E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Hetim shpërthimit në Poliçan

 

Dhe pse e ka cilësuar pakujdesi njerëzore shpërthimin në Poli-çan, ministri i Mbroj-tjes, Gazmend Oketa, pohoi dje se Prokuroria do të hedhë dritë mbi shkeljet e rregullave të sigurimit teknik. Ai ka mbërritur në ish-kombinatin ushtarak, një ditë pas ngjarjes që i mori jetën punëtores 45-vjeçare dhe plagosi dy të tjerë. Oketa ka hyrë në ambientet e kombinatit, duke parë nga afër vendin ku shpërtheu djegorja mëngjesin e së martës. Ndërsa pak kohë më parë kishte vizituar e shprehur ngushëllimet në familjen e viktimës Suzana Kapxhiu.
Oketa: Të zbatohet rregullorja
Në masa të rrepta sigurie të marra nga Policia Ushtarake dhe pa praninë e mediave, ministri i Mbrojtjes ka kryer një inspektim në këtë kombinat. Mësohet se ai i ka tërhequr vëmendjen drejtuesve të kombinatit që nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik, duke lejuar ndezjen e një vatre zjarri në një zonë tejet të rrezikshme. Sipas specialistëve në këtë ambient, nuk duhet të lejohet as pirja e cigares e jo më të ndizet një zjarr, ashtu siç ndodhi duke provokuar humbjen e një jete. Burime jozyrtare nga brenda kombinatit pohojnë se ministri Oketa ka kërkuar nga drejtuesit e kombinatit që të dalin me një konkluzion përfundimtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Sipas tyre, brenda kombinatit punojnë rreth 25 punëtorë, një pjesë e të cilëve nuk janë të specializuar për demontimin e predhave. Ministri Oketa është shprehur në takimin që ka pasur me drejtuesit e kombinatit, se kërkon një zbatim të rregullores ushtarake dhe një disiplinë të lartë pune, për qëllimin e vetëm, shmangien e incidenteve apo tragjedive. Në këtë kombinat pritet që të nisë çmontimi i të gjithë municioneve që janë mbledhur në vend. Por, ndonëse sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky proces do të niste më vonë, punëtorë të kombinatit konfirmojnë se asnjëherë këtu nuk është ndërprerë demontimi i djegoreve të predhave.
Akuzat e
ish-përgjegjësit
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të kësaj uzine, njëkohësisht ish-përgjegjës i sigurimit teknik, Fatos Mançe, ka pohuar për gazetën se në atë poligon është punuar rregullisht, pa asnjë ditë ndërprerjeje për çmontimin e djegoreve, edhe me 2 punëtorë të vetëm, gjë që nuk lejohet sipas rregullores. Sipas Mançes, në atë poligon me rrezikshmëri të lartë për jetën duhet të punonin të gjithë ata specialistë që kanë vite që merren me prodhimin, montimin dhe mbylljen e djegoreve. Ai ka hedhur akuza mbi drejtuesit e kombinatit, duke pohuar se ushtarët dhe administrata nuk komandohen nga Ministria e Mbrojtjes, por nga civilë. Në deklaratën e tij, ish-përgjegjësi në vitet 2003-2007 akuzon direkt drejtorin e Kombinatit, Myqerem Xhaferri.
“Më vjen shumë keq që drejtori i ujësjellësit gjatë kohës që shpërtheu epidemia e ujit në qytetin e Poliçanit vihet drejtor kombinati dhe përfundon me një vrasje tragjike në qytetin e Poliçanit”, tha dje Fatos Mançe. Një tjetër punëtor i vjetër i kësaj uzine ka pohuar se ngjarja e ndodhur nuk mund të kalohet pa nxjerrë përgjegjësit e saj, duke filluar nga drejtoria e deri tek përgjegjësit e sigurimit teknik. Ai është shprehur se janë flakur në rrugë të gjithë specialistët e vjetër të kësaj uzine, të cilët janë zëvendësuar me punonjës të paspecializuar.
Pas ngjarjes së rëndë në Poliçan, fjala e fundit i ka mbetur Prokurorisë, në lidhje me rrethanat në të cilat ndodhi shpërthimi dhe nëse ishin zbatuar apo jo rregullat e vendosura për kushtet teknike.

Guri: Të largohet drejtori
Një tjetër reagim publik pas ngjarjes në Poliçan erdhi dje nga Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes dhe Rendit të Shqipërisë, Vladimir Guri. Sipas Gurit, shkaku i tragjedisë së ndodhur është mungesa e sigurisë teknike, sepse në një uzinë ushtarake është e ndaluar rreptësisht të krijohet një vatër zjarri. “Duhet patjetër të zbardhen përgjegjësit e kësaj tragjedie”, deklaroi Guri. Sipas tij, drejtori i Kombinatit duhet të kishte dhënë dorëheqjen, ndërkohë që organi i drejtësisë të hetojë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje tragjike. “Ne si sindikatë i jemi drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 2 muaj më parë, ku kemi kërkuar largimin e drejtorit Myqerem Xhaferri, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh”, pohoi Guri.             d.xh

Ngushëllime në familjen e viktimës, ministri Oketa premton mbështetje

POLIÇAN – Vizita e parë e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, paraditen e djeshme ishte në shtëpinë e viktimës së tragjedisë në Poliçan, Suzana Kapxhiu. Ajo ka lënë jetimë 2 fëmijë, pas vdekjes së të shoqit disa muaj më parë. Punonjësja e Kombinatit të Armëve mbeti e vdekur në vend nga shpërthimi i djegores së predhës, në momentin kur bashkë me kolegë të saj ndezi një zjarr për t’u ngrohur. I shoqëruar në këtë vizitë ngushëllimi, Oketa shoqërohej nga prefekti Beratit, Thoma Rumniçi dhe kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka. Pasi u ka shprehur familjarëve të viktimës ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre, Oketa pohoi se kjo ngjarje ka shqetësuar institucionin e ministrisë dhe të qeverisë dhe do të ketë hetim për të zbardhur nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurimit teknik. Ministri ka premtuar mbështetje financiare për familjen e viktimës dhe të të plagosurve. Ditën e tragjedisë, Bashkia e Poliçanit vendosi akordimin e një fondi të posaçëm për familjen e Suzana Kapxhiut dhe Adriatik Hysenbelliut. Gjithashtu, bashkia ka mbuluar të gjithë shpenzimet mortore të familjes Kapxhiu.                           d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›