21 dhjetori i Stalinit dhe antishqiptarizmi i ithtarit të Enverit
Stalinizmi në Shqipëri nuk është hedhur poshtë edhe pas destalinizimit. Ndonëse fillimisht E. Hoxha bëri sikur u solidarizua me vendimet e Kongresit XX të Partisë Komuniste të B.S., që u mbajt në Moskë në shkurt-mars të vitit 1956, kjo qé sa për të dalë nga një gjendje e vështirë. Destalinizimi në raportin e Krushovit në këtë kongres, tronditi të gjithë komunizmin ndërkombëtar. Veçanërisht komunizmin shqiptar. Të bëhej destalinizimi në vendin tonë, kjo do të thoshte të linin pushtetin Enver Hoxha dhe vasalët e tij. Proporcionalisht me numrin e banorëve, terrori enverist nuk i la gjë mangut atij stalinist. Prandaj kreu i PPSH-së mbeti Stalinist édhe pasi u prish me Bashkimin Sovjetik. Qyteti “Stalin” dhe statujat e Stalinit mbetën të paprekura. Ndërmarrjes “21 Dhjetori” nuk iu ndërrua emri. (Edhe sot ka mbetur si adresë vendore: Taksistit i thuhet, për orientim: - Dua të shkoj në “21 Dhjetori”!
Por si shpjegohet që kulti i Stalinit dhe emri i tij sikur u lanë në harresë pas vitit 1956 gjer në proceset demokratike të ’90-s? Destalinizimi që bëri Krushovi zbuloi edhe faqen tjetër të hënës, në një mori librash që nxorën në shesh fizionominë e vërtetë të tiranit sovjetik. Roy Medvedejevi shkroi “Stalinin e panjohur”. Alan Bulok-u, në dy vëllime, shkroi “Stalini dhe Hitleri” (Jetët paralele). Në një pambarim librash të tjerë, jepen statistikat mbresëlënëse të krimeve të përbindshme staliniane. Viktimat e Stalinit çmohen në 62 milionë të vdekur, sipas Rudolf Rummelit. 39 milionë të vdekur ka llogaritur Sollzhenicini në gulagët stalinianë (kurse Rusia cariste shkaktoi , gjatë 17 viteve para revolucionit, 1 milionë. Dhe inkuizicioni spanjoll, gjatë të 15 viteve të kohës së Tomas Torkuemadës shënon 10 mijë të ekzekutuar në turrën e druve). Tirania e Stalinit, pra, s’ka të krahasuar. Veçse duhet të kemi parasysh se është sistemi komunist që prodhon qenie të tilla mizore. Ray Bradbury ka thënë: “Të thuash që komunizmi nuk është ideologjikisht i gabuar vetëm se ka shkaktuar kaq shumë viktima, kjo do të thotë ta përligjësh komunizmin; domethënë është sikur të thuash se “po të mos ishte shkaktar i kaq të vdekurve, komunizmi do të mund të funksiononte.” Historianë të tjerë e kanë dhënë këtë mendim duke u mbështetur në praktikën e vendeve komuniste: Nëse komunizmi do të ishte një sistem funksionues, do të gjendej, së paku, një vend i botës komuniste ku të kishim një shtet për së mbari, në lulëzim, në një mirëqenie të mbarë ekonomike, me një popull vërtet të lumtur. Ndërsa komunizmi u demonstrua dështues në të gjitha shtetet që e vunë në zbatim.
Ne shqiptarët, kur flasim për Stalinin, kemi një motiv plus, që do të na nxiste që ta bënim të parët destalinizimin: Se Stalini e quante Shqipërinë si një plaçkë tregu. Shpërfillja ndaj vendit tonë arriti gjer sa t’ua ofronte për gëlltitje jugosllavëve, sipas dëshmive të papërgënjeshtrueshme të Milovan Gjilasit dhe Eduard Kardeljit, por edhe të të tjerëve...). Ndër këta “të tjerë” hyn edhe Ramiz Alia i cili, në kujtimet e tij, e pranoi atë muhabetin e gëlltitjes, si një fakt të njohur. Sigurisht kjo njihej edhe nga E.H. (Ramizi nuk kishte këllqe t’i mbante të fshehta E. Hoxhës!). Në këtë mënyrë nuk mund të vazhdonte idolatria ndaj antishqiptarit Stalin. Do të dilte, si pasojë, edhe antishqiptarizmi i Enverit, i cili, megjithatë, nuk e hoqi nga piedestali Stalinin dhe nuk ia ndërroi as emrin Kombinatit të tekstilit Stalin!
Këtë arsyetim të thjeshtë Nexhmije Hoxha ka preferuar ta lërë tabù, si shumë probleme të tjera të historiografisë së indoktrinuar të diktaturës.
Duket se edhe nostalgjikët e sotëm e dinë këtë tersllëk dhe, sido që nuk e përmendin Stalinin, nuk i shmangen rasteve që të glorifikojnë diktatorin tonë (si për shembull, për çdo 16 shtator). Majtizmi ynë më i skajshëm tregon, kështu, se është për Europën dhe për SHBA-të vetëm e vetëm në funksion të marrjes së pushtetit. Përndryshe, do të katandiseshin me një elektorat prej 0,5 %, si partia e Hysni Milloshit!
Këtej del edhe sa e dëmshme është për vendin tonë nostalgjia, që mbahet në eficiencë artificialisht, jo se është në dobi të demokracisë, por sepse ndihmon që, për hir të saj, të ruhen kontingjentet e së keqes që i japin mbështetje majtizmit në dobi të pushtetit, të cilin ai e ka parësor (Rasti i fryrjes së zjarrit në vitin 1997. Por edhe rasti i krijimit të gjendjes kaotike në parlament, si një provokim për një situatë anormale, për një zullum të ri antidemokratik).
Reforma e re e sapovotuar e pastërtisë së figurave politike dhe e keqbërëve të spikatur të kohës së diktaturës, sido që e vonuar – në krahasim me vendet e tjera që hoqën mallkimin e komunizmit, - është, pra, nga më të rëndësishmet. Edi Rama, me braktisjet parlamentarem të së majtës parlamentare, kërkoi ta zvetënojë edhe më tepër këtë domosdoshmëri që e kërkon koha. Por Dr. Berisha, ndonëse i prirur për konsensus, nuk mund ta linte pa përmbushur edhe këtë detyrim ndaj popullit: - “Dua t’ju them se sot ne votojmë ligjin për lustracionin, - tha ai, - si një nga detyrimet morale më madhore të kësaj shoqërie, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave. Kjo luftë ka bërë që në vendin tonë të vërshojnë lumenj gjaku, lotësh, dhimbjeje, vuajtjesh mbinjerëzore, plagët e së cilës duhet të mbyllen. Shoqëria ka detyrim madhor absolut të hedhë poshtë “legjitimitetin” e sistemit barbar”.
Kryeministri Berisha u ndal, gjithashtu, edhe te përvoja e vendeve ish- komuniste, duke deklaruar se “shumica e vendeve ish- komuniste e kanë bërë tashmë këtë gjë, por Shqipëria duhet të ishte e para në distancë, sepse ekzekutimet, burgjet, kampet e përqendrimit, torturat çnjerëzore, persekutimi, në Shqipëri ka qenë shumë më i madh se në të gjitha vendet ish-komuniste, satelite të Rusisë, të marra së bashku”.
Krtyetari i ekzekutivit iu referua për këtë çështje edhe standardeve europiane, duke theksuar se “për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem të Europës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk lë asnjë shkas për mungesë transparence. Duke iu drejtuar opozitës, dhe faktit se ata flasin shpesh për mandate, Berisha u adresoi disa pyetje atyre, duke u shprehur : “A qëndron mandati mbi krimin? Cili është ai ligj i një vendi të lirë që parashikon mandatin mbi krimin? A mundet që mbi malin e kockave të mijërave shqiptarëve të qëndrojnë karriget e një grushti personash që kanë gjak në duart e tyre? Siç thotë vet Gjykata, a mund të imagjinohet në një vend të lirë kjo gjë? Kurrë nuk mund të imagjinohet”, deklaroi kryetari i shumicës qeverisëse.