E Diel, 1 Nëntor 2026

2012-a, viti i finalizimit të arritjeve në projektin “Shqipëria dixhitale”

12-05-2012 / Gazeta 55

Standardi dixhital do të jetë njësia matëse e Shqipërisë së Zhvilluar. Kryeministri Berisha ka nxitur dje të gjitha agjencitë shtetërore që të përfundojnë brenda vitit të 100 vjetorit 95 projektet që kanë të bëjnë me dixhitalizimin e shërbimeve shtetërore

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit, të përparësojnë këto projekte me qëllim që 2012-a të jetë viti i finalizimit të “Shqipërisë dixhitale”. Shefi i ekzekutivit
theksoi se kjo mbledhje vjen si domosdoshmëri e koordinimit të punës ndërmjet të gjitha ministrive, agjencive dhe strukturave në këtë fushë, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të secilit prej tyre që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur ka rreth 46 objektiva dhe ka si shtyllë kryesore dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj, duke bërë disponibël të dhënat e agjencive përkatëse, në një sportel të vetëm. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se po punohet për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike, pasi ai harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, shërbimet midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit. Berisha theksoi se kjo kërkon vullnet dhe çdo sistem që ngrihet në të gjitha agjencitë, duhet të ketë si kërkesë bazë përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktivitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen. Duke renditur një sërë detyrash specifike të secilës ministri apo agjenci në këtë drejtim, Berisha kërkoi që Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK) si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)  duhet të fillojnë punen për çeljen e një portali me të dhëna qeveritare të formatit open data, zgjerimi i rrjetit qeveritar Govnet,  Studim për gjithë faqet zyrtare të internetit të institucioneve dhe agjencive qendrore për t’i kthyer ata në “user friendly”, krijimi i portalit unik te inspektimeve, “e- Inspection” etj. “Këtë vit, ne e kemi shpallur vitin e finalizimit të arritjes së Shqipërisë dixhitale. Theksoj edhe një herë se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, i cili trashëgoi një problematikë të madhe recente dhe shekullore, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale”, u shpreh Berisha.
Duke rikujtuar se qeveria dhe agjencitë e saj kanë 125 projekte në zbatim e sipër, Kryeministri tha se "nga këto, 95 projekte janë në proces zbatimi. Nga këto 95 projekte, 16 projekte kanë përfunduar; 35 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2012; 58 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2013; 2 projekte janë parashikuar të përfundojnë gjatë viti 2014. Ka 13 projekte, për të cilat nuk janë përcaktuar fondet".
Ai theksoi se “58 projektet e viti 2013 do të avancohen në vitin 2012 ndërsa nëvizoi se “këtë vit nuk kishim ndërmend të shqyrtonim buxhetin, por nuk përjashtohet mundësia  e shqyrtimit të tij në qershor, duke pasur një nga shtysat e rëndësishme, gjithashtu, përparësimin nga juaj të këtyre projekteve”.  “Unë ju autorizoj të merrni nga çdo lloj zëri tjetër për financimin e këtyre projekteve. Shqyrtoni buxhetin dhe në rast se buxheti kalon në qershor, ato të jenë gati në ri-rregullimin që do t’i bëhet buxhetit, për të financuar me përparësi absolute, projektet e dixhitalizimit”- deklaroi shefi i qeverisë.
Duke nënvizuar se këto 58 projekte të parashikuara për vitin 2013 do të jenë të gatshme në 28 nëntor të viti 2012, Kryeministri Berisha në përfundim kërkoi që “secila agjenci të shqyrtojë dhe t’i propozojë Ministrisë së Financave ndryshimet në buxhet, në funksion të këtyre projekteve”. 13 projektet që nuk janë në zhvillim do t’i rikonsideroni edhe një herë me vendosmëri”- tha më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›