E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 Maji, dita e flamurit pa yllin e komunizmit.

Nga Bedri ÇOKU
Po afron 21 Maj, dita  kur shpërtheu një nga ngjarjet më të bujshme antikomuniste,   Kryengritja e të Burgosurve Politikë, në burgun e Spaçit. Por absurdi i këtyre 18 viteve ka qenë dhe është sepse, kjo ngjarje, e vetmja në të gjithë historinë e kampit komunist, jo  që nuk është përkujtuar zyrtarisht nga Shteti Demokratik, qoftë edhe formalisht, por me format tashmë të njohura dhe deklarimet se demokracinë në Shqipëri e sollën    komunistët e devotshëm, me Ramiz Alinë në krye, ka bërë që antikomunistët e vërtetë që u vranë, u burgosën apo u internuan me dekada të tëra dhe fëmijët e tyre që iu nënshtruan luftës së pamëshirshme të klasës sot denigrohen, fyhen apo më e keqja, detyrohen të heshtin ose mundësisht edhe të shpifin kundra kësaj ngjarjeje, e cila, në një farë mënyre, vendosi dinjitetin kombëtar me ngritjen e Flamurit, pa yllin, simbolin e komunizmit. More, Bedri, më thoshte një ditë një nga protagonistët e famshëm të Kryengritjes, pikërisht, Luan Burimi, i cili jeton në emigracion, si ore nuk dëgjova apo nuk lexova  diçka gjatë këtyre viteve ku të thuhej të paktën se në kohën e diktaturës ka pasur dy vetë, apo ja, pesë, që e kundërshtuan atë regjim antinjerëzor, antikombëtar. Në fund të fundit është  krenari kombëtar që bota, e cila na monitoron, të mësojë se ka pasur edhe  shqiptarë që e kanë urryer komunizmin. U çanë gazetat dhe mediat vizive duke treguar vetëm bëmat dhe heroizmat e diktatorëve e të krimineleve në Shqipëri. Sikur ende vazhdojnë mbledhjet e Byrosë Politike në Komitetin Qendror me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Sulo Gradecin, Hysni Kapon... të cilët po grinden, po shamatosen për zhvillimin me konseguencë të luftës së klasave, fytyrat e shëndetshme e me pamje artistike të të cilëve i shohim përditë në faqet e gazetave e të ekraneve. Marrëzisht po pyetet populli ende se me cilët janë e, kë preferojnë më shumë, Enverin apo Ramizin, Mehmetin apo Kadriun...? Skandal i vërtetë! Turp!...Nuk dëgjojmë në asnjë vend, as nuk shohim në asnjë ekran cilat kanë qenë përmasat e diktaturës në Shqipëri, çformë pati ajo dhe sa njerëz të pafajshëm mori në qafë, sa intelektualë, artistë, shkrimtarë dhe shkencëtarë u zhdukën ose u burgosën për të vetmen arsye se nuk   përshtateshin me administratën injorante dhe xhahile të regjimit, ngaqë ishin intelektualist më lart e me histori familjare kryekëput ndryshe nga çparapëlqente  diktatura. Të lihet përshtypja sikur në 92-shin u rrëzuan bustet dhe u dogjën vetëm ca makina. Kaq. Ndërsa në planin politik e moral, Shqipëria vazhdon të nanuriset ende me   figurat politike që brumosi Partia, Enveri dhe Ramizi. Si mund të shkohet në Evropë kur njerëzit e masakruar nga diktatura ndodhen ende moralisht dhe ekonomikisht në statusin e 90-91-shit, ndërsa njerëzit e nomenklaturës komuniste, fëmijët e familjaret e tyre, që populli në ato vite i rrezoi nga karriget e pushtetit të përgjakur, sot janë bosët e Shqipërisë e të Ballkanit? Kjo ishte ligjërata e mikut tim, i cili ndien dhimbje për njerëzit që vuajtën në Diktaturë dhe fatkeqësisht gjenden ende pa asnjë mbështetje morale, politike dhe ekonomike. Pas 18 vjetësh postkomunizëm mund të thuhet me të drejtë: Ku ishe, asgjëkund! Çfarë bëre, hiçasgjë! Ata që u tretën burgjeve e internimeve, që vuajtën dhe punuan në kushtet e skllavërisë komuniste, jo vetëm që nuk janë  shpërblyer kurrë për çka u takonte ligjërisht për punën e pa paguar, por nuk dëgjuan qoftë edhe një fjalë të ngrohtë e vlerësuese, nga ata që  morën pushtetin, premtuan në emër të lirisë e të  demokracisë... 21 Maj i vitit 1973 më siguri që kjo datë, në një vend tjetër ish komunist, do të ishte përkujtuar si një ngjarje e Madhe e Dinjitetit Kombëtar, si një nga kryengritjet më në zë kundra diktaturës komuniste, e cila ashtu siç u organizua dhe u realizua pati një jehonë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ngjarje, e cila tregoi edhe një herë se edhe diktatura më e egër në botë, nuk arrin dot ta mposhtë kurrë një popull, i cili e do atdheun e tij e do lirinë dhe  demokracinë... 21 Maji i vitit 1973 ishte një klithmë kundra regjimit, i cili me vendim të Byrosë Politike të asaj kohe, deklaroi botërisht se nuk do të bashkohej kurrë me nismën  paqësore  të të gjitha vendeve të Evropës, Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropianë, ishte thirrje jo vetëm për shqiptarët brenda e jashtë atdheut që të bashkoheshin kundra mynxyrës që po përgatisnin komunistët për Shqipërinë, pikërisht baballarët dhe gjyshërit e socialisteve të sotëm, por edhe shteteve të mëdha e demokratike për ta ndihmuar Shqipërinë të çlirohej nga kthetrat e komunizmit antinjerëzor... Me këtë rast, në emër të të gjithë atyre që u flijuan dhe u sakrifikuan për çështjen e madhe të çlirimit të Shqipërisë  nga kuçedra komuniste,  u bëj thirrje shqiptarëve që e ndiejnë veten krenarë për këtë Ngjarje, kudo që ndodhen, që ta përkujtojmë 21 Majin, ditën e Flamurit Kombëtar pa yllin komunist.... me një minutë zi për katër heronjtë e asaj beteje të përgjakshme, emrat e të cilëve, pavarësisht se  asnjë Qeveri e Pluralizmit Demokratik nuk është kujtuar për memorialin e tyre, le ta bëjmë atë të gjithë së bashku: Të shqipërojmë emrat e  Skënder Dajës, Palë Zefit, Hajri Pashajt, Dervish Bejkos.... deri sa të vijë DITA E MEMORIALIT TE MADH KOMBËTAR! LAVDI HERONJVE ANTIKOMUNISTË!

Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 14:55

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›