202 eurodeputetë dhe 56 fitues të çmimit Nobel, kundër Bllokadës ndaj Gazës
Një thirrje për heqjen e "bllokadës" në Gaza dhe lirimin e të burgosurve nga ana e izraelitëve është nënshkruar nga 202 deputetë të 27 vendeve evropiane dhe 56 fitues të çmimit Nobel, 10 prej të cilëve për Paqe, bëri të ditur sot OJQ-ja "Peacelines", që organizon fushatën.
Dalai Lama, lideri shpirtëror i tibetianëve, është ndër fituesit e çmimit Nobel për Paqe të cilët janë bashkuar së fundi me këtë thirrje të shkruar nga gjashtë personalitete, ndër të cilët shkrimtarja Yasmina Khadra, gjuhëtari amerikan Noam Chomsky, disidenti i mbijetuari i getos së Varshavës Martin Gray dhe ish-kryeministri francez Michel Rocard. "Pesëdhjetë e gjashtë fituesit e Çmimit Nobel, 10 prej të cilëve për Paqen, 202 anëtarë të Parlamentit Evropian (2004-2009) dhe disa personalitete, marrin pjesë bashkë me OJQ-në "Peacelines" në Fushatën 'Hapni Dyert'", shprehet "Peacelines" në një komunikatë. Sipas tyre, Izraeli duhet t'i japë fund bllokadës së Gazës, të gjitha vrasjeve dhe të bëjë të mundur që Gaza të hapet për botën për të mundësuar një ekonomi të qëndrueshme. Palestinezët duhet t'u japin fund të gjitha sulmeve me raketa në drejtim të Izraelit dhe izraelitëve.