Proamerikanizmi popullor, e jo vetëm politik
Nga Xhevdet Mazrekaj
Për në festë kombëtare e jo vetëm vizitë politike, ardhja në Kosovë e zëvendëspresidentit të SHBA-së, zotit Xho Bajden, besoj se na lejon, me këtë rast festiv, të përkujtojmë faktin, të cilin tashmë e kuptoi gjithë planeti: shqiptarët janë populli më proamerikan në botë! Kur e konstatojmë këtë qëndrim të ditur për të gjithë, duket thuajse bëjmë retorikë kurtuazie. Por jo! Bazuar në orientimet ideologjike të partive dhe lëvizjeve politike në dimensionin e hapësirës gjeografike shqiptare, lëvizjet majtiste, edhe pse nuk janë prononcuar asnjëherë kundër SHBA-së, në fakt kanë ndërtuar mure bukur të pakapërcyeshme të integrimeve shqiptare, duke pretenduar t’i orientojnë ato andej nga nuk na këshillon përvoja historike. Majtistët nuk kanë qenë të aftë sa të pengojnë, por janë ata që i kanë vonuar proceset e tranzicionit pas rënies së diktaturës. “Majtistët e tranzicionuar” integrimin me Perëndimin e kanë kuptuar si integrim me socialistët e moderuar që sot janë një fuqi e madhe politike në Evropë, pra me majtistët e Perëndimit, e jo me Perëndimin si nocion politik, ose si traditë kulturore. Kur thashë më lart se nuk e përsëris këtu pa qëllim faktin që tashmë është i njohur për proamerikanizmin e shqiptarëve në përgjithësi, dua të pyes kështu: A nuk e kanë pasur të qartë organizatat politike shqiptare se në SHBA nuk ekziston as formalisht lëvizja majtiste, apo ndonjë parti socialiste? Pra është populli shqiptar qind për qind proamerikan, e jo edhe lidershipet e tij të orientimeve hipotetike. Se është kështu, vërtetohet me faktin se pas rënies së diktaturës ende nuk kishte orientim të djathtë në Shqipëri, por populli e priti Bejkerin ashtu siç nuk mbahet mend në historinë e botës të ishte pritur një lider shteti mik. Po këso pritjeje shqiptarët patën edhe për Presidentin Bush. Pra dashuria dhe respekti i madh dhe i thellë i shqiptarëve ndaj SHBA-së, nuk ka ardhur nga “mësimet e partisë” (partive politike), por nga vetëdija dhe ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve, që historia e jo politika, ua dëshmon dhe ua identifikon Meritorin e Shtetformimit Shqiptar, që është SHBA-ja. Kur e majta shqiptare është angazhuar për “integrime”, asnjëherë nuk ka pasur sens të zgjidhjes, dhe sikur për ta nëpërkëmbur respektin dhe dashurinë e shqiptarëve për SHBA-në, nuk ka hezituar të poltronojë aleanca false edhe me armiqtë e përbetuar të SHBA-së, që njëherësh janë edhe armiq historikë të shqiptarëve. Integrimet euroatlantike ata i kanë parë (dhe sot i shohin) si një “internacionale të re” socialiste të tipit të Bilinguerit. Oligarkia majtiste, me hipotekat e saj që nuk i shkoq dot si etiketa të hekurta të së kaluarës, nuk ka pasur sens politik të mjaftueshëm ta kuptojë se edhe ata që sot e përkrahin çështjen shqiptare, këtë përkrahje na japin vetëm pse janë aleatë të SHBA-së, pasi që dihet se gjatë historisë ata shquhen si armiq të shqiptarëve dhe kreatorë të copëtimit të Shqipërisë etnike. Pa ndikimin dhe lobimin e SHBA-së, ne sot nuk do të na përkrahte, si gjatë historisë, asnjë shtet i vetëm në botë. Populli shqiptar është i vetëdijshëm për këtë, prandaj është populli më proamerikan në botë! Dhe do të jetë gjithmonë! Do të jetë gjithmonë, se gjithmonë Shqipëria është meritë e SHBA-së.