Elemente të luftës kundër korrupsionit në administratën tatimore
Ka më se një vit që, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane, ka filluar zbatimi i Projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit, për modernizimin e legjislacionit dhe administratës tatimore. Tashmë, pas kaq muajsh punë e përpjekje, kemi një ligj të ri për procedurat tatimore, një drejtori të veçantë për sigurimin e shërbimeve për tatimpaguesin e cila mbulon edhe Degën e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Degën e Tatimeve Tiranë, një mundësi konkrete që tatimpaguesit e mëdhenj të deklarojnë TVSH-në dhe tatime të tjera, nëpërmjet internetit, pa qenë e detyrueshme të kontaktojnë me zyrtarët tatimorë etj., të cilat shprehen qartë edhe në një spot publicitar që transmetohet ditët e fundit në disa kanale televizive. Por cili ka qenë dhe mbetet thelbi i këtij investimi të qeverisë amerikane? Një legjislacion i thjeshtë, me rregulla dhe procedura të qarta, një mjet kryesor që, ndër të tjera, synon luftën kundër korrupsionit në administratën tatimore. Një mjet tjetër dhe mjaft i rëndësishëm është transparenca në punën e administratës tatimore ose vënia në dispozicion të bizneseve të legjislacionit, rregullave, procedurave dhe udhërrëfyesve administrativë, me anë të një komunikimi ndryshe me biznesin dhe me të tjerë të interesuar për njohjen dhe zbatimin e legjislacionit tatimor. Qëllimi është i qartë: të rritet shpejtësia e komunikimit me biznesin, që t’i sigurojë këtij të fundit në kohën e duhur informacionin e domosdoshëm që të kursejë sa më shumë të jetë e mundur kohën e dobishme për kryerjen e veprimtarisë ekonomike, duke eliminuar barrierat, ose kostot shtesë dhe të panevojshme administrative. Me pak fjalë, synohet vendosja e një balance të drejtë ndërmjet të drejtave të biznesit dhe detyrave, ose fuqisë ligjore të administratës tatimore, e cila përfaqësohet nga praktikat e kontrollit dhe investigimit tatimor, ose një dialog i hapur dhe konstruktiv me tatimpaguesin, përfaqësuar nga organizatat profesionale të biznesit si dhomat e tregtisë etj. për të siguruar një trajtim të drejtë dhe të paanshëm të të gjitha bizneseve pa dallim, një konkurrencë të ndershme në treg, që nënkupton një kontroll dhe investigim tatimor të fokusuar mbi ato fusha të ekonomisë ku në mënyrë të dukshme, bizneset bëjnë shmangie, evazion dhe mashtrim tatimor. Natyrisht, një punë e tillë do të kërkonte zyrtarë tatimorë me një nivel profesional në raport me kërkesat e kohës, gjithashtu dhe etikë në veprimet e tyre, gjë që do të siguronte të gjitha kushtet për mbledhjen e sa më shumë të ardhurave. Pikërisht, për këtë rëndësi të veçantë ka automatizimi i veprimeve administrative, ose zvogëlimi i kontakteve të administratës tatimore me bizneset, gjë që do të dëshmonte shkallën e reformimit dhe modernizimit të administratës tatimore, si dhe çfarë marrëdhëniesh ka arritur të krijojë administrata tatimore me bizneset e sektorit privat. Qëllimi i projektit ishte dhe mbetet mjaft i qartë: bizneset të jenë të barabartë përpara ligjit; të kenë kurdoherë sigurinë se ndaj tyre do të zbatohet vetëm ligji, të jenë të garantuar se atyre do t’u mbrohet sekreti tregtar, të kenë të drejtën të apelojnë për çdo veprim ose mosveprim të administratës tatimore, si dhe të dëgjohen dhe të jenë të përfaqësuar në lidhje me të drejtat e tyre. Pikërisht, këto dy të fundit ende nuk janë të qarta për bizneset. Ligji i ri për procedurat tatimore e bën tejet të qartë se bizneset duhet të jenë të gatshëm dhe të saktë në marrëdhëniet e tyre me administratën tatimore; të paguajnë të gjitha detyrimet tatimore në kohën e duhur; të mbajnë rregullisht librat kontabël dhe regjistrimet; të ruajnë gjithnjë librat kontabël dhe regjistrimet; të plotësojnë në kohë dhe saktë deklaratat tatimore; t’u sigurojnë inspektorëve tatimorë librat dhe të dhënat; t’u sigurojnë inspektorëve tatimorë informacionin e duhur në lidhje me biznesin e tyre; t’u sigurojnë inspektorëve tatimorë informacion për palët e treta; të lejojnë hyrjen e inspektorëve tatimorë në mjedisin e biznesit; si dhe të pranojnë sanksionet ligjore në rastet kur vërtetohen shkelje të legjislacionit tatimor. Sikundër shihet, ligji i ri për procedurat tatimore është mjeti që kërkon nga administrata tatimore zgjidhjen e problemeve në lidhje me përmirësimin e programeve të informimit dhe ndihmës për bizneset, me anë të sigurimit të shërbimeve më të mira për tatimpaguesit, ose ndryshimin e mentalitetit të deritanishëm të zyrtarëve tatimorë në marrëdhëniet e tyre me bizneset, ose krijimin e një kulture të re që t’i trajtojë bizneset ashtu siç trajtojnë bizneset klientët ose konsumatorët e tyre. Mënyra si do të përvetësohet kjo kulturë nga zyrtarët tatimorë për të qenë në gjendje dhe të gatshëm t’i sigurojnë tatimpaguesit shërbim të vërtetë, në fakt, është sfida e vërtetë e administratës tatimore në kuptim të zbatimit të ligjit të ri për procedurat tatimore. Kuptohet se ligji i ri nënkupton një strukturë të re organizative, që do t’i përgjigjet më mirë nevojës për të pasur një degë tatimesh të organizuar në një mënyrë më efektive, gjë që është, ndoshta, një tjetër sfidë prej sfidave të mëdha në lidhje me reformën dhe modernizimin e administratës tatimore. Pa dyshim, ndryshimi duhet të prekë më në fund trajtimin e burimeve njerëzore, duke filluar nga matja e performancës, sepse mungesa e mjeteve për të matur performancën e degëve të tatimeve, bën të mundur që stafi të caktohet jo ashtu siç duhet, por të jetë i shpërndarë në një numër të madh degësh tatimesh të vogla, që nuk operojnë në mënyrë efektive, ku punonjësit tatimor[ i sigurohet një pagë, ose shpërblim i mjaftueshëm dhe i barabartë që tërheq zyrtarë të pa kualifikuar, që nuk njohin dhe zbatojnë kodin e etikës, si një prej mjeteve për të zvogëluar korrupsionin. Një vëmendje të veçantë në zbatim të ligjit të ri të procedurave tatimore meriton koordinimi ndërmjet administratës tatimore qendrore dhe vendore, si dhe me atë doganore etj., një temë shumë e rëndësishme dhe thelbësore kjo për qëllime të TVSH-së, pasi ende nuk ekziston një sistem informacioni efektiv dhe eficient në nivel dege. Problem serioz është, gjithashtu, mungesa e një koordinimi efektiv ndërmjet administratës tatimore dhe asaj të sigurimeve shoqërore, që vërteton se ndarja e funksioneve të mbledhjes ndërmjet administratës tatimore dhe administratave të tjera nuk ka siguruar ende një model efektiv të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale nga ana e administratës tatimore. Edhe pse shërbimet e regjistrimit, ndryshimi i rregullave, proceseve dhe procedurave kanë kaluar në kompetencën e QKR-së ende nuk janë stabilizuar, çka bën të mundur, gjithashtu, administrimin dhe kontrollin e borxhit tatimor, për shkak të mungesës së informacionit të saktë mbi borxhet si një prej vështirësive që administrata tatimore, sepse pa këtë informacion ajo nuk mund të monitorojë, të kontrollojë dhe të administrojë siç duhet borxhin tatimor, aq më shumë të përcaktojë se çfarë borxhi tatimor mund të mblidhet dhe çfarë jo, si dhe ku mund të ketë para për të marrë, gjë që, në fund të fundit, nuk të lejon të jesh efektiv, ose të kesh një strategji efektive të masave shtrënguese, çka u vu në dyshim nga bizneset me rastin e ligjit për faljen e borxheve. Kontrolli tatimor dhe investigimi si problemi më i rëndësishëm në zbatimin e ligjit të ri për procedurat tatimore, kanë gjetjen e metodave, ose sistemeve të përzgjedhjes për të marrë vesh se në cilat fusha paraqitet rreziku kryesor në mbledhjen e të ardhurave të parashikuara tatimore ku duhet fokusuar kontrolli tatimor sidomos në rastin e kontrollit të TVSH-së, ku ende vihen re vështirësi madhore në administrimin e tij. Po ashtu, problem mbetet sistemi i rimbursimit të TVSH-së me vonesat, me procedurat, me kontrollet e dokumentacionit etj., i cili edhe pse po punohet me intensitet për hartimin e strategjisë së kompjuterizimit, ndeshet ende me vështirësitë që stafi i teknologjisë së informacionit në gjetjen e konsensusit me administratorët tatimorë për të rënë në ujdi se cila strategji duhet përdorur, sepse supozohet që një sistem i kompjuterizuar mund ta mbështesë mjaft mirë stafin në përzgjedhjen e tatimpaguesit për kontroll tatimor. Një strategji e tillë përfshin edhe financën, si dhe kontabilizimin e detyrimeve tatimore dhe ato të kontributeve të sigurimeve shoqërore, shkëmbimin e informacionit etj. Ligji i ri për procedurat tatimore është një mjet universal, që kërkon nga administrata tatimore t’u japë zgjidhje problemeve që rezultojnë për shkak të kufizimit të burimeve që i vihen në dispozicion administratës tatimore dhe parashikimit të të ardhurave nga qeveria, sepse ende jemi larg që të bëhet e mundur që administrata tatimore të ketë numrin e domosdoshëm të zyrtarëve tatimorë dhe fonde monetare të bollshme për të kryer funksionet e saj. Duke filluar nga Ministria e Financave, administrata tatimore, bizneset, strukturat e apelimit tatimor, gjykatat dhe media, Instituti i Ekspertëve Kontabël etj., janë të interesuar që problemeve t’u jepet zgjidhja më e mirë. Është e pamundur të zgjidhen të gjitha menjëherë, prandaj në këto rrethana administratës tatimore i duhet t’u japë zgjidhje problemeve më kryesore, për të cilat duhet të përgatisë një skenar që do t’u përgjigjej mirë çështjeve të tilla si: Çfarë duhet përmirësuar me të vërtetë dhe ku duhen investuar paratë? Inkurajimi i zbatimit pa masa shtrënguese të legjislacionit tatimor nënkupton veprimin e administratës tatimore në drejtim të strategjisë së komunikimit të jashtëm, dhe qartësisë në rritje të legjislacionit tatimor për tatimpaguesit me anë të konsultave dhe vizitave te tatimpaguesi. Strategjia e komunikimit nënkupton një fushatë informacioni të adresuar mirë, me qëllim që të ekspozohen të gjitha padrejtësitë sociale që shkakton mosregjistrimi i tatimpaguesit në organet tatimore, mosdeklarimi i të ardhurave të tatueshme, kostot e moszbatimit të legjislacionit tatimor, si dhe përpjekjet që bën administrata tatimore për të luftuar tregun informal. Synimi i fushatës së informimit të tatimpaguesit do të duhet të përfshijë një rreth më të gjerë të popullsisë dhe sektorë specifikë, me qëllim që t’i informojë tatimpaguesit në lidhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre tatimore, si dhe të inkurajojë zbatimin e legjislacionit tatimor. Strategjia duhet të përfshijë, gjithashtu, një program monitorimi (ndjekje hap pas hapi) për të siguruar shpërndarje të plotë dhe të gjerë të materialeve informative dhe udhëzuese, e cila do të shoqërohej nga administrata tatimore me një program konsultash dhe vizitash në mjediset e tatimpaguesit. Kjo rrugëzgjidhje do të merret kryesisht me fushat e synuara të moszbatimit tatimor, duke i vizituar këto fusha për të mbledhur informacion të herëpashershëm, si dhe për tatimpaguesit e vëzhguar në lidhje me ndikimin e iniciativave të administratës tatimore. Tejkalimi i të ardhurave tatimore gjatë periudhës së 6-mujorit të parë të vitit 2008 është një domethënie premtuese, e cila duhet ta orientojë administratën tatimore drejt një bashkëbisedimi të përhershëm, nga i cili do të sigurojë një informacion dhe opinion të vlefshëm për fushat, shkallën dhe metodat e korrupsionit.
* ) Administrator dhe ekspert kontabël i autorizuar
* ) Administrator dhe ekspert kontabël i autorizuar