E Shtunë, 31 Tetor 2026

2009, pagesat për invalidët, në bazë të dëmtimit

Vitin e ardhshëm, pagesat për personat me aftësi të kufizuara do të bëhen në bazë të dëmtimit të gjithsecilit dhe jo në mënyrë të përgjithësuar. Lajmi është konfirmuar dje në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara nga Ministria e Shanseve të Barabarta. Në këtë ditë, edhe Ministria e Shëndetësisë ka zgjedhur të inaugurojë repartin e ri të fizioterapisë. "Gjatë vitit 2009 ne do të fillojmë një projekt të ri, me mbështetjen e Kooperacionit Zviceran në Qendrën e Zhvillimit të Personave me Aftësi të Kufizuar në Vlorë dhe në njësinë e specializuar të Universitetit të Vlorës. Po ashtu, sapo është përfunduar një studim për të filluar një proces të ri, me qëllim rivlerësimin e aftësisë së kufizuar, për ta detajuara atë sipas rëndesës së sëmundjes, kriter kryesor për diferencimin e pagesave për këtë kategori", tha dje ministri i Punës, Anastas Duro.

Me paketën e miratuar në korrik të këtij viti përfitojnë 120 mijë të verbër, si dhe invalidë pune. Kjo paketë kapte shifrën e rreth 500 milionë lekëve. Në korrik pagesa e paaftësisë u rrit në 8700 lekë, në masën 33% pësoi edhe paketa higjieno-sanitare për para e tetraplegjikët. Po ashtu u rrit 50% më shumë subvencionimi i karburantit për invalidët e punës. Sakaq, dje në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara në universitetin "Zonja e Këshillit të Mirë" u përurua qendra e rehabilitimit dhe fizioterapisë, e para e këtij lloji.

Me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor, MSH ka marrë përsipër rikonstruksionin dhe ndërtimin e disa qendrave komunitare për këtë kategori të sëmurësh. Për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj personave me aftësi të kufizuar, lidhur me prodhimin dhe mirëmbajtjen e protezave dhe ortezave, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë miratuar fonde për ndërtimin e një reparti për prodhimin e protezave dhe ortezave pranë Spitalit Ushtarak.

Personat me aftësi të kufizuara, të cilët jetojnë në vendin tonë, kanë probleme, duke nisur nga infrastruktura, punësimi apo trajtimi. Numërohen me gishta ato institucione të cilat kanë një infrastrukturë të përfshirë dhe kushtet për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa janë edhe më të paktë në numër ata persona të cilët janë të punësuar si në administratën shtetërore, ashtu edhe në privat. Një nga iniciativat e publikuara dje ishte edhe mbyllja e projektit 5-vjeçar, që kishte si qëllim pajisjen me karrige me rrota të 180 personave me aftësi të kufizuar.

Punishtja "Mirësia", e cila prodhon karrige me rrota, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë, ka punësuar pesë persona me aftësi të kufizuara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›