Geci: Kukësi, në superligë sezonin e ardhshëm
Presidenti i ekipit kuksian, Ramë Geci, shpallet Personalitet i Vitit nga bashkia e këtij qyteti
Presidenti i Kukësit, z.Ramë Geci, është shpallur Personaliteti i Vitit nga bashkia e qytetit. Bashkia e Kukësit ka shpallur dje 10 personalitetet për vititn 2011, në mes të të cilëve ka qenë edhe Ramë Geci. Presidenti i ekipit të futbollit është votuar nga qytetarët kuksianë për kontributin e dhënë gjatë këtij viti, kur Kukësi, edhe pse debutues në kategorinë e parë, është një ndër pretendentët kryesorë për ngjitjen në superligë.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, përveç autoriteteve vendore, kishin ardhur edhe futbollistët e ekipit e stafi drejtues. Presidenti Ramë Geci, gjatë marrjes së çmimit, falënderoi votuesit kuksianë, që e shpallën Personalitetin e Vitit në fushën e sportit. Me këtë rast, ai ka ripërsëritur premtimin se Kukësi sezonin e ardhshëm do të jetë në superligë.
Ekipi kuksian debuton këtë sezon në kategorinë e parë, bashkë me Himarën, Ilirinë, Skraparin dhe Butrintin, por ndryshe nga ata, është në 4-shen pretenduese për në elitën e futbollit shqiptar, bashkë me emra të njohur si Luftëtari, Lushnja dhe Besëlidhja. Krahas kontributit të futbollistëve dhe stafit teknik, një ndihmë të madhe në rezultatet e ekipit ka dhënë edhe presidenca kolegjiale, e drejtuar nga Ramë Geci. Biznesmeni I njohur është zgjedhur presidenti i sh.a.
Sport Klub Kukësit më 21 gusht të këtij viti. Ai ka qenë pjesëtar i Përparimit të Kukësit për të rinj para 30 vjetesh. Ndihmës të presidentit Geci janë kuksiani Safet Gjici dhe Flamur Hoxha. Të tre këta drejtues zotërojnë 60% të aksioneve të klubit, ndërsa bashkia ka 40% të aksioneve. Ardhja e Gecit në krye të Kukësit është pritur me entuziazëm nga futbollistët dhe stafi drejtues, por edhe nga sportdashësit vendës.
