janë solidarizuar me gjimnazistët e Tiranës. Në protestën e zhvilluar para Shkollës së Mesme “Petro Nini”, të rinjtë e LRI i kanë bërë thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të marrë masa urgjente në mënyrë që në gjimnazet e Tiranës të sigurohet ngrohja, duke theksuar se është e pamundur të merret dije në klasa që janë më të ftohta sesa qelitë e burgut. I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetarit të Bashkisë Eduard Shalsi. “Bashkia e Tiranës ka qenë e para që ka futur ngrohjen qendrore në shkolla”, tha Shalsi. Po kështu ai pohoi se investimi në këtë fushë është pjesë e buxhetit bashkiak të çdo viti. “Në një hark kohor prej katër vjetësh janë pajisur me sistem ngrohje 32 shkolla, 17 kopshte dhe 15 çerdhe”, vazhdoi ai. Ndërkohë Shalsi nuk heziton të shprehet ironik ndaj këtij fakti jo pak shqetësues, duke e quajtur kështu veprimin si shfaqje të shëmtuar të politikës së vjetër. Duke e pranuar fenomenin e mungesës së ngrohjes, ai tha se Ilir Meta në këtë mënyrë abuzon me shqetësimet reale të njerëzve. “Ilir Meta bën mirë të mos vazhdojë me bllokimin e buxhetit të ri të Bashkisë së Tiranës, për interesa që s’kanë të bëjnë me Tiranën, por të vijë e ta votojë atë sa më shpejtë, në mënyrë që ky shqetësim serioz të zgjidhet”, pohoi ai.                               m.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›