E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperi-Itali, koha e "dashurise" ekonomike

Në fillimvitet ‘90 të shekullit të kaluar, një grup prokurorësh të Milanos, me në krye Borellin dhe Di Pietron, me procesin "Duar të Pastra" fundosën një klasë politike të bazuar në spektrizimin ideologjik dhe fetar, që e kishte bërë Italinë fuqinë e pestë ekonomike në botë, duke i dhënë rrugë lindjes së klasës politike që ne njohim sot. Po në këto vite, Shqipëria dilte nga izolimi 50-vjeçar, duke rigjetur vendin e vet në Evropë dhe duke rivendosur lidhjet organike me fqinjin e saj të përtej detit.

Të dyja këto ngjarje i përkasin kronikës së shkuar, por nëse për ne shqiptarët kjo periudhë ka qenë rritje dhe integrim, shoqëria italiane nuk e ka marrë ende veten nga shoku i pësuar ato mote. Kjo është reflektuar në ekonomi, ku vendi ka vite që vuan nga ritmet e ulëta të rritjes, duke zbritur në vendin e shtatë si fuqi ekonomike botërore. Italia, që prej 15 vitesh, po përpiqet të riorientojë shumë vektorë të zhvillimeve të saj dhe të ridimensionojë politikat, procese që e kanë detyruar të kalojë ngërçe të shpeshta institucionale, politike dhe ekonomike. Padyshim që është një fuqi e madhe, por sot garuesit nuk janë më shtatë, por njëzet, nga të cilët një pjesë e madhe janë të pamëshirshëm dhe gati për të të vënë stërkëmbëshin. Automobilat "Fiat" dhe "Alfa-Romeo", kompjuterët "Oliveti", helikopterët "Augusta", nuk kanë më treg të sigurt dhe Italia çan tregjet sot më lehtë me "Armanin", "Valentinon", "Paciotin", "Cavallin" e produkte të industrisë ushqimore.

Nëse lexojmë historinë e vonë, do vërejmë se qeverisja e Romano Prodit, për shkak të shumicës së brishtë dhe oponencës së aleatëve, vonoi ndërtimin e shumë veprave të mëdha si trenit të shpejtësisë së lartë, i cili e bënte pjesë organike të Evropës dhe parqeve me energji eolike, për shkak të oponencës së ambientalistëve; ndërtimin e degazifikatorit në Brindisi, për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë e provincës dhe mosprodhim të energjisë bërthamore të ndaluar si opsion nga referendumi i mbajtur pas ngjarjes së Çernobilit. Aktualisht, Italia është vendi që i kushton më shtrenjtë energjia në BE, pasi rreth 80% të saj e importon dhe ky fakt është një frenues tjetër për startimin e ekonomisë, ndaj e ka urgjent prodhimin për llogari të saj të energjisë.

Mazhoranca aktuale është e sigurt në numrat e saj në Parlament dhe mund të ndërmarrë reformat modernizuese institucionale, sociale dhe në infrastrukturë, aq të nevojshme që Italia të vazhdojë të mbetet kompetitive. Por që të realizojë investimet e sipërpërmendura, Berluskonit i duhet të marrë aprovimin e opozitës, së cilës vërtet nuk ia ka nevojën në Parlament, por në pushtetin e rajoneve dhe provincave, e majta ka shumicë dërmuese dhe mund t‘ia bllokojë projektet. Me prurjen e tyre dhe realizimin në territorin shqiptar, qeveria e Berluskonit kursen sherret dhe fiton kohë të përshkojë një rritje më të madhe ekonomike deri në fund të mandatit. Gjithashtu, në këtë mënyrë krijon infrastrukturën e nevojshme për një zbarkim në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor të investitorëve italianë, të cilët fillimisht zbarkuan në Rumani e Bullgari, por me hyrjen e tyre në BE, kanë filluar të përjetojnë shtrenjtimin e fuqisë punëtore lokale.

Ky impas mirëkuptimi i pushteteve në Itali, padyshim që është një fat për Ballkanin, pasi këto fonde do derdhen në rajon. Është e domosdoshme të jemi tërheqës në këto momente, që këto investime të kanalizohen në Shqipëri, vendi që Italia vërtet e preferon, por nuk mund të humbasë kohë në pafundësi dhe mund t‘i kanalizojë në shtetet fqinjë në rajon. Nëse pala jonë tregohet serioze në bashkëpunim, do ketë përfitime, jo vetëm në planin material, por edhe të kualifikimit të forcës punëtore, zhvillimit të infrastrukturës dhe, mbi të gjitha, integrimin e Shqipërisë në një nga ekonomitë më të zhvilluara të planetit. Mbetet të kërkojmë që teknologjitë që do instalohen të jenë të parametrave që përdoren në Itali. Nëse investimet do jenë të standardeve bashkëkohore, nuk ka asgjë për t‘u shqetësuar. Jo më larg se në Bari, një ndër qytetet italiane më të pastër ekologjikisht, termocentrali është i instaluar në mes të qytetit; ndërsa në Gjenova funksionon i vetmi degazifikator në territorin italian, si dhe një rafineri nafte, por kjo nuk e pengon rivierën ligure të jetë një nga më të bukurat në botë.

Për sa i përket energjisë eolike, le të shpresojmë që investimi të realizohet sa më parë, jo vetëm si energji e pastër, por edhe si një përvojë e avangardës. Është e vërtetë që në Evropë shpesh ka një kontestim, duke i akuzuar për ndotje peizazhi këto aparate, por në rastin e Vlorës do jenë më të bukura se anijet e mallrave që ankorohen në port. E vetmja frikë është që kjo iniciativë të mos rezultojë një blof e të përfundojmë me elika që vërtiten kot e s‘prodhojnë asgjë, siç ka ndodhur kohët e fundit në Itali, pikërisht me firmat siciliane që operojnë në këtë fushë.

Në politikën e jashtme të shtetit italian ndihet nevoja e një ofensive diplomatike, pasi vendi ka nevojë për hapësirë tregjesh. Ky ka qenë edhe një objektiv i vazhdueshëm i Berluskonit në të gjitha mandatet që ka pasur. Në Ballkan, porta natyrale dhe e gatshme për bashkëpunim është ish-kolonia e saj e dytë dhe e fundit: Shqipëria, aleate natyrore dhe me një ndjenjë të spikatur filo-italiane. Këtë e dinë italianët dhe jo më kot, ambasada e dytë për nga madhësia që kanë në botë është në Shqipëri. Shumica e infrastrukturës kryesore të vendit është ndërtuar ose po ndërtohet me fonde italiane. Partneri kryesor ekonomik është po ajo dhe ka hapur dyert për 500 mijë emigrantë, që janë edhe burimi kryesor i të ardhurave nga emigracioni.

Vetëm nga hapja e vendit tonë, Pulia ka pësuar një zhvillim ekonomik të pakrahasueshëm me rajonet e tjera të jugut italian. Nëse bëhen realitet investimet e sipërcituara, jo vetëm Ballkani Perëndimor, por edhe vetë jugu i Italisë do përjetojë një bum të ri ekonomik.

Të shpresojmë se këto investime do jenë edhe një motivim më i madh për italianët, që të ushtrojnë presion për futjen në BE të një vendi, tek i cili kanë investuar (dashuria është edhe interes). Është absurde që anëtarë minorë në krahasim me peshën italiane në BE sponsorizuan pranimin e vendeve ku kishin ndikim kulturor, si Letonia, Lituania, Estonia dhe Qipro, megjithëse të ardhurat e shumë prej tyre nuk ishin në nivelin për të qenë anëtarë, ndërsa Italia nuk ka mundësi të hapë rrugën e Shqipërisë!!! Vizita e çdo kryeministri italian të radhës tregon që dëshira ekziston. Duhet vetëm ca më shumë vullnet dhe "tualet" (të bëhemi atraktivë). Italia ka një mik në Ballkan, por është shumë e madhe dhe shikon larg. Ne që jemi të vegjël, nuk duhet të rrimë asnjë minutë pa e ndukur nga mënga e xhaketës. Për ta kujtuar...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›