E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi i dekreteve në dyshim, Topi ende nuk i ka firmosur

SHKRUAN: Fejzi Braushi 21-07-2011 12:45

Kuvendi i Shqipërisë mund të mblidhet javën e ardhshme, në një seancë të posaçme për të votuar dy dekretet e Presidentit për emërimin e dy ministrave të rinj në kabinetin qeveritar, Eduard Halimin si Ministër të Drejtësisë dhe Aldo Bumçin, si ministër të Kulturës. Kjo, pasi gjatë seancës së sotme, që është parashikuar të jetë dhe seanca e fundit për këtë sesion parlamentar, miratimi nuk është i sigurt, për shkak se Presidenti Topi mundet të mos i firmosë propozimet e kryeministrit Berisha, deri para fillimit të seancës plenare. Burime pranë maxhorancës kanë bërë të ditur se ka mundësi që dekretet e presidentit nuk do të jenë gati para fillimit të seancës së sotme plenare, megjithëse drejtuesit e Kuvendit kanë vendosur që t’i japin kohën e duhur, duke e shtyrë nisjen e seancës për në orën 11:00. Vonesë kjo që mund të përkthehet vetëm si një përgjigje e kryetarit të shtetit për akuzat që mazhoranca i ka bërë ditët e fundit, në debatin për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, por edhe për një sërë veprimesh të tjera të shumicës, siç ishte dhe leximi i votës së Presidentit nga ana e KQZ-së. Megjithatë, në rast se kjo do të ndodhë, dhe dekretet nuk do të jenë gati për seancën e sotme plenare, atëherë burime nga ana e Kuvendit kanë bërë të ditur dje se do të jetë e nevojshme që të thirret një seancë tjetër, e cila si rend të ditës do të ketë vetëm miratimin e dekreteve për emërimet në qeveri. Kjo do të shënonte dhe një shfaqje të hapur të konfliktit që tashmë është prezent më shumë se kurrë, mes kreut të shtetit dhe mazhorancës qeverisëse, e cila me anë të përfaqësuesve të saj ka deklaruar ditët e fundit se nuk do ta votonte më, për një mandat të dytë vitin e ardhshëm. Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, e ka konsideruar mosdekretimin e dy emërimeve brenda ditës së sotme si një gjë shumë të rëndë, madje më të rëndë, tha ai, se vota e tij kundër Lulzim Bashës. “Presidenti nuk mund të mos i dekretojë ministrat, pasi në këtë proces ai është thjesht një noter” - theksoi Patozi.

Emrat e rinj që pritet të dekretohen janë Eduard Halimi, i cili është zgjedhur në 2009-ën deputet, ndërsa më herët ka qenë zv/ministër i Drejtësisë. Ai kryesoi intensivisht për një muaj komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit. Ndërkaq, Aldo Bumçi rikthehet pas gati 4 vjetësh në qeverinë e djathtë. Për dy vite rresht, pas zgjedhjeve të 2005-ës, ai ishte Ministër i Drejtësisë. Emërimi i tij në një tjetër post, duke sjellë edhe rikthimin në kabinetin qeveritar, është një shpërblim i hapur për kryetarin e PD-së së Tiranës, për fushatën në zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet. Dy vendet vakante në kabinetin Berisha ishin që para zgjedhjeve të 8 majit, ku dy ministrat, Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferri, kandiduan për kryetar Bashkie. Lëvizja e kryeministrit në atë kohë ishte zhvendosja e Bujar Nishanit, nga posti i Ministrit të Drejtësisë në atë të Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq seanca e sotme përveç dekreteve, pritet që të miratojë dhe paketën fiskale të sjellë nga qeveria, si dhe një sërë marrëveshjesh të tjera që ditët e fundit kanë kaluar nëpër komisione. Në mënyrë përfundimtare shtyhen për në shtator dy projektligjet, që kanë të bëjnë me çështjet e pronësisë së tokave bujqësore, si dhe projektligji për transmetimet me zë dhe figurë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›