E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa në audiencën e përgjithshme: në gjirin e familjes njeriu mëson të lutet e të ndjejë praninë e Zotit

29-12-2011 / Gazeta 55

Familja është shkolla e parë e lutjes. Këtë pohoi sot Benedikti XVI, i cili ia kushtoi audiencën e fundme të vitit 2011, Familjes Shenjte të Nazaretit dhe lidhjes së saj të ngushtë me lutjen. Audienca, si zakonisht në ditët dimërore, u mbajt në Sallën e Palit VI, përplot me shtegtarë, ardhur në Romë për të kremtuar Festat e mëdha të fundvitit. Atmosferë gazmore, prandaj, gjatë gjithë takimit të së mërkurës. Papa kujtoi shkurtimisht vitet e fëmijërisë e të rinisë së Jezusit, kaluar në gjirin e familjes, me Marinë e Jozefin, duke i ftuar të krishterët ta rizbulojnë bukurinë e lutjes në vatrën familjare. Mësuesit e Mësuesit. Maria e Jozefi qenë mësuesit e lutjes për Birin e Zotit. Mister, ky, që bëhet edhe më i thellë, për shkak se Ungjijtë flasin shumë pak për miturinë e Krishtit. Benedikti XVI gërmoi pikërisht në rrëfimet ungjillore, duke gërshetuar, në katekizmin e fundit të vitit 2011, ciklin e reflektimeve të tij për lutjen, me festën e Familjes Shenjte. Familje, kjo, e fëmijërisë dhe e rinisë së Jezusit që, pohoi, është ikonë e Kishës shtëpiake për të gjitha familjet e sotme të krishtera: “Familja është Kishë shtëpiake e duhet të jetë shkolla e parë e lutjes. Në shtëpi fëmijët, që në moshë të njomë, mund të mësojnë të perceptojnë praninë e Zotit, falë mësimit e shembullit të prindërve, duke jetuar në një atmosferë, ku ndjehet fort prania e Hyjit. Edukata e vërtetë kristiane nuk mund të shkëputet nga përvoja e lutjes. Në se njeriu nuk mëson të lutet në familje, do ta ketë të vështirë, më vonë, ta mbushë këtë zbraztësi”.
Po banorët e shtëpisë së Nazaretit këtë zbraztësi nuk e njihnin. Nën strehën e kësaj familjeje, çdo fjalë, çdo gjest, çdo veprim, tregonte lidhjen e ngushtë me Zotin. E këtë e shikojmë sidomos në modelin e Marisë: “Maria është modeli i pakapërcyeshëm i kundrimit të Krishtit. Fytyra e Birit i përket në mënyrë krejt të veçantë, sepse ai u formua në prehërin e saj, duke i ngjarë pikërisht asaj, si njeri. Askush nuk iu kushtua me aq zell kundrimit të Jezusit, sa Maria. Në gjurmët e të Lumit Gjon Pali II, mund të themi se Rruzarja Shenjte ka si model pikërisht Marinë, sepse përmes kësaj lutjeje, kundrojmë misteret e Krishtit, në bashkim shpirtëror me Nënën e Zotit”.
Për Jozefin, Ungjijtë flasin pak e aspak, po Kisha e ruan në kujtesën e saj si njeri besnik, të qëndrueshëm, punëtor, me bindjen se sigurisht edhe ai, së bashku me Marinë, e edukoi Jezusin të lutej, duke e marrë me vete në sinagogë ditën e shtunë e në festat e mëdha të popullit të Izraelit, por edhe duke u lutur së bashku me të në jetën e përditshme familjare: “Jozefi, sipas traditës hebraike, i printe lutjes shtëpiake, si në të përditshmen e saj, mëngjes, mbrëmje e në sofër, ashtu edhe në festat kryesore fetare. Kështu, në ritmin e ditëve, kaluar në Nazaret, ndërmjet shtëpisë së thjeshtë e punishtes së Jozefit, Jezusi mësoi t’i këmbejë lutjen e punën e t’ia ofrojë Zotit edhe djersën e derdhur për të fituar bukën e përditshme, të nevojshme për të mbajtur gjallë familjen”. Më e ndërlikuar, lidhja e Jezusit të ri me lutjen. Benedikti XVI e shpjegoi këtë, përmes kujtimit të episodit të njohur, sipas të cilit prindërit e gjetën Jezusin 12 vjeçar, pas tri ditësh, në tempullin e Jeruzalemit, duke u marrë, siç do t’u thoshte atyre, “me punët e Atit të tij”. Shqiptoi, kështu, pikërisht këtë fjalë: Atë! Me vetëdijen e plotë të Birit të vetëm. E ky është kyçi, që hap misterin e lutjes së krishterë: “Jezusi na mëson si të jemi bij, pikërisht në lidhjen me Atin në lutje. Misteri kristologjik, misteri i jetës së krishterë, lidhet ngushtë me lutjen e bazohet mbi të. Jezusi do t’i mësonte një ditë dishepujt e tij të luteshin, duke u thënë atyre: kur të luteni, thoni “Atë”. E, natyrisht, mos e thoni këtë vetëm me fjalë, por me gjithë vetveten, me gjithë jetën tuaj. Mësoni gjithnjë më shumë të thoni “Atë”; me jetën tuaj; e kështu do të jeni bij në Birin, të krishterë të vërtetë”.
Si në rastin e gjetjes së Jezusit në tempull, ashtu edhe në atë të paraqitjes së Tij po në tempull, pak kohë pas lindjes, Maria e Jozefi jetojnë një aspekt tipik të lutjes, atë të shtegtimit, shprehje fetare, nënvizoi Papa, që ushqehet me lutjen e, njëkohësisht, e ushqen atë.
Në përfundim, nënvizoi Benedikti XVI, mund të themi se Familja e Nazaretit është modeli i parë i Kishës në të cilën, rreth pranisë së Jezusit e falë meditimit të tij, jetohet plotësisht lidhja bijnore me Hyjin Atë, që i shndërron lidhjet ndërpersonale njerëzore. Një urim edhe për familjet e sotme: të jenë të afta të rizbulojnë vlerën e nevojshme të lutjes, që Papa e kujtoi, duke cituar Palin VI: “Në radhë të parë ajo na mëson heshtjen. Oh, ç’mrekulli do të ishte, në se në ne do të rilindte nderimi për heshtjen, atmosferë e admirueshme dhe e domosdoshme e shpirtit; ndërsa shurdhohemi nga rropama, nga zhurma e nga zërat e potershme të kohës sonë. Oh! Heshtje e Nazaretit, na mëso të mendojmë vetëm mirë, t’i kushtohemi jetës shpirtërore, ta mbushim shpirtin me frymëzimet e fshehta, që vijnë nga Zoti e nga nxitjet e mësuesve të vërtetë”. Në përshëndetjet përfundimtare, pas katekizmit në gjuhë të ndryshme të botës, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht Misionaret, Bija të Kalvarit, të impenjuara në Kapitullin e tyre të përgjithshëm, si dhe Bijtë e Bijat e Zojës së Dashurisë Hyjnore, 50 vjet pas miratimit papnor të themelimit të tyre kanonik.Kujtojmë se, sipas traditës familjare të shqiptarëve katolikë, në dhomat e mira të shtëpisë, në krye të vendit, ka qenë ikona e Familjes Shenjte që, gjithnjë sipas traditës, quhej “Konaku Shenjt”: Zoja e Shën Jozefi, që mbajnë për dore Krishtin fëmijë. Shumë familje shqiptare guxuan ta mbanin Konakun Shenjt në zemër të konakut të tyre, edhe në kohët kur kjo të kushtonte shumë flijime. E vijuan të luten rreth ikonës së Familjes së Nazaretit, për kohë më të mira, kur Konaku Shenjt do të rikthehej në të gjitha shtëpitë shqiptare, e bashkë me të, lutja e përbashkët, në vatrën familjare.
Benedikti XVI dhe viti 2011, në bilancin e atë Federiko Lombardit/Viti 2011, që po përfundon, ka qenë mjaft i frytshëm për Papën Benedikti XVI. Së bashku me drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, po ju propozojmë një bilanc të veprimtarisë së Atit të Shenjtë, duke filluar nga udhëtimet ndërkombëtare: E drejtë, sepse udhëtimet ndërkombëtare janë gjithnjë pikë referimi në veprimtarinë vjetore të Papës. Dua të filloj, duke kujtuar dy udhëtimet në mes të vitit, atë në Gjermani dhe atë në Spanjë. Para së gjithash, ai i Gjermanisë, sepse vë në dukje shqetësimin e Papës për të folur për Zotin, duke iu referuar primatit të Hyjit edhe në shoqërinë e shekullarizuar të ditëve tona, në kontekstin evropian, në veçanti, në atë të vendit të vet. Ishte një udhëtim, që pritej me padurim, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Besoj se fjalimi i Papës para Parlamentit, në Berlin, mbetet një nga fjalimet më të mëdha të kësaj papnie, që i dha të kuptojë auditorit të gjerë rëndësinë e Zotit si bazë e fuqishme, si pikë referimi për bashkëjetesën njerëzore, për vlerat themelore të shoqërisë e për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut. Tema e përparësisë së Zotit mbizotëroi në udhëtimin e Gjermanisë, por në kontekstin e shekullarizimit. Ndërsa në Spanjë, në Ditën Botërore të Rinisë, para udhëtimit në Gjermani, mbizotëroi përvoja e madhe e gjallërisë së fesë, e së ardhmes së saj. Papa reflektoi sërish mbi këtë udhëtim, gjatë fjalimit të tij të fundit para Kuries Romake, pak para Krishtlindjes. E në reflektimin e tij, shpjegoi çfarë të shpallim e si ta shpallim, për të qenë të krishterë, në një mënyrë të re, më jetësore. Pra, nga Dita Botërore e Rinisë, Papa nxorri rrugët e gjalla për ungjillëzimin e ri të botës. Prandaj, nëse Gjermania më duket më shumë paralajmërim për të ruajtur vlerat themelore të dikurshme, në një botë në shekullarizim e sipër, Dita Botërore e Rinisë dhe Spanja na treguan aspektin pozitiv të pranisë së Kishës në botën e sotme.
Kemi pastaj, shtegtimin në Benin… Po, udhëtimi në Benin ka qenë një nga takimet themelore të këtij viti, edhe pse përkonte me paraqitjen e dokumentit përfundimtar të Sinodit për Afrikën. Një dokument i bukur, i qartë e i thjeshtë. Shumë analistë – edhe jo katolikë – e kanë përmendur si një nga dokumentet më të bukura, që ekzistojnë sot për kontinentin afrikan. Ai trajton gjerësisht problemet e tij e tregon me besim arsyet e shpresës realiste për të ardhmen, duke njohur dinjitetin e afrikanëve. Kjo ishte edhe atmosfera e udhëtimit. Papës i bëri shumë përshtypje gëzimi, gjallëria e popullit, që e priti. Një popull, që jeton mes vështirësish, që është i varfër, që pa dyshim ka njëmijë vuajtje e probleme, por që shfaq aftësi për të shkuar përpara e për ta gëzuar jetën. Prandaj, ky udhëtim tregoi më së miri se Kisha Katolike është në gjendje t’i flasë kontinentit afrikan, duke qenë pjesë përbërëse e tij: nuk flet për Afrikën nga Evropa, por flet për Afrikën në Afrike e nga Afrika. Solidariteti, mikpritja, gëzimi, pjesëmarrja që përjetoi Papa në mesin e afrikanëve, shprehu më së miri frymën e dokumentit. Do të thosha se kjo është shenjë shprese për të ardhmen e Afrikës e për të ardhmen e Kishës e të shërbimit të saj në kontinent.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›