E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vushtrria frymon me poezinë", manifestim letrar kushtuar femrave krijuese

Takimi i poeteshave,i cili u zhvillua para disa ditësh në Vushtrri, u cilësua si një ndër evenimentet më të rëndësishme në fushën e letërsisë. Nën moton "Vushtrria frymon me poezinë" si dhe me një organizim të shkëlqyer madje i cilësuar si ndër më të mirët që prej fillimit të këtij festivali me përmasa mbarëkombëtare, Vushtrria ka arritur që për të njëzeteshtatën herë me radhë të mbyllë me sukses festivalin tradicional "Takimet e Poeteshave Shqiptare-Vushtrria 2009", i cili u zhvillua dy ditë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë emra të njohur të letërsisë shqiptare. Në emër të Qeverisë së Kosovës këtë festival e ka përshëndetur zv/kryeministri Hajredin Kuçi, i cili është shprehur se qeveria e çmon mendimin e lirë dhe shprehjet letrare. Ndërsa Kryetarja e Këshillit Organizativ, Xhevahire Izmaku, në fjalën e saj në fillim të këtij aktiviteti letrar ka çmuar kontributin e këtyre takimeve në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta kulturore dhe letrare. Juria e festivalit në përbërje të së cilës ishin:Avdullah Konushevci, Xhevahire Izmaku si dhe Bedri Tahiri vendosën që dy poeteshat Ledri Kurti dhe Mimoza Sali të jenë fituese të vendit të parë, ndërsa fituese të vendit të dytë janë shpallur Aida Rexhepi dhe Kozeta Zavalani, fituese të vendit të tretë janë shpallur Meri Lala dhe Marjela Mango. Drejtoria për Arsim në Vushtrri po ashtu ka ndarë dy çmime speciale për Etleva Tafën dhe Merushe Gjoshaj. Këto takime janë mbyllur për këtë vit me një tribunë letrare me temë Poezia e Lasgush Poradecit, si dhe me një program të pasur kulturo-artistik.
Po ashtu gjatë ditëve të zhvillimit të këtij manifestimi letrar u çel dhe ekspozita me punime të artistëve të kësaj zone, nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Vushtrrisë. Aktiviteti i cili u zhvillua dy ditë në Vushtrri pati jehonë dhe në media, i cili u cilësua si një eveniment i cili çmon krijimtarinë letrare të femrave krijuese shqiptare. Gjatë dy ditëve që u zhvillua ky manifestim letrar mbarëkombëtar u zhvilluan dhe shumë aktivitete të tjera kulturore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›