Heqja e “Ismail Qemalit”; Rektori i Universitetit të Vlorës: Nuk jap dorëheqjen
Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, edhe pse diçka të tillë e kishte paralajmëruar një ditë më parë tek pasardhësi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora, me anë të një letre të dërguar. Madje, Shaska deklaroi se do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e tij, për heqjen e krijuesit të shtetit shqiptar nga emri i universitetit, në të cilin një vit më parë u zgjodh rektor.
Shaska: Nuk jap dorëheqjen
“Nuk do të jap dorëheqjen dhe nuk kthehem pas nga ajo që kam nisur”, – deklaroi rektori i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Tanush Shaska pas kërkesës për një veprim të tillë nga pasardhësit e Ismail Qemalit. Ai u kërkoi ndjesë banorëve të Vlorës për debatin e ngritur, por deklaroi se është një veprim i nevojshëm. Madje, Shaska theksoi se arsyeja e një vendimi të tillë nga ana e senatit akademik ishte vetëm për arsye akademike.
“Propozova heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës vetëm për arsye akademike dhe jo për ndonjë motiv tjetër”, – theksoi rektori i Universitetit të Vlorës. Në një letër dërguar një ditë më parë ai kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen në rast se vendimi i tij ishte i gabuar.
Deklarata e rektorit
Deklarata e rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë iu dërgua Nedin Vlorës, një prej pasardhësve të krijuesit të shtetit modern shqiptar. Në këtë letër, të nënshkruar nga rektori Shaska, shkruhej se veprimi i senatit akademik ishte në të mirë të Universitetit të Vlorës dhe se emri i Ismail Qemalit do t`i mbetej godinës së universitetit, por jo vetë institucionit, duke hedhur poshtë çdo zë se veprimi ishte i qëllimshëm, për arsye antikombëtare.
Në këtë letër, rektori kishte deklaruar se në rast se nuk mbështetej nga instancat e tjera shtetërore, do të jepte dorëheqjen për gabimin e bërë. Nedin Vlora konfirmoi nga Bari i Italisë ku jeton për këtë qëndrim të rektorit të Universitetit të Vlorës, duke thënë se në e-mail shkruhej se nëse vendimi ishte jokorrekt, atëherë do të jepte dorëheqjen.
Përplasja për emrin
Si furtunë në qiell të hapur erdhi vendimi i senatit akademik të Universitetit të Vlorës, për heqjen nga emri i tij, të Ismail Qemalit. Kundër këtij vendimi u rreshtuan të gjithë rektorët e dekanët e universiteteve të vendit, por edhe skena politike. Në senatin akademik vendimi u mor me 8 vota pro e 6 kundër, pas propozimit të vetë rektorit.
“Një vendim në mes të vapës”, e cilësoi ish-rektori i Universitetit të Tiranës, e dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë, prof. dr. Shezai Rrokaj dhe “tejkalim kompetencash” u vlerësua nga rektori i UT-së, prof. dr. Dhori Kule.
Edhe Kryeministri kundërshtoi këtë propozim duke deklaruar se Këshilli i Ministrave që ka këtë kompetencë, nuk do ta hiqte emrin e universitetit.