2010 do të jetë vit i Milanit

Ylli brazilian Ronaldinho ka zbuluar planet e tij për vitin 2010, përfshirë ambiciet për një vend në Kampionatin botëror. Sulmuesi i Milanit synon të fitojë tituj të rëndësishëm në fund të këtij sezoni dhe pret që viti 2010 të jetë triumfues.
“Viti, i cili është në përfundim, ka qenë shumë pozitiv për mua dhe Milanin”, tha Ronaldinho për të përditshmen sportive italiane Corriere dello Sport. “Ndërsa viti 2010 do të jetë edhe më i mirë. Dua të fitoj në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.
Milan do të jetë konkurrent në të dyja frontet deri në fund”, shtoi ai. Viti 2010 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin se do të zhvillohet Kampionati botëror në Afrikën e Jugut dhe Ronaldinho është optimist se do të jetë pjesë e Kombëtares braziliane.
“Po, ëndërroj të shkoj në Kampionat botëror. Por, nuk dua të fitoj një vend vetëm duke folur rreth tij. Dua që faktet të flasin për vete në mënyrë që të meritoj ftesën”, përfundoi ai.