E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis restaurimi për pesë monumente kulture

Pesë projekte rivitalizuese, me vlerë 12 milionë lekë, janë ndërmarrë nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare e Sarandës, 6 muaj pas strukturimit të saj si institucion rajonal. Të tilla janë ndërhyrjet restauruese që janë duke u bërë këtë fundviti në disa prej monumenteve të konsideruar të rëndësishme në rajonin e Sarandës dhe Delvinës. Restaurimi ka nisur nga qendra e qytetit, ku gjendet bazilika dhe sinagoga hebraike, për të krijuar një zinxhir ndërhyrjesh në manastirin e 40 shenjtorëve, që i ka dhënë emrin qytetit, në manastirin e Shën Nikollit në Mesopotam, në kompleksin islamik të Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës, si dhe në kishën e Peshkëpisë në Krekez të bregdetit të Sarandës.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Ilir Papa, tregon për prishjen që i është bërë një pjese të murit që rrethon monumentin e bazilikës e sinagogës dhe zëvendësimin e kangjellave të vjetra e të dëmtuara, shtimin e gjelbërimit dhe shkallëve që të çojnë në të. Ndërhyrjet në të vlerësohen brenda projektit të madh për një prezantim të ri që po i bëhet krejt qendrës së Sarandës. Ndërkohë, manastiri i 40 shenjtorëve, i cili i ka dhënë emrin qytetit, pas gërmimeve të fundit të kryera nga grupi i arkeologëve, do të jetë më i mbrojtur nga hyrja spontane e banorëve dhe e bagëtive të fshatit Gjashtë, pasi do të kryhet rrethimi, i shoqëruar edhe me gjelbërim. Gjithashtu do të hapet traseja e një rruge këmbësore, që do ta lidhë këtë monument me qytetin. Për manastirin e Mesopotamit, drejtori Papa thotë se kjo është faza e parë e një projekti madhor dhe afatgjatë që do të aplikohet në të. Punimet e tanishme, sipas tij, konsistojnë në rehabilitimin e kubesë dhe mureve të manastirit, në pjesët ku ka pësuar dëmtime e çarje dhe bërjen e tij të qëndrueshëm nga ana ndërtimore. 3 km larg nga qyteti i Delvinës gjendet kompleksi islamik i Gjin Aleksit, në fshatin Rusan. Edhe atje po duket dora e mjeshtërve restaurues të monumenteve, duke bërë rehabilitimet e nevojshme në brendësi të xhamisë, si dhe në dyshemenë e suvatë e saj të dëmtuara nga koha.

Projekti i pestë përfshin kishën e Peshkëpisë në Krekez të zonës së Bregdetit të Sarandës. Drejtori Papa vlerëson se kemi të bëjmë me një monument me vlera unikale në vend e madje në Ballkan, duke veçuar dyshemenë e saj të dekoruar dhe elemente të tjera. Ai thotë se nga drejtoria rajonale që ai drejton ka kërkuar të shpallet monument kulture e t‘i shtohet inventarit të 115 të tillave, që numëron rajoni i Sarandës dhe Delvinës.

Ndërhyrjet që janë duke u bërë te këto pesë monumente të rëndësishme, kanë nisur në këtë kohë pasi ka më pak flukse turistike. Restaurimi që është duke u kryer në këto monumente kap vlerën e 12 milionë lekëve të vjetra, mundësuar nga një fond i veçantë i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›