Komiteti ndërministror për emergjencat, Nishani: Ne, aty ku është problemi
Ka nisur mbledhja e Komitetit ndërministror për emergjencat civile për marrjen e masave të duhura në përballimin e situatës në vend. Gjatë fjalës së tij Nishani tha se ngritja e shtabit qendror për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës do jetë 24 orë në gatishmëri dhe në kontakt me nevojat dhe emergjencat, në zbatim të një plani veprimi.
Ministri i Brendshëm tha se në krye të këtij operacioni do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile që do merret me shkëmbimin e informacionit me një sërë institucionesh lokale e qendrore, ndërsa theksoi se po përgatiten edhe rezervat ushqimore për tu shpërndarë.
Më tej ai shtoi se do të vihen në veprim 5 borëpastruese, ku 2 do të veprojnë në Rrugën e Kombit, 1 në aksin rrugor Qafë Thanë- Korçë- Kapshticë. Po kështu një borëpastruese do të vihet në dispozicion për aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë dhe një për akset rrugore Shkodër- Pukë- Qafë Mali.Në vazhdim ai ndau dhe përgjegjësitë ndaj Ministrive përkatëse, pjesë të komitetit, për një kordinim sa më efikas të situatës.
“Për MPPT kërkohet menaxhim dhe monitorim i kontratave për mirëmbajtjen e rrugëve, të monitorohet menaxhimi i mjeteve si skorje dhe kripë, të nevojshme për zhbllokimin e rrugëve.
MM, të sigurojë rezerva të nevojshme për gjenë e gjallë, në zonat e bllokuara, apo kërkesash në vazhdim.
MSH të sigurojë furnizimin e plotë në rast kërkesash nga emergjencat rajonale, një ekip mjekësh në gjendje gadishmërie në rast nevoje.
MASH do të mbajë nën kontroll procesin e mësimëdhënies, kushtet apo vendimet për pezullimin e procesit në varësi të situates”.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë kryeministri Berisha njoftoi ngritjen e këtij komiteti të emergjencave për të ndihmuar zonat e izoluara nga dëbora ndërsa shtoi se ky komitet do të kryesohet nga ministri i brendshëm Bujar Nishani.
“Është e domosdoshme të krijojmë komitetin ndërqeveritar të përballimit të kësaj situate të kryesuar nga ministri i brendshëm po ku do të jenë të pranishëm drejtoritë e institucioneve të tjera, ministria e mbrojtjes, ministria e punëve publike, ministria e shëndetësisë, ministria e bujqësisë, ministria e arsimit. Ky komitet duhet të ndjekë 24 orë situatën në zonat e izoluara nga dëbora. Të gjitha potencialet duhet të vihen në fuksion të një ndihme në radhë të para mjekësore dhe së dyti furnizimet e mundshme duke qënë në kontakt edhe me kryetarët e komuinave” ka shtuar më tej Berisha.