E Diel, 1 Nëntor 2026

21 Janari Basha para komisionit hetimor. Tabulatet reagon Unioni i Gazetareve

Komisioni hetimor, i ngritur nga mazhoranca për hetimin e demonstratës së 21 Janarit ku tre persona mbetën të vdekur dhe shumë të tjerë u plagosën vijon sot punën me dëgjimin e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit do të dëshmojë para anëtarëve të komisionit rreth orës 17:30, ndërkohë që nesër pasdite në seancë dëgjimore do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbmit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri dhe Prokurorja e përgjithshme Ina Rama.

Në datën 3 shkurt ora 17:30 komisioni hetimor ka thirrur për të dëshmuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ndërsa në pasditen e 4 shkurtit Drejtorin e Policisë, Hysni Burgaj dhe Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.´
Seancat dëgjimore nisën dje me kryeministrin Berisha dhe përfundojnë në datën 5 shkurt me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Në seancën e së hënës, Komisioni Hetimor kërkoi që të administrohen tabulatet e telefonave të gazetarëve Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli dhe Mero Baze, dy prokurorëve si edhe ato të kreut të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Ky vendim shkaktoi reagimin e menjëhershëm të unionit të gazetarëve i cili përmes një deklarate për shtyp ngre shqetësimin se vendimi cënon të drejtën themelore për privatësi si dhe kërcënon gazetarët për t’i impklikuar në përballjen politike që pozita dhe opozita ndajnë në realitetin e përditshëm politik.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon pranë këtij Komisioni të tërhiqet mbrapsht një kërkesë e tillë, ndërkohë që u drejtohet institucioneve ligjore të vendit dhe  asosacioneve ndërkombëtare për të reaguar ndaj kësaj kërkese të paprecedent.Unioni i Gazetarëve Shqiptarë  i bën apel cdo individi dhe institucioneve partiake e politike në vend, të  ndërhyjnë që kjo kërkesë e padrejtë të mos përdoret për politizimin e mediave dhe misionit të gazetarëve në realitetin e sotëm. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u drejtohet organizatave prestigjioze ndërkombëtare të  gazetarëve në Botë, të reagojnë ndaj këtij vendimi të komisionit hetimor , duke e vlerësuar reagimin dhe kërkesën tonë si një  nevojë për garantimin e lirisë së mediave dhe gazetarit në realitetin e vendit” thuhet në njoftimin për shtyp të Uunionit të Gazetarëve.

Elona Mamushi

Azhornuar së fundi ( e martë , 01 shkurt 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›