2010, viti i privatizimeve, fondet për kompensimin e pronarëve dhe investime

Kryeministrit Sali Berisha zhvillon një takim lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha u zhvillua dje një takim lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë të fushës.Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, Kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin e të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Më tej, Kryeministri u shpreh se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë.“Ky është takimi i radhës për një nga problemet në parim më madhore të qëndrimit tonë në rrafshin ekonomik, problemin e privatizimit. Ne kemi shënuar para këtij viti sukseset më të mëdha në privatizimin e të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por ne duhet të kompletojmë privatizimin e të gjitha aseteve, e cila është e domosdoshme, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet. Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit. Në këtë proces ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në Shqipëri dhe kudo një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit. Pra, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, u shpreh Kryeministri.Duke e konsideruar privatizimin si një proces të rëndësishëm, Berisha evidentoi nga ana tjetër se ky proces do t’i presë rrugën edhe korrupsionit dhe burokracisë.“Armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë , e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe”, shtoi Kryeministri.Për sa i përket të ardhurave nga privatizimet, Kryeministri Berisha bëri të ditur se ato do të shkojnë për kompensimin e pronarëve, si edhe për realizimin e programit qeverisë, të shpallur para qytetarëve.“Privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ju drejtoni. Ne jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurë në interesin më të mirë. Natyrisht, vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha....