E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 [+/- një] ngjashmëri midis Enverit dhe Berishës

Share

Nga Altin Ketro

Teksa lexon librin Enver Hoxha me autor gazetarin Blendi Fevziu, kushtuar ish diktatorit shqiptar, natyrshëm kupton disa ngjashmëri interesante midis tij dhe kryeministri Berisha. Kam përzgjedhur 21 syresh që po i listoj më poshtë, duke lënë vend edhe për ata që do e lexojnë këtë libër, për ti pasuruar më tej ngjashmëritë.

1.    Të dy u rritën nën kujdesin e xhaxhallarëve, respektivisht Enveri nga xhaxha Ceni (Hyseni) dhe Berisha nga xhaxha Zeqiri, të cilëve që të dy i referohen se u detyrohen shumë.

2.    Të dy kanë më shumë se një datëlindje, Enveri 4 e Berisha 2 dhe përfundimisht janë stabilizuar në muajin tetor me diferencë vetëm një ditë nga njëri-tjetri.

3.    Të dy kanë patur pasion librat në rininë e tyre, ndonëse më vonë Enveri e ruajti këtë pasion dhe pati fatin, për shkak të sistemit që drejtonte, për të shkruar kujtime të manipuluara që fshihnin të kaluarën e tij të errët, kurse Berisha hoqi dorë nga librat dhe nuk e pati fatin ti shkruajë kujtimet e veta sepse vet sistemi që jeton, nuk ia jep dot mundësinë e manipulimit.

4.    Të dy e kanë njohur dhe shijuar jetën pariziene dhe ndër gjuhët e huaja që flisnin, frengjishtja i bashkon si gjuha që e flisnin më rrjedhshëm.

5.    Të dy hynë rastësisht në partitë që zaptuan më pas.

6.    Të dy ishin në prag përjashtimi nga partia dhe me makinacione ia dolën të mbijetonin.

7.    Të dy hynë triumfatorë në Tiranë, Enveri në 44-ën, Berisha në 92-in, pasi kishin marrë personalisht meritat për rrëzimin e rregjimeve, përkatësisht, nazi-fashist dhe komunist.

8.    Të dy kishin maninë për të qenë prezent 24 orë përpara shqiptarëve, Enveri nëpërmjet fotografive, Berisha nëpërmjet kronikave të përditshme televizive.

9.    Të dy organizonin proçese votimi të montuara a manipuluara dhe këtë e konsideronin si plum mbi armikun e brendshëm e të jashtëm a triumf të demokracisë.

10.    Të dy ndanin karaktere dhe ambicie të forta për pushtet të pakufizuar personal.

11.    Të dy vuanin nga paranoja e rrëzimit nga pushteti.

12.    Të dy, Enveri diktator, Berisha autokrat (kjo për shkak se qeveris në demokraci).

13.    Të dy eleminonin themeluesit, shokët dhe bashkëpuntorët, Enveri i vriste, Berisha i degradon.

14.    Të dy u vinin epitete fyese jo vetëm kundërshtarëve politikë, Enveri – BK-së e Legalitetit, Berisha – PS-së, por edhe atyre që u dilnin kundër brenda rradhëve të tyre.

15.    Të dy kishin ndjenjën e hakmarrjes politike.

16.    Të dy kishin maninë ta shpallnin Shqipërinë mdis shteteve të tjera, si të parën në shumë fusha të jetës.

17.    Të dy i vinin shumë rëndësi anës propagandistike për pushtetin e tyre, duke përdoruar pa kriter e abuzivisht TV shtetëror, gazetat zyrtare të partive, ZP e RD dhe gazetat bijëza, Bashkimi… e 55…

18.    Të dy, për çdo të huaj, sado i parëndësishëm që të ishte, e deklaronin si mik të madh të shqiptarëve dhe padyshim ata prononcoheshin mediatikisht plot entuziazëm për ndryshimet pozitive që ka pësuar vendi nga qeverisjet respektive.

19.    Të dy lëviznin me masa të ekzagjeruara sigurie nga paranoja se dikush aty pranë do i vriste për krimet a urdhërat keqbërëse që kanë dhënë.

20.    Të dy zotëronin autoritet dhe ndikim të padiskutueshëm tek përkrahësit respektivë, në favor të figurës së tyre, edhe kur ishin në gabim a faj personalisht.

21.    Të dy kishin të njëjtin problem në pleqërinë e tyre, harronin ngjarje, data, personazhe e vende, duke u bërë qesharakë dhe objekt barsoletash me deklaratat e tyre.

22.    Enveri kishte si politikë të tij, censurimin dhe ndalimin e autorëve a shkrimtarëve, vendas e të huaj, prej të cilëve ai kishte frikë se mos me letërsinë e tyre u hapeshin sytë njerëzve për bëmat dhe gjëmat e rregjimit/eve diktatoriale. Ndërkohë që këto ditë po flitet në shtyp se, Berisha nëpërmjet segmenteve të pushtetit të tij, po përpiqet të ndalojë një Shtëpi Botuese të promovojë librin e kundërshtarit të drejtpërdrejtë politik, në një Panair Libri, po kësaj here, për bëmat dhe gjëmat e pushtetit. Ndoshta Berisha reflekton nga njëzetëenjë ngjashmëritë e mësipërme dhe heq dorë deri më datë 9 nëntor nga ngjashmëria e njëzetëedytë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›