Zyra e shtypit e Metës shpërndan përfundimet e ekspertëve: Ja pse u rrëzua video
Pak pasi ekspertët kishin paraqitur përfundimet e tyre për videon Meta- Prifti, zyra e shtypit e kreut të LSI ka shpërndarë mbi 25 faqet e ekspertizës. Ata kanë theksuar pjesët ku duhet të orientohen gazetarët. Gjeni më poshtë disa përfundime nga ekspertiza për videon dhe klikoni tek linku për rezultatet.
Në objektin e ekspertimit provë materiale Orë nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta Prifti, por u gjet një material tjetër audio video, si dhe një seri imazhesh që mbushin memorien e saj. Imazhet nuk kanë origjinë nga kamera e objektit Orë.
Objekti i ekspertimit Orë lejon shkarkimin në pajisjet e tjera elektronike.
Nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes, shkarkimit në lap-top të videos së bisedës Meta- Prifti.
Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë në kuptimin e fshirjes dhe montazhit audio.
Materiali audio video, i ndodhur në DVD, sekuestruar në redaksinë e emisionit Fiks Fare nuk është i njëjtë me materialin e ekspertizës.
Nga analiza e grafikëve të fuqisë audio të bisedës Meta Prifti rezulton se ajo është -3.1 DB deri në 9.2 DB dhe është në pjesë të veçanta e pakuptueshme për veshin e njeriut.
Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i shenjave të ndërhyrjeve e montimeve është i lartë për pjesën audio.
Nga ekzaminimet e regjistrave të Windows-it të lap-topit, objekt ekspertimi, u konstatuan ndërhyrjet që fillojnë me datën e instalimit të Windows-it në lap-top, deri në datë 01 shkurt 2011.