E Shtunë, 31 Tetor 2026

O ti që zbrite nga mali

Flamur BËRDËLLIMA
Shoqëria jonë e fundit të mijvjeçarit të dytë, por edhe më pas është dëshmitare e vërshimit të llojlloj kategorive njerëzish, nga të gjitha viset malore (veriore e jugore), drejt qyteteve të mëdha, duke thelluar diferencën e kulturave dhe civilizimit në mjedisin e ri. Nxitoj të them se ata që zbresin nga malet janë vëllezërit tanë. Absolutisht po. Nga çdo pikëpamje. Problemi është te integrimi i tyre në parametrat qytetarë. Tokën ai e mori vetë, si dikur pionierët europianë zinin tokat e indianëve dhe thoshin: Kjo tokë është e imja. Tani ai do të martohet me motrën time apo tënden, do të luajë volejboll, do mësojë të ecë pa përhedhje, do mbjellë lule, dhe do lexojë (oh sikur sa më shumë matematikë dhe fizikë). Këto janë vetëm pak, shumë pak, nga detyrat e pritësit në kontributin për formësimin homogjen të shoqërisë qytetare. Por, i dashur vëlla që zbret nga mali, mundohu edhe ti pak. Më jep dorën, jo kallashin, më jep zemrën, jo pabesinë proverbiale të trevave ku u linde dhe nuk do vdesësh, më jep qytetarinë jo mercenarizmin e kahershëm, sipas motos: Bindje vetëm ndaj atij që është në pushtet, dhe vetëm deri në atë sekondë sa është në pushtet. Janë me dhjetëra rastet, kur ju vëllezër keni marrë pushtet, në Presidencë, në Agjencinë Telegrafike apo Kuvendin e Shqipërisë dhe gjëja e parë që keni bërë, i keni vënë shkelmin shokut më të afërt, që ndofta ju ndihmoi në sekondën e fundit ta kapni atë vend, atë vend që vjen pak era pushtet. Se dihet, juve ju lezeton shumë të komandoni. Nuk mund të konceptoni veten si ushtarë të thjeshtë të jetës. Po pse? Unë hyj tek ajo kategori që vuan tundimin ta shohë shoqërinë shqiptare si tërësi homogjene vlerash shpirtërore intelektuale e materiale. Për këtë edhe punova në Pukë, vite me radhë. Për këtë 50vjet rreth (edhe pse për motive ideologjike) regjimi i Hoxhës dërgoi djem dhe vajza nga më të mirët nga jugu në veri, nga fusha në mal e jo anasjelltas. Kush njeh jetën e këtyre jabanxhinjve, vuajtjet, kurthet e poshtërimet që kanë pësuar, e di se lehtësia shqiptare dhe botërore do të pasurohej me motive të jashtëzakonshme. Sepse, ti mund të kishe mbaruar matematikën e lartë me të gjitha dhjeta, mirëpo Martja, sekretarja e këshillit (që kishte mbaruar shkollën tetëvjeçare natën), vinte të të kontrollonte për cilësinë në orën e mësimit. Të bënte vërejtje për didaktikën, etapën e përforcimit, nxënësin si subjekt, integralet e Njutonit Dhe ti e dëgjoje me përulësi, ti me universitet, se ajo ta qëndiste biografinë në fund, që të mos i shihje më bojën Tiranës. Nejse, tani ti vëlla dhe motra ime, po zbret nga mali. Hallall. Se është rasti që ti linde Atje dhe unë Këtu. Asnjëri nuk ka faj. Problemi është: Si të integrohemi. Sepse, nganjëherë më duket si klishe ëndrra për homogjenitet civil. Më duket sikur tek ty fle rëndshëm dëshira për hakmarrje, për shkak të poshtërimit ekonomik e psikik që të është shkaktuar në të kaluarën. Jo për fajin tim. Se, ja, kjo është kapitene policie. Ishnxënësja ime e dobët e tetëvjeçares, Tuç. Të sheh një shkrim gazete në xhep dhe ta merr duke të thënë: Do të ta vlerësoj si e ke shkruar. Unë hesht e nuk flas. Ajo ka lexuar vetëm pjesën e leximit letrar, unë po qorrohem nga të lexuarit e librave përmbi dyzet vjet. Mirëpo ajo e zbritura nga mali, di të përdorë radiot, TTnë, por, çudi(!) na qenka edhe specialiste letërsie, e nivelit të Bjelinskit, apo Kadaresë. Do ta falim! Është motra jonë. Po me atë që zbriti nga mali dhe nuk ka ndërmend të punojë, po vetëm të dalë nëpër mitingje, të shtjerë gjithë natën me kallash, sa Babrruja dhe Alliasi të tunden, të ngrejë pluhur kur ecën me makinë, të marrë lekë borxh dhe të mos i kthejë, të dalë në rrugën e Krrabës dhe, me ose pa maskë, të të zhveshë e zhvatë, të të gënjejë 100 herë në ditë, dhe të ndjejë kënaqësi për këtë gjë Pra, po me këtë kategori të zbriturish që janë shumica, si do tia bëjë njeriu dhe shoqëria? Të kemi parasysh se edhe shtresa civile ekzistuese në Tiranë apo qytete të tjera të mëdha, ende si kanë të brumosura as vetë, tiparet e të qënurit civil. Mendoni për një çast, në këto kushte, a është e lehtë integrimi? Kur gurët që i hidhen janë të panumërt? Se si atje mund të jetë deputet. Të shtrojë dhe një banket në një restorant luksoz. Dhe e dini për çmotiv? Se nga mjedisi ku punonin kishin hequr edhe qytetarin e fundit. Andi B. Dhe kjo proklamohej si gëzim. Si eveniment, që tashti, në atë mjedis ishin të gjithë, të zbritur nga mali. Po pse mor njeri kështu? Pse nuk do të bashkëjetojmë, edhe pse je ti ai që erdhe. Kështu do të shkojmë në Europë? Në atë Europë e cila në aspektin social, civil, e kulturor, paraqitet mjaft e konsoliduar e me një traditë të fuqishme qytetare. Mirëpo, me zbritjen tënde të natyrshme, (edhe unë do ta kisha bërë), barra e tre ose u katërfishua. Sepse ti nuk po e çon djalin në shkollë, por po e nxjerr të shesë paketa cigaresh, ose të lypë, ti kërkon ta fitosh lekun lehtë (me politikë, vrasje gjoba për ata që punojnë gjithë ditën, etj).
Dhe, atëherë ta shohim realitetin në sy e së bashku ta ndryshojmë: Vini re sa heterogjene janë zonat përreth qyteteve të mëdha, sa përzierje të përçudnuara kulturash përpiqen të mbijetojnë! Ujë jo, kanalizime jo, mungesë dëshire për arsimim A sjanë këto të gjitha truall për krim. Apo mungojnë armët për ta realizuar atë?! Unë mendoj se ka një lidhje të shpjegueshme mes këtij basifondi kulturash dhe rritjes galopante të krimit këto kohë. Dhe mendoj se kemi të dy faj: Unë pritësi dhe ti ardhësi. Po sikur të përpiqemi së bashku, (lëre qeverinë të merret me punë më të mëdha!) të evidentojmë gëzimin e vetëdijes se jetojmë mbi të njëjtën tokë. Zoti i jep secilit prej nesh së bashku me jetën, një talent të veçantë. Pse të mos i bashkojmë, për të mirën e përgjithshme të integrimit? Pse ti groposim ato? Pse vëlla? Ne këtë ende nuk e dimë. Por le të përpiqemi të dy të kuptojmë se gjithçka në këtë jetë, të jetë e Mirë. Plotësimi me gjithë shpirt i këtij qëllimi është detyrë e qytetarisë. Por të lutem, bëj edhe ti pak përpjekje e, brenda kësaj filozofie, INTEGROHU.

Last Updated on Thursday, 21 May 2009 09:15

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›