E Shtunë, 31 Tetor 2026

2050 studentë për në Universitetin e Elbasanit

Një numër rekord studentësh do të presë vitin e ardhshëm akademik Universiteti i Elbasanit, duke thyer çdo lloj pritshmërie. Rektorati i këtij universiteti ka dërguar marrë viston për të strehuar në mjediset e kampusit të vet 2050 studentë të rinj, që pritet të ndjekin studimet e larta në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të qytetit të Elbasanit për vitin akademik 2008 – 2009, ku përfshihen edhe kuotat për shqiptarët jashtë trojeve.

Rektori i këtij universiteti, Liman Varoshi, tha se "konkretisht janë propozuar 2050 studentë për sistemin e ditës, ku prej tyre 90 për shqiptarët jashtë trojeve, si dhe 760 për sistemin me kohë të pjesshme".

Në këtë mënyrë ky universitet do të ketë 1300 kuota për sistemin me kohë të plotë, ose dyfishin e kuotave që do të pranojë për sistemin me kohë të pjesshme. Ndërkohë që nuk dihet ende se sa shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë do të përfitojnë në sistemin me kohë të pjesshme.

Sipas rektorit Lumani, këto kuota janë parë si të arsyeshme nisur edhe nga kapacitetet e ambienteve dhe kërkesat për çdo degë, ndërkohë që ato përputhen me sallat e disponueshme që ka ky institucion. Ai shtoi se vitin akademik 2007-2008, numri i kuotave ishte 1665 studentë.

Në këtë mënyrë brenda një viti janë shtuar rreth 400 kuota në krahasim me vitin e kaluar akademik, ose një e katërta e numrit të studentëve.

Duke nënvizuar se për këtë vit kuotat janë rritur në degët Gjuhë–Letërsi, Frëngjisht, Matematikë–Fizikë, rektori Varoshi tha se "kërkuam rritjen e këtyre kuotave duke marrë parasysh faktin se Universiteti "Aleksandër Xhuvani" plotëson të gjitha kushtet për të pritur këtë numër studentësh".

Korpusi qendror i universitetit është shtuar me dy godina të reja, njëra në ambientet e korpusit qendror dhe tjetra pranë Fakultetit Ekonomik, ndërsa godina ekzistuese është rindërtuar tërësisht.

Këtë vit akademik në universitetet shqiptare do të pranohen më shumë studentë se kurdoherë tjetër, duke shtuar numrin e pranimeve me mbi 2000, pas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Numrin më të madh të tyre edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik do ta përballojë Universiteti i Tiranës, i pasuar nga Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor. Ndërkohë që për herë të parë, universitete si ai i Elbasanit dhe i Vlorës do të kenë një numër rekord studentësh, që kalon 2 mijë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›