Topi nis konsultimet për ligjin e Dosjeve,edhe 7 ditë afat për kthimin në Kuvend
ADI SHKEMBI
Presidenti Bamir Topi do të vendosë brenda një jave nëse do të dekretojë apo do kthejë për rishqyrtim në Parlament ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Prej fundit të muajit dhjetor, kreu i shtetit është duke u konsultuar me një grup ekspertësh për ligjin e ardhur nga Parlamenti dhe që ka të bëjë pikërisht me hapjen e dosjeve të zyrtarëve që kandidojnë për poste të larta në administratën shtetërore. Pas kritikave të shumta të ndërkombëtarëve për draftin e paraqitur nga maxhoranca, Presidenti po e shqyrton në detaje ligjin dhe nuk përjashtohet mundësia që ai ta rikthejë për rishqyrtim në Parlament. Ligji për hapjen e dosjeve u miratua në Kuvend të hënën e 22 dhjetorit vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk pranoi të jepte konsensusin për atë draft. Ndërkohë, pas miratimit, ligji i është paraqitur Presidentit Topi për dekretim në datën 26 dhjetor. Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit ka 20 ditë kohë për ta shqyrtuar dhe për të dhënë mendimin e tij, sikundër me kalimin e këtij afati mund ta lërë të miratohet në heshtje. Gjatë debatit dymujor që pasoi miratimin e ligjit të dosjeve, kreu i shtetit u prononcua vetëm njëherë publikisht. Gjatë një ceremonie në qendrën e të Moshuarve, Topi tha se “në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht, që ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale”. Ndërkohë, thirrjet në një zë të komunitetit ndërkombëtar për të mos e miratuar ligjin e dosjeve, për shkak se bie ndesh me Kushtetutën, duket se ka shtyrë kreun e shtetit që të analizojë deri në detaje këtë ligj, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e rikthimit të tij në Parlament, çka do të shënonte precedentin e tretë (pas kthimit të disa ndryshimeve në ligjin e legalizimeve dhe Kodit Zgjedhor) që nga momenti i marrjes së postit më të lartë të piramidës shtetërore. Ambasada amerikane u shfaq që në fillim të këtij debati e prerë në qëndrimin e saj për të mos e miratuar këtë ligj, pasi sipas saj drafti ngre probleme serioze kushtetuese. Në të njëjtën kohë edhe ambasada britanike, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ODIHR i kërkuan maxhorancës të mos nxitohet me miratimin e këtij ligji dhe të marrë konsulencën e duhur ndërkombëtare. Por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të huaj, maxhoranca u shfaq e vendosur në qëndrimin e saj dhe të hënën e 22 dhjetorit me 74 vota miratoi në Kuvend variantin e saj për hapjen e dosjeve. Një ditë para votimit të ligjit, Kryeministri Berisha u përplas publikisht me SHBA-në, pas një telefonate të ndihmës-sekretarit të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried, i cili i kërkoi që ligji të mos kalonte. 24 orë pas miratimit të draftit në Kuvend, komuniteti ndërkombëtar reagoi sërish. Zëdhënësi Shon Mekormek tha se “procesi i ndjekur për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave, ka dhënë arsye për shqetësime nga pala amerikane. Shtetet e Bashkuara ia kanë shprehur këto shqetësime qeverisë shqiptare dhe pikërisht ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried, bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë për këto shqetësime”.
PD akuzon kreun e PS: Rama, lustraxhiu i Sigurimit të Shtetit
Partia Demokratike ka reaguar dje pas botimit të një skice që mban firmën e kreut të PS-së, Edi Rama. Sipas zëdhënësit të selisë blu, Gerti Bogdani, “sot shtypi i përditshëm boton dokumente autentike, të cilat faktojnë Edi Ramën si lustraxhiun e sigurimit të shtetit. Skicat dhe shkarravinat e tij të botuara sot, të periudhës së rinisë së tij, nuk janë marrë nga gazeta e kontrolluar e Lidhjes së Shkrimtarëve, por nga revista e sigurimit të shtetit”. Bogdani tha se, “kështu Edi Rama ilustron në këtë revistë me skicat e tij luftën kundër diversantëve, kundër imperializmit amerikan dhe armikut të klasës. Ky është një dokument që fakton lidhjet e Edi Ramës me sigurimin e shtetit në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij ekzekutoheshin nga arma e sigurimit, pasi guxonin të përmendnin fjalët dhe të drejtat e njeriut”. Zëdhënësi i selisë blu theksoi se ky dokument i botuar në media fakton lidhjet e kreut të Partisë Socialiste me sigurimin e shtetit. “Të tjerat do të bëhen të njohur në ditët në vazhdim, derisa Rama për shkak edhe të ligjit të dosjeve dhe lidhjeve të tij me sigurimin të ndahet një herë e mirë me politikën shqiptare”.
Ligji i ri, analizë komunizmit
ADI SHKEMBI
Pas miratimit të ligjit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë, qeveria bën gati ligjin për ngritjen e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave për këtë vit, Kryeministri Berisha u shpreh se ky institut ka si qëllim edukimin e shoqërisë dhe të ndihmojë atë në ruajtjen e kujtesës për ato që përjetoi gjatë sistemit komunist. Sipas nenit katër të këtij ligji, detyrë kryesore e Institutit do të jetë të studiojë dhe vlerësojë objektivisht periudhën e regjimit komunist si dhe të identifikojë aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara nga institucionet shtetërore, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të sistemit. “Instituti studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit. Këtu është zgjeruar në fakt koncepti i sigurimit në siguri të shtetit. Brigadat e ndjekjes kanë ekzekutuar pa gjyq me qindra e qindra qytetarë”, thuhet në një prej paragrafëve të nenit 4 të këtij ligji. Në të njëjtën kohë, një tjetër detyrë e rëndësishme e Institutit do të jetë edhe analizimi i rrugëve përmes të cilave u vendos regjimi komunist në Shqipëri, si dhe personat shqiptarë apo të huaj që ndihmuan në ardhjen e këtij regjimi. “Instituti ka për detyrë të informojë publikun mbi krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist”, thuhet gjithashtu në ligjin e diskutuar dje në qeveri. Në pjesën e parë të mbledhjes, Kryeministri Berisha iu përgjigj edhe kritikave, sipas të cilave këto hapa të ndërmarra nga maxhoranca janë të vonuara. Për këtë ai solli në vëmendje dy raste të vendeve anëtare të BE-së, Çekisë dhe Rumanisë, të cilat e kanë ngritur Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit vetëm dy vjet më parë. “Për ata të cilët mendojnë se kjo nismë është e vonuar, dua t’u them se një institut të tillë që ne po e ngremë tani, Republika Çeke e ka ngritur në vitin 2006, Rumania gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian e ka ngritur në vitin 2007. Do të ishte mirë ta kishim bërë më parë. Asnjë vend në Evropë nuk ka pasur këtë shkallë të tmerrshme të dhunës e represionit që ka pasur Shqipëria, ndaj nuk është aspak vonë për këto vendime”, u shpreh dje Kryeministri Berisha. Duke iu rikthyer edhe njëherë krimeve të sistemit komunist, kreu i qeverisë tha se “të gjitha këto nuk janë një e shkuar e largët, por një e shkuar e afërt 20-vjeçare. Ajo çka është jashtëzakonisht e dhimbshme, është se këto 18 vjet liri nuk kanë ngritur ende ndjenjën e faljes e të pendesës. Shpeshherë të krijohet përshtypja se ende ka jo pak që thonë mirë ua bënë, sepse shoqëria qe tërësisht e ndarë në ne dhe ata, në armiq dhe mbështetës e konformistë. Kjo është e vërteta”.
Instituti kryen detyrat si më poshtë
Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist;
Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit. Këtu është zgjeruar në fakt koncepti i sigurimit në siguri të shtetit. Brigadat e ndjekjes kanë ekzekutuar pa gjyq me qindra e qindra qytetarë;
Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij, në rrafshin historik;
Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist;
Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga perëndimi, pamundësinë për t’u informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, kartave të ushqimit, urisë së krijuar dhe pasojave të saj.
Të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist;
Të publikojë e të përhapë materiale të shkruara në letër e rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri;
Bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës lidhur me objektin e punës së Institutit;
Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve informacion të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.
Konkurs ndërkombëtar për obeliskun e viktimave
Në mbledhjen e djeshme Kryeministri Berisha i ka kërkuar ministrit të Kulturës, Ylli Pango, të hapë konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku në Tiranë, për nder të viktimave të sistemit komunist. “Ministria e Kulturës do të hapë një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, të rinj, të moshuar, të cilët u martirizuan për këto liri që ne kemi e gëzojmë sot. Ata nuk qenë qytetarët që u konfirmuan, por që qëndruan dhe në mënyrën e tyre ata dëshmuan rezistencën ndaj regjimit”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ligji pritet të kalojë së shpejti në qeveri dhe më pas do të shkojë në Parlament për t’u miratuar. Gjithashtu Kuvendi do të miratojë një ligj për ngritjen e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste. Sipas kreut të ekzekutivit, në muze do të gdhenden emrat e qindra mijëra qytetarëve që u martirizuan gjatë periudhës së regjimit. Në të njëjtën kohë, Berisha i kërkoi ministrit Pango që në 20 shkurt Muzeu Kombëtar të organizojë një ekspozitë për dhunën e sistemit të kaluar në Shqipëri. Duke u ndalur te 20 shkurti, kreu i qeverisë u shpreh se pas propozimeve të shumta u vendos që të shpallet pikërisht kjo dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist. “20 shkurti ka një moment tjetër gjithashtu, jehonën botërore. Bota priste pikërisht këtë. Ata na ndihmuan, por sërish diktatori, në qendër të sheshit ‘Skënderbe’, ishte një provë jashtëzakonisht e rëndësishme e opozitës shqiptare, të cilën ajo duhet ta kapërcente me sukses”, theksoi më tej Berisha.