E Hënë, 2 Nëntor 2026

2011 mbyllet me sukses, Sao Tome dhe Principe shteti i ri që njeh Kosovën

PRISHTINË- Viti 2011 po përmbyllet me një njohje të re për Kosovën, nga shteti Sao Tome dhe Principe, duke arritur në 86 numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën. Sipas RTK-së, shteti Sao Tome do të jetë anëtari i 86-të i Kombeve të Bashkuara që do ta njohë Republikën e Kosovës.

Sipas po këtyre burimeve, nota verbale për këtë pritet të arrij ditëve në vijim.Sao Tome dhe Principe është shtet në Oqeanin Atlantik, në perëndim të Afrikës dhe përbëhet nga dy ishuj, kurse në territorin e tij jetojnë 200 mijë banorë.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se edhe një shtet tjetër e ka njohur Kosovën, por ai do të bëhet publik pas ardhjes së notës verbale. Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën ishte Kuvajti, më 11 tetor.

5 NJOHJE MË SHUMË SE NË VITIN 2010
Suksesi i vitit 2011 për Kosovën ishte rritja e numrit të njohjeve nga 72 në 85 shtete anëtare të OKB, 5 më shumë se në vitin 2010, i cili ka sjellë 8 njohje. Zyrtarë të lartë në Prishtinë deklaruan në këtë fundviti se njohjet e pavarësisë së Kosovës në vitin 2012 do të tejkalojnë numrin 100.
Deri në ditën e fundit të Dhjetorit, në listën zyrtare të shteteve që e kanë njohur Kosovën në vitin 2011 janë 13 shtete: Katari 7 Janar, Republika e Guinea-Bissau 10 Janar, Sulltanati i Omanit 4 Shkurt, Principata e Andorrës 8 Qershor, Republika e Afrikës Qendrore 22 Korrik, Republika e Guinea Conakry 16 Gusht, Republika e Nigerit 16 Gusht, Republika e Beninit 18 Gusht, Santa Lucia 19 Gusht, Republika Federale e Nigerisë 12 Shtator, Republika e Gabonit 15 Shtator, Bregu i Fildishtë 20 Shtator dhe Kuvajti 11 Tetor.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›