2012 do të jetë Viti i Berishës
Katër të vrarët më 21 Janar 2011 morën një shumicë të pakonkurrueshme votash nga lexuesit e gazetës Tema si Njerëzit e Vitit 2011. Ata udhëheqin po ashtu anketën e televizionit më të madh kombëtar në vend Top Channel, i cili pritet ti shpallë rezultatet më 31 Dhjetor. Ajo që vlen të shënohet me këtë rast është se shoqëria ka gjykuar aktin e tyre për të demonstruar me nderim dhe ka dënuar si një juri e madhe vrasësit e tyre. Kontrasti mes nderimit të shoqërisë për ta dhe poshtërimit të drejtësisë, në një anketë të tillë vlen të kuptohet sa larg të drejtës është drejtësia shqiptare dhe sa afër krimit është politika në pushtet.
Por problemi i madh që po krijojnë këto vrasje nuk është mbetja e fëmijëve të viktimave jetimë apo dhimbja e familjarëve dhe shoqërisë për ta, por rreziku që këto vrasje të kthehen në një arsye të madhe për pushtetin për të luajtur me normalitetin demokratik në vend.
Të gjitha shenjat janë se Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, dy vrasësit në detyrë më 21 Janar, tani të përfshihen në spiralen e deformimit rrënjësor të demokracisë në vend, për ti shpëtuar drejtësisë për këtë krim.
Shenjat janë të qarta. Sali Berisha ka dhënë sinjale se nuk do të bëjë asnjë kompromis për postin e presidentit, çka nënkupton se ai kërkon kontroll të fortë mbi drejtësinë, e cila ka të hapura disa çështje madhore për njerëzit e tij dhe familjes së tij. Janë ende dosje të pambyllura vrasjet në Gërdec, vjedhjet në segmentin Rrëshen- Kalimash, pastrimi i pareve nga biznesmeni Damir Fazlliç, që i ka dorëzuar biznesin me prokurë studios së vajzës së tij, hetimi i fondeve të Liri Berishës dhe vrasjet e 21 Janarit. Nëse në vend lejohet paksa normalitet demokratik, Sali Berisha dhe familja e tij politike dhe biologjike përfundojnë në burg. Ky është një kërcënim i madh njerëzor për të, dhe një arsye e fortë që ne duhet të harrojmë që pas kësaj të presim një zhvillim normal të demokracisë në vend.
Historia e zgjedhjes së presidentit nga Berisha po legjitimohet dita- ditës dhe nga aktorë parazitë ndërkombëtarë në Tiranë, siç është ambasadori i OSBE, i cili përsëriti pikë më pikë atë që Berisha tha në TV Klan rreth presidentit konsensual, i cili sipas tij është vetëm varianti që opozita të mbështesë kandidaturën e Sali Berishës. Por në tripolaritetin e krijuar brenda shumicës, ku Ilir Meta bën sikur do pyetet doemos dhe Topalli duhet të kandidojë patjetër, nuk është çudi që Sali Berisha të vendosë rregull duke u zgjedhur vetë president për ti dhënë fund amullisë dhe për të siguruar atë që mund të sigurohet, mosdënimin e tij prej drejtësisë.
Një votim i tillë popullor ndaj viktimave të tij më 21 Janar do të thotë një dënim popullor i tij, dhe ai është i qartë çfarë e pret. Për të detyruar atë të dorëzojë pushtetin nuk vlejnë më votat. Ai po përgatitet që në vitin 2012 të marrë gjithçka. Pas muajit qershor ai do të jetë kryeministër, president, kryeprokuror, kryetar i KLD, kryetar i SHISH, kryetar i parlamentit dhe kryetar i PD-së. Viti 2012 do të jetë viti i Saliut, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ai të mos i dorëzohet drejtësisë.
Ky vit i jep fund demokracisë shqiptare edhe formalisht. Paniku në të cilin gjendet Sali Berisha dhe familja e tij për shkak të krimeve të bëra, i imponon atij marrjen e gjithë pushteteve në një dorë me shpresë se kështu do të shkruajë historinë si fitimtar. Shqiptarët do të vazhdojnë të votojnë për kundërshtarët e tij dhe do të vazhdojnë të jenë në anën e viktimave të tij, por pushteti do të jetë në dorën dhe anën e Berishës. Ky është viti me shansin për të qenë viti më i zi në historinë e Shqipërisë postkomuniste sa i përket deformimit të demokracisë. Po ti shtosh kësaj dhe krizën ekonomike dhe mosqeverisjen e vendit, ne duhet të përgatitemi të përjetojmë një periudhë të ngjashme me vjeshtën e vitit 1996, kur vendi nuk kish shpresë as tek zgjedhjet, as tek pushteti dhe as tek Sudja, Xhaferi, Vehbiu apo Shemsia.
Nuk di të them nëse ky vit do ti bëjë shqiptarët më të duruar apo më shpërthyes, por e sigurt është se një lider që ka vrarë me qetësi për të mbajtur pushtetin, do të jetë gati ta bëjë atë përsëri. Ka shumë pak shanse që ne ta bindim Sali Berishën me një amnisti të gjerë dhe bindëse për krimet e tij. Ka shumë pak shanse që ne ta qetësojmë atë se nuk do të ndëshkohet, por ti hapë rrugë demokracisë. Ai ka shkuar aq tutje dhe aq thellë në krim, sa nuk ka fuqi as vetë të besojë tek amnistia. Deri në vitin 1997 ai kishte zhdukur në rrethana politike misterioze vetëm një qytetar, Remzi Hoxhën, dhe ende nuk po i ndahet hija e asaj vrasjeje. Këtë mandat, ky njeri ka shkuar shumë tutje, bile ka vrarë për të vjedhur dhe baxhanakun e vet. Ai është përgjegjës direkt për vrasjet e 21 Janarit, të cilat janë një krim që nuk ka fuqi ta amnistojë askush. Janë tetë jetimë që po rriten pa prindër, në të njëjtin vend ku jeton Sali Berisha, Lulëzim Basha dhe familjet e tyre. Kjo shoqëri nuk mund të ketë dy standarde për qytetarët e saj, një palë të respektohet si vrasëse dhe tjetra të poshtërohet si e vrarë. Pafuqia jonë për të amnistuar Sali Berishën është në të vërtetë dhe arsyeja e madhe pse mund të kthehet në fatkeqësinë tonë të përkohshme, sidomos gjatë këtij viti. Ai është i trembur nga ideja e fatit të atyre që vrasin, pasi fundi i tyre imiton jetën e tyre.
Ne duhet ta qetësojmë këtë njeri. E di që është mision i pamundur, por duhet të provojmë. Ai po përgatit në vitin 2012 llogoret dhe bunkerët në të cilat do të strehohet për të mos e prekur ndëshkimi për atë që ka bërë. Ai është duke kthyer në llogore gjithë pushtetin, drejtësinë, presidencën, prokurorinë, SHISH dhe gjithçka ka mbetur në dorë të ligjit në këtë vend. Është duke bërë pikë më pikë atë që bëri deri më 3 Mars të vitit 1997, kur u rizgjodh. Një javë më pas i dorëzoi të gjitha, por ndërkohë Shqipëria ra. Ra nga vendimi i tij për të bërë pazar për kohën e tij, me fatin e këtij vendi. Këtë pazar do prapë këtë vit. Është viti i mbrapshtë i tij.
