Ciko: Në Mamurras, për një mbyllje dinjitoze
Ndihmëstrajneri Kristaq Ciko thekson se Luftëtari i këtij sezoni nuk varet shumë nga faktori fushë, pasi është mjaft i përgatitur
Ndeshja e shumëpritur Luftëtari-Kukësi nuk u zhvillua për arsye të dëborës, që kishte pllakosur, siç thonë vendësit, Gjirokastrën. Është për mirë apo për keq kjo shtyrje për ekipin gjirokastrit, do të sqarohet kur të luhet ndeshja. Luftëtari, me një ndeshje më pak, javën e fundit të fazës së parë shkon në Mamurras për të luajtur me ekipin vendës, që sezonin e kaluar ishte një kockë e fortë për të.
Por është ndryshe ky sezon, kur kipi gjirokastrit po paraqitet me koncepte të reja në beteja, aq sa edhe në transferta, bashkë me Lushnjën, janë dy ekipet me më pak humbje, nga 2 secili. Në Mamurras do të jetë do të jetë një ndeshje me koeficient vështirësie të konsiderueshëm për të dyja palët, aq më tepër që në prag të Vitit të Ri duhet që festimi të jetë me rezultate sa më të mira. Fitorja e Luftëtarit e mban atë në krye të renditjes, pavarësisht nga rezultatet e rivalëve.
Ciko Për festën e Krishtlindjeve ka folur numri 2 i stolit të Luftëtarit, Kristaq Ciko, që ka pasur edhe ditën e emrit. Mes të tjerash, ai ka theksuar: Luftëtari i këtij sezoni nuk është aq i varur nga faktori fushë, si sezonet e mëparshme, gjë që është arritur qoftë në sajë të përbërjes së tij, qoftë edhe për mendësinë, që u rrënjos nga ndeshja në ndeshje pothuajse te të gjithë lojtarët.
Pa dyshim që në këtë drejtim kanë ndikuar kryesisht Devolli dhe Nora me personalitetin e tyre sportiv. Disiplina dhe harmonia që ekziston në radhët tona, përvoja e gjatë që kanë shumica e titullarëve, shpirti i lartë i garës e faktorë të tjerë, na bëjnë optimistë se edhe në Mamurras ekipi do të manifestojë vlerat e tij më të mira, që do të shoqërohen edhe me një rezultat të favorshëm për ne.
Duke qenë ndeshja e fundit për këtë vit kalendarik, grupi që do të aktivizohet, do të luajë me të gjitha fuqitë e veta për ta mbyllur me sukses. Patjetër që Mamurrasi në shtëpinë e tij do të bëjë gjithë përpjekjet për të marrë fitoren, por me lojë korrekte dhe pak fat Luftëtari nuk ka pse të trembet. Jam i sigurt se do të tregohet dinjitoz, sikundër i takon këtë sezon, kështu që do ti gëzojë edhe këtë herë tifozët e tij jo vetëm në Gjirokastër, por edhe gjetkë.
