E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, banorët e fshatit Iliras, kundër marrjes me koncesion të 8 ha tokë

Banorët e fshatit Iliras në Komunën e Qesaratit në rrethin e Tepelenës, kanë denoncuar marrjen me koncesion të 8 ha tokë nga kreu i kësaj njësie vendore. Për këtë fakt ata kanë vënë në dijeni institucionet shtetërore por deri më tani duket se ankesat e tyre kanë qëlluar në veshin e shurdhër. Të gjendur përballë indiferencës së administratës shtetërore, ata i janë ankuar ditët e fundit kandidatit për deputet të PS në Qarkun e Gjirokastrës Ethem Ruka. Ky i fundit është njohur rastësisht me këtë çështje gjatë një takimi spontan me banorët e Ilirasit ku këta të fundit pretendojnë se ky rast është abuzim me pushtetin të kryetarit të Komunës Qesarat Arjan Zeqaj që i përket PD. Sipas banorëve kryekomunari i zonës ka marrë me koncesion një sipërfaqe prej 8 ha për 99 vjet në fshatin Iliras duke vendosur dhe firmosur vetë për marrjen e kësaj sipërfaqe. Kjo ka hedhur hije dyshimi për një procedurë të korruptuar tek banorët e Ilirasit të cilët e kanë marrë vesh si rast dy muaj pas veprimit konkret të kryekomunarit Zeqaj. Kryetari i komunës nuk ka marrë mendimin e askujt dhe nuk ka pyetur askënd për të bërë të vetin për 99 vjet sipërfaqen tokësore që është e fshatit dhe jo e një personi të vetëm-janë shprehur të irrituar banorët e fshatit Iliras. Ky është një rast i pastër flagrant i abuzimit me postin-janë shprehur banorët ankesa e të cilëve nuk është dëgjuar deri tani nga organet shtetërore. Për këtë ata kanë kërkuar ndihmë nga kandidati për deputet i PS, Ethem Ruka. Nga ana e tij zoti Ruka ka marrë në konsideratë shqetësimin e banorëve të fshatit Iliras për këtë rast të dyshuar abuzimi dhe korrupsioni të konstatuar nga vetë ata dhe ka premtuar se kjo çështje do të zgjidhet pas 28 qershorit. Të gjithë juve do të njiheni me veprimet e shtetit ligjor ndaj kujtdo që shkel ligjin pas 28 qershorit me vendosjen e shtetit të së drejtës, është shprehur kandidati i PS për deputet Ethem Ruka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›