E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi i SHSSH-së: Mungon profesionalizmi i punonjësve socialë

Punonjësit e Institucioneve Publike dhe Jopublike të Përkujdesit Social (IPSH) për Fëmijët në vend, duhet të tregojnë më shumë profesionalizëm, bazuar në standardet e miratuara nga qeveria. Ky është përfundimi sipas një inspektimi të bërë në 71 inspektimet e kryera nga Shërbimi Social Shtetëror gjatë periudhës janar-qershor në qendrat e përkujdesit shoqëror në vend.

Këto inspektime kanë evidentuar nevojën e një pune më të mirë dhe të kualifikuar nga punonjësit e qendrave të përkujdesit social, të cilët duhet të punojnë me profesionalizëm për dokumentacionin e fëmijëve, si bazë për njohjen e procesit të rritjes dhe specifikave personale të tyre.

Ofrimi i shërbimeve të standardizuara sociale, të cilat po zbatohen në të gjitha institucionet, kanë sjellë vështirësi të natyrshme në kryerjen e tyre, vlerëson SHSSH-ja, i cili në kuadër të zbatimit të standardeve në Institucionet Publike dhe Jopublike të Përkujdesit Social (IPSH) në vend ka ndërmarrë një proces trajnimi për drejtuesit e këtyre institucioneve, punonjësit socialë, edukatorët dhe stafin mbështetës të qendrave të përkujdesit social.

Standardet e Shërbimeve për Fëmijët në Institucionet Rezidenciale, janë përmbledhur në një dokument, i cili përcakton qëllimin e shërbimeve, planin e përkujdesjes, përgatitjen për jetesë të pavarur, ushqyerjen, paraqitjen, veshjen dhe nevojat materiale, shëndetin fizik, emocional, mendor e dentar, edukimin, argëtimin, ankimimin, mbrojtjen nga abuzimet, mjedisin dhe akomodimin, stafin dhe menaxhimin.

Në 24 qendra ditore dhe 17 rezidenciale jopublike në vend janë trajtuar gjithsej 6354 fëmijë (270 rezidenciale). Shifrat e SHSSH-së tregojnë se rreth 90% e fëmijëve trajtohen në format alternative jorezidenciale të shërbimit. Shtëpitë publike dhe jopublike të jetimëve kanë pranuar, me vendim komisioni, 93 fëmijë gjithsej (54 fëmijë në institucionet jopublike dhe 39 fëmijë në institucionet publike). Numri i birësimeve të fëmijëve gjatë këtij viti shënon 16 fëmijë, ndërkohë që rreth 63 fëmijë të tjerë jetimë kanë fituar statusin e jetimit.

Mjekët

Gjatë verës kujdes me temperaturat e larta

Temperaturat e larta dhe ekspozimi i pakujdesshëm në diell shkaktojnë probleme të mprehta shëndetësore, siç janë rritja e temperaturës së trupit, goditje nga dielli, humbje të madhe e lëngjeve e kripërave dhe djegie akute dhe kronike të lëkurës. Nga këto probleme rrezikohen jo vetëm fëmijët dhe të moshuarit si kategoria me e ndjeshme, por edhe mosha alternative, thonë specialistet e shëndetësisë.

Për të parandaluar këto probleme, Drejtoria e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë këshillon shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, mbrojtjen e pjesëve të rëndësishme të trupit, përdorimin e kremrave mbrojtës, konsumimin me shumicë të ujit e të ushqimit të kontrolluar dhe lëngjeve të tjera gjatë ditës dhe moskonsumimi i pijeve alkoolike apo duhanit.

“Është e rëndësishme që individët, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike si, sëmundje të zemrës, tensionit arterial, sëmundje të veshkave, të mëlçisë, trurit, enëve të gjakut etj., janë më të predispozuar për të ndier pasojat e veprimit të këtyre faktorëve, prandaj kërkohet që ata të tregohen shumë më të kujdesshëm”, - u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini.

Për sensibilizimin e opinionit publik në lidhje me masat parandaluese të pasojave të rrezeve te diellit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik po zhvillojnë fushatën e përvitshme që ka nisur me qendrat shëndetësore të kryeqytetit, në të cilat janë shpërndarë fletëpalosje me këshilla shëndetësore për ditët e nxehta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›