E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010, rritja ekonomike për Shqipërinë vetëm me 1%

VJENë- Shkalla e rritjes ekonomike për vendin tonë gjatë këtij viti do të jetë vetëm 1%. Ky është parashikimi i bërë nga Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare, një organizëm i specializuar për analizat ekonomike. Sipas këtij parashikimi ky vit do të jetë shumë më i vështirë në aspektin ekonomik se ai që lamë pas.

Në raportin e fundit të këtij Instituti theksohet se shkalla e rritjes ekonomike në Republikën çeke, Sllovaki, Slloveni dhe Shqipëri do të jetë më pak se 1 për qind. Sipas institucioneve ndërkombëtare, vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, e cila përllogaritet në 3 deri në 4 për qind. Por në gjysmën e dytë të vitit dhe dy muajt e parë të 2010-ës, një sërë treguesish zyrtarë, dëshmojnë se ekonomia ka hyrë në një fazë të fortë ngadalësimi, e cila po reflektohet me rënie të ndjeshme të konsumit, rrudhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe tkurrje të fortë të investimeve private dhe publike.

Parashikimi në fakt është akoma më i zymtë për disa vende të rajonit. Kështu Hungaria, Rumania Bullgaria dhe Serbia do të qendrojnë në të njëjtat vlera ekonomike pa shënuar asnjë rritje, e po ashtu e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›