E Diel, 1 Nëntor 2026

2011-a, mes sukseseve dhe dështimeve të ekipeve kombëtare

/* */

Dash FRASHËRI - Viti 2011 ka prodhuar suksese të merituara, por dhe dështime të hidhura për futbollin shqiptar të arenës ndërkombëtare, duke marrë në konsideratë paraqitjet e Kombëtareve A, U-21, U-19, U-17 dhe të Femrave. Nëse me Kombëtaren A zhvilluam  11 ndeshje, 6 zyrtare dhe 5 miqësore, bilanci ishte i tejet i hidhur: 2 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje, e shoqërua kjo me humbjen e 10 vendeve në ranglistën e FIFA-s. E nisëm në vendin e 64-t, arritëm një vend rekord në muajt maj-prill, duke u pozicionuar të vendin e 50-të, por e mbyllëm në vendin e 74-t. Përsa i përket bankinës, pas prishjes së kontratës me kroatin Josip Kuzhe, nëntë vjet pas braktisjes së Kombëtares nga ana e Xhuzepe Dosenës (më 16 tetor 2002), Xhani De Biazi siguroi një kontratë pune me Federatën Shqiptare të Futbollit, një marrëveshje dyvjeçare, që nis nga data 14 dhjetor 2011 dhe përfundon në fund të dhjetorit 2013. De Biazi do të drejtojë fushatën kualifikuese të Botërorit 2014 (në Brazil). Shqipëria ndodhet në grupin E të zonës Europiane, së bashku edhe me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën. Gjithsesi, Kombëtarja U-17 arriti një sukses historik, duke u kualifikuar në Elite Round, pavarësisht se në grupin e saj eliminator kishte Gjermaninë, Sllovakinë dhe Estoninë. Rezultate dinjitoze arriti edhe ajo U-19, si dhe Kombëtarja e femrave, pavarësisht se bëhet fjalë për miqësore.

KOMBËTARJA A
Gjatë vitit 2011, Kombëtarja jonë zhvilloi 11 ndeshje, 6 zyrtare dhe 5 miqësore, duke pasur këtë bilanc në total: 2 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje. Të përimtuara në statistika ato paraqiten kështu: 6 ndeshje zyrtare: 1 fitore, 1 barazim, 4 humbje, ndërsa në 5 ndeshje miqësore, arritëm 1 fitore, 1 barazim, 3 humbje.

Dy fitoret e vetme në 11 ndeshjet e këtij viti janë ato kundër Bjellorusisë (1-0, zyrtare) dhe Malit të Zi (3-2, miqësore), por përjetuam edhe një ndeshje shumë të turpshme: 2-1 nga Luksemburgu, çka nënshkroi edhe fundin e pashmangshëm të Josip Kuzhesë (tashmë një ish-trajner).

Gjatë këtij viti, Shqipëria zhvilloi edhe një ndeshje të rrallë, madje të pabesueshme, për nga kundërshtari me të cilën u ndeshëm. Pikërisht ndaj Argjentinës së Lionel Mesit me shokë, në Buenos Airesin e largët, dhe ku humbëm 4-0, por me një Shqipëri me formacion të dorës së dytë dhe me pak titullarë.

Ky vit pa edhe një trajner të komanduar në bankinë, boshnjakun Xhemal Mustedanagiç, i cili e drejtoi Kombëtaren në ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë (vitin e kaluar e kishte bërë këtë detyrë kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, kur Kuzhe ishte i shtruar në spital pas goditjes së hemorragjisë cerebrale).

Miqësorja Maqedoni-Shqipëri (0-0) ishte dhe ndeshje e fundit ndërkombëtare e Shqipërisë. Edhe pse trajneri i komanduar, Xhemal Mustedanagiç, premtoi një Shqipëri sulmuese, sërish Kombëtarja jonë nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, në një ndeshje shumë të tensionuar për shkak të fyerjeve të paturpshme të tifozëve vendas.

Kuqezinjtë e mbyllën vitin 2011, përfundimisht në vendin e 74-t (450 pikë).

Në fakt, po ta krahasojmë me janarin e këtij viti, kur renditeshim në vendin e 64-t (497 pikë), duhet thënë se kemi rënë dhjetë pozicione në harkun e 12 muajve.

KUZHE-DE BIAZI

Shqipëria i mbylli eliminatoret në vendin e parafundit në grupin D, duke grumbulluar vetëm 9 pikë nga 10 ndeshjet, e duke pasur një bilanc jo të kënaqshëm: 2 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. Kroati kaloi një vit më parë edhe një sëmundje të rëndë (hemoragji cerebrale), e që i mohoi këtij drejtimin e dy ndeshjeve kyçe, ato kundër Bosnjës (1-1) dhe Bjellorusisë (0-2).

Trajneri italian 55-vjeçar Xhani De Biazi pasoi në bankinë kroatin Josip Kuzhe, pas mosrinovimit të kontratës së tij të fundit, për shkak të prishjes konsensuale të marrëveshjes me FSHF-në. De Biazi është një teknik me përvojë bankine nga viti 1992, në nivel klubesh, duke drejtuar emra të tillë si Torinon, Livornon, Kozencën, Karpin, Modenën, Breshian, Levanten (në Spanjë) dhe së fundi Udinezen (2009, skuadra e tij e fundit).

Shqipëria ka pasur gjatë historisë së saj ka pasur nëntë trajnerë të huaj. I pari, serbi Ljubisha Broçiç e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, 65 vjet më parë, në tetor të vitit 1946. Më pas drejtuan hungarezi Miklosh Vadash (1953), rusi Nikolai Ljkushnikov (1959), italiani Xhuzepe Dosena (2002), gjermani Hans Peter Brigel (2002-2006), kroati Oto Bariç (2006-2007), holandezi Ari Han (2008-2009), kroati Josip Kuzhe (2009-2011) dhe tani nga 14 dhjetori, De Biazi (ka kontratë deri në dhjetor 2013).

Xhani De Biazi është trajneri i katërt italian që arrin të sigurojë një kontratë pune në Shqipëri. Tre të parët janë: Xhuzepe Dosena (me Kombëtaren shqiptare), Ticiano Gori (Erzeni, Partizani) dhe Leonardo Menikini (Tirana).

Në fakt, të huajt kanë pasur një përqindje rezultati më të më mirë se shqiptarët. Kështu, Xhuzepe Dosena, Hans-Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe e kanë drejtuar përfaqësuesen kuqezi në 82 ndeshje, me bilancin 25 fitore, 21 barazime e 36 humbje. Kjo do të thotë se suksesi është në nivelin 38.7 për qind. Me trajnerë shqiptarë, Kuqezinjtë kanë luajtur në 163 ndeshje, në të cilat kanë arritur 27 fitore, 30 barazime dhe 106 humbje dhe me golaverazhin 114-311, pra 22.7 për qind sukses.

KOMBËTARJA U-21
Për eliminatoret e Euro 2013-s, në grupin tonë (6), në ndeshjen e parë kundër Polonisë, të luajtur në Korçë (2 shtator 2011), Shpresat humbën 3-0. Gjithsesi, pas katër ditësh (6 shtator 2011) Kombëtarja U-21 gjeti fitoren e parë duke mposhtur 4-3 Moldavinë (7 shtator), takim i zhvilluar po në stadiumin e Korçës. Armando Sadiku (2), Mërgim Brahimi (1) dhe Bruno Telushi (1) ishin autorët e golave të Shqipërisë. Shqipëria U-21 pësoi një humbje dramatike 4-3 me Poloninë (në Grudziadz), në minutat e fundit shtesë. Ndeshja ishte shumë luftarake. Krichvoak, Klish, Sobiesh dhe Vozniak (91’) shënuan për Poloninë, Armando Sadiku (2) dhe Bekim Bala për Shqipëinë e drejtuar nga Artan Bushati (njëherësh edhe ndeshja e fundit e tij me Kombëtaren U-21).  Në vend të Bushatit, u emërua Skënder Gega, i cili duhet thënë se pati sukses. Kombëtarja e tij humbi 1-0 me Rusinë (me penallti, Smolov 74’) në stadiumin “Niko Dovana”. Po në Durrës, Kombëtarja U-21 barazoi 2-2 me Portugalinë, me Armando Sadikun që shënoi të dy golat për kuqezinjtë. Sulmuesi elbasanas u ngjit në kuotën e 6 golave të realizuar në 5 ndeshje
KOMBËTARJA U-19
Shqipëria U-19 bëri një paraqitje dinjitoze në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 të kësaj grupmoshe (5-10 tetor 2011), duke zënë vendin e tretë në grupin e 12-të, me katër pikë, pas një fitoreje, një barazim dhe një humbjeje, respektivisht kundër Maltës (4-0, golat: autogol i Arab, Bajraktari dhe Hoxha 2), Austrisë (0-0) dhe Danimarkës (0-1). Kuqezinjtë e drejtuar nga Skënder Gega shpresuan deri në minutën e fundit për t’u kualifikuar në Elite Round, si e treta më e mirë, por më në fund, u kualifikua Izraeli si ekipi i tretë më i mirë. Skënder Gega, i cili prej disa muajsh ishte trajneri i Kombëtares U-19 të Shqipërisë në futboll, tani drejton Kombëtaren u-21. Shorti i Euro 2013 për ekipet kombëtare U-19 e ka vendosur Shqipëinë, së bashku edhe me Belgjikën, Bjellorusnë dhe Italinë. Ndeshjet do të zhvillohen në Shqipëri, pikërisht në Korçë, më 12-17 tetor 2012). Kombëtarja U-19 drejtohet nga Foto Strakosha.

KOMBËTARJA U-17
Kombëtarja U-17 e Shqipërisë arriti një sukses historik në eliminatoret e Euro 2012 (13-18 tetor 2011), duke kaluar për herë të tretë në historinë e saj në Elite Round. Në grupin e saj (12) bënin pjesë edhe Gjermania, Sllovakia dhe Estonia vendase. Në këtë tur eliminator, Shqipëria fitoi 2-1 me Sllovakinë, humbi 1-0 me Gjermaninë dhe barazoi 1-1 me Estoninë. Trajneri i kësaj, Kombëtareje, ishte boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, ish-ndihmësi i ish-trajnerit Josip Kuzhe. Xhemo ka drejtuar Shqipërinë A në ndeshjet me zyrtare me Bosnjën (1-1) dhe Bjellorusinë (0-2), në kohën kur Kuzheja ishte i sëmurë, si dhe në dy ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin (0-1) dhe Maqedoninë (0-0, kur Shqipëria ishte pa trajner zyrtar). Për shortin e Elite Round, Kombëtarja jonë U-17 do të përballet në grupin 5 (22-27 mars 2012) me Serbinë, Holandën dhe Irlandën. Ndeshjet do të zhvillohen në Holandë.
Për eliminatoret e Euro 2012/2013 për moshën U-17, Shqipëria (drejtohet aktualisht nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç) është në një grup (8) me Italinë, Hungarinë dhe Lihteshtejnin. Takimet eliminatore të atij grupi do të zhvillohen në Hungari, më 18-23 tetor 2012.

KOMBËTARJA E FEMRAVE
Ky vit shënon edhe debutimin historik të Kombëtares së femrave, pra të zhvillimit të një ndeshje ndërkombëtare. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Pogradec, më 5 maj 2011, njëherësh edhe takimi i parë ndërkombëtar, Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Maqedonisë, me golin e Aurora Seranaj (30’). Në takimin e dytë, të zhvilluar më 11 nëntor 2011, Shqipëria e futbollit për femra, e drejtuar nga Altin Rraklli shkatërroi 4-1 Kombëtaren e Maqedonisë, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Strugë. Govori realizoi në minutën e 13-të, ndërkohë që Zela dyfishoi në të 51’. Maqedonaset e drejtuar nga Dobrislav Dimovski shkurtuan diferencën me anë të Salihit (65’), por pas tri minutash Berisha i çoi shifrat në 3-1. Pesë minuta përpara përfundimit, Baro fiksoi rezultatin 4-1.

KOMBËTARJA A
NDESHJET GJATË VITIT 2011

ZYRTARE
Shqipëri-Bjellorusi    1-0   
Bosnjë H.-Shqipëri    2-0   
Shqipëri-Francë        1-2   
Luksemburg-Shqipëri    2-1   
Francë-Shqipëri        3-0   
Shqipëri-Rumani        1-1   

MIQËSORE
Shqipëri-Slloveni    1-2
Argjentinë-Shqipëri    4-0   
Shqipëri-Mali i Zi    3-2   
Shqipëri-Azerbajxhan    0-1   
Maqedoni-Shqipëri    0-0   
Total: 11 ndeshje; 2 fitore, 2 barazime, 7 humbje

KOMBËTARJA U-21
El.Euro 2013

Shqipëri-Poloni 0-3
Shqipëri-Moldavi 4-3
Poloni-Shqipëri 4-3
Shqipëri-Rusi 0-1
Shqipëri-Portugali 2-2
Total: 5 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 2 humbje

KOMBËTARJA U-19
Danimarkë-Shqipëri 1-0
Austri-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Maltë 4-0

KOMBËTARJA U-17
Shqipëri-Sllovaki 2-1
Gjermani-Shqipëri 1-0
Shqipëri-Estoni 1-1

KOMBËTARJA FEMRA
Shqipëri-Maqedoni 1-0
Maqedoni-Shqipëri 1-4

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›