Kravata dhe intelektualizmi
Duke mos dashur të hyj këtu në histori të hershme të paraqitjes së kravatës, apo në detajet e paraqitjes së mercenarëve kroat para mbretit të Francës Luixhi XIV, dihet se qysh prej fillimit të përdorimit të saj të sotëm-modern rreth vitit 1920, kravata ka pasur dhe ka si qëllim kryesor që t’i shtojë vlerë veshjes së bukur. Në këtë kuptim mund të thuhet se, përdorimi i saj lidhet kryesisht me vlera estetike, apo të bukurën, që në esencë ka të bëjë me formën e bukur. Mirëpo, ata që filluan ta përdorin më së pari, konsideronin se vlerave të tyrë të larta njerëzore (përmbajtjes!) duhet dhënë edhe pamje e bukur, në mënyrë që të krijohet një tërësi e bukur. Pra, e bukur si nga përmbajtja, ashtu edhe nga forma. E krejtë kjo tërësi e bukur bëhej më qëllim respekti për palën tjetër. Nga ky këndvështrim, synimi që të arrihet diçka e bukur, çkado çoftë ajo, apriori është e mirëseardhur. Edhepse në rastin e kravatës, nga vetë fakti i përdorimit të saj të sotshëm në mënyrë edhe të detyrueshme (kancelari, adminstratë, banka, e ku mos tjetër!), krahasuar me përdoruesit më të parë të saj mund të thuhet se ka devijuar qëllimi i bartjes së saj. Pra, ideja e përdorimit të saj mbartë në vete si qëllim respektin ndaj tjetrit, e jo të imponuarit e respektit prej tjetrit. Rrezaton respekt, e nuk imponon atë. Pa çka se kjo edhe mund të ndodhë. Në raste të tilla, madje edhe nga përdoruesit shumë të rrallë të saj, sot jo kot edhe ndëgjohen zëra si, “desha t’ia hijeshojë dasmën, ndejën, takimin“, e të tjera të ngjajshme. Po të nxirret një si parapërfundim nga sa u tha më lartë, dhe po të kihet parasysh edhe nevoja për të ditur arsyen e përdorimit të gjithçkaje, atëherë përdoruesit e saj duhet të rrezatojë vlera krejtësishtë pozitive, sepse përdorimi i saj, siç edhe u tha më lartë, nuk është thjeshtë për shkaqe funksionale, për shembull siç është puna e rrypit të pantollonave, por diçka shumë më tepër. Po a lidhet përdorimi i saj në shoqërinë tonë me këto qëllime ? Në përgjithësi jo, e me përjashtime po! Megjithatë, le të përpiqemi t’i argumentojmë pak përgjigjet e dhëna!
Po të shikohen njerëzit dhe vendet në të cilat ata i përdorin , mund të thuhet se përdoren aty ku duan që të imponojnë respektin për ta. Në këtë grup hyjnë politikanët dhe të vetëquajturit “intelektualë“. Si të parët, ashtu edhe të dytët, nuk i heqin nga qafa, jo nga respekti për të tjerët por pikërisht nga frika e mosrespektit prej të tjerëve. Nuk është e vështirë t’ia qëllosh në shoqëriën tonë, se bartësit më të rregullt të tyre ose janë njerëz që sillen rreth politikës, ose janë njerëz që mbahen për “intelektualë“. Bile, këta të dytët përdorimin e kravatës e shohin si të drejtë ekskluzive të tyre. Nuk jane kriteret aq komplekse të sociologëve të ndryshëm të kulturës që duhet përmbushur për t’iu afruar të qenit intelektual, por vetëm përdorimi i kravatës.Që i bie se, të krijohet një pamje prej intelektuali duhet bartur patjetër kravatë. Aq shumë i frikësohen mos përdorimit të saj. Si argument për këtë mund ta sjell faktin se, nuk më ka rënë të takoj njeri të profesionit bujk që bartë kravatë (s’e kam fjalën kur punon në arë). Bile kam ndëgjuar ndër ta t’i thonë njëri tjetrit se, “çka ma ke qitë ti atë kravatë, a mos ke kryer shkollë e je intelektual a?“. Kjo tregon qartë perceptimin e gabuar nga ta, e të imponuar ndaj tyre nga “ekskluzivistët“ e kravatës.
Ndoshta edhe ata do të kishin dëshirë ta bartin ndonjëherë, por i frikësohen ”të drejtës eksluzive” të përdorimit të saj vetëm nga ”intelektualët”. Apo, për të qenë korrekt me këtë kategori shoqërore, pikërisht ata e përdorin më së shumti mu atëherë kur duhet dhe si duhet. Pikërisht këta më ka rënë edhe t’i dëgjojë tek thonë, “ po pritoj bre, por më vie keq t’i shkojë dosido i veshur në dasëm”. Duke mos qenë objekt i këtij shkrimi dhe duke mos dashur të hap ”front” se, cilës kategori të shoqërisë në vendin tonë i takon përdorimi i saj, më duhet të përgjigjem pa e zgjatur se, përdorimi i saj nuk është domosdoshmërishtë i lidhur me ndonjë kategori shoqërore. Askush nuk duhet t’i frikësohet mosbartjes së saj, e në të njëjtën kohë, pa dashur të banalizohet tema, duhet pak përgjegjësi gjatë bartjes së saj.
Le të paramendohet tani një njeri me kravatë mu në mes të oborrit universitar, duke e hudhur mbështjellësin e cigares para këmbëve të veta. Është ndodhi e vërtëtë. Apo një njeri me kravatë duke ecur rrugës, por mezi shihet nga pluhuri. Në të dyja rastet më mirë, më praktike do të ishtë mospërdorimi i saj. Në rastin e parë, shkak i arsyeshëm i mospërdorimitt të saj është vetë ai njeri me “edukatën” e tij të lartë, kurse në të dytin ambienti në të cilin jeton ai njeri e ku shkak është fukarallëku i lartë. Për ta ilustruar arsyeshmërinë e përdorimit të saj më duhët ta marrë një shembull të vërtetë. Ia kisha mapasë lakmi një djaloshi, teksa pinte kafe në mbrëmje, në një kafiteri, i veshur bukur, me flokë të rregulluara mirë, ndërsa e kisha parë gjithë ditën me rrobe pune aq shumë të zhytyra, se puna e tij ishte të pergatiste betonin. Kishte punuar gjithë ditën një ndër punët më të rënda fizike, e tani si një zotëri i vërtetë, me paratë dhe mundin e vet çlodhej pak. Jo gjatë punës me beton, por tani, “ah sa hije do t’i kishte kravata“, mendoja me vete. A nuk duhet që shoqëria jonë ta ndjekë shëmbullin e djaloshit? A duhet që së pari t’i përvjelim mëngët, e të luftojmë për dijen, pastaj ta zhdukim pluhurin nga rrugët tona, letrat nga oborret e shkollave tona?!!! Çështë gjithë ky përdorim vend e pavend i saj, apo kjo dukuri që pa hezitim mund të quhet “kravatomani”?! Për ta thënë troç, përdorimi i kravatës hëpërhë është i parakohshëm në vendin tonë, sepse nga njerëzit me kravata bëhen gabime, që mund të grupohen në ato që tregojnë nivelin e ulët të dijes, si: Tolerancës i thuhet demokraci, e tolelarantit demokrat; Kontekstit i thuhet kontest; Vetëm njeriut me diplomë i thuhet intelektual; Turpërohesh nëse nuk vjedh, e krenohesh kur vjedh; Harrohen të mirat e tua, e përvetësohen të këqijat e huaja; Mendimi i shumicës quhet e vërtetë absolute, e mendimi i vetëm injorohet fare; Durimi i padrejtësisë quhet mençuri, e luftimi i saj kokëfortësi;
Si dhe në ato gabime që tregojnë nivelin e ulët të përgjegjësisë, të karakterizuara me veprime, si: Ministria nuk i shërben vendit, por familjes e mëhallës (as te komuna nuk arrin); Shkelet gjaku i derdhur për liri, duke u betuar para tij; Në emër të popullit vritet populli; Në emër të lirisë, lind robëria; Në emer të bashkimit, përditë krijohen ndarje; Në emër të diturisë, lind padituria; Në emër të zhvillimit shkatërrohet pasuria; Në emër të qeverisjes lind anarkia; Në emër të së ardhmes, shkatërrohet historia; Në emër të drejtësisë, ushqehet padrejtësia; Çdo proces rigjallërues shoqëror, mund të lindë vetëm nga një intelektualizëm i lartë, pa maska, pa çka nëse edhe pa kravata! Le të shpresohet se kjo do të ndodhë, e “kravatomania” jonë mos t’i gjasojë personazhit të asaj shprehjes popullore:
“Dhija e coftë, e bishtin përpjetë”!
Manipulimi dhe e vërteta
Pas deklaratës së ministres së MPB-së, ku ajo akuzon të përditshmen KOHA për manipulim të opinionit, ne si redaksi jemi të obliguar t'u japim disa sqarime plotësuese lexuesve tanë. Informata për bastisjen e shtëpisë së botuesit të gazetës KOHA, me ç'rast ai dhe familja e tij, në mesin e tyre dy fëmijë, Etniku 6 muaj dhe Dioni 3 vjeçar patën rastin të njoftohen drejtpërdrejtë me pjesëtarë të njësitit antiterrorist, nuk është manipulim, por një e vërtetë që nuk mohohet as nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sa i përket arsyes për bastisje, atë Arbeni dhe stafi i gazetës KOHA e kanë kuptuar pas deklaratës së zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski, i cili mes tjerash ka aluduar se policia në fakt paska kërkuar personin Diamant Mehmeti, i punësuar si asistent i Rektorit të UT-së, Sadi Bexheti, njëherit përgjegjës i Shërbimin për informim pranë UT-së. Sipas rregullave, këto të dhëna Arbeni është dashur t'i mësojë nga personat që bënë bastisjen, e jo nga zëdhënësi i policisë. Në kërkesën e tij për të parë urdhrin e gjykatësit hetues për bastisje, e njëjta nuk i është dhënë, me arsyetim se "pastaj do t'i hakmerresh gjykatësit hetues". Për ta bindur opinionin e gjerë se KOHA nuk ka manipuluar me opinionin, do të përmendim edhe disa fakte tjera. Diamant Mehmeti është shtetas i Serbisë, i lindur në Preshevë. Ka tri vite që ka lidhur kurorë me motrën e botuesit të gazetës KOHA. Që atëherë ai është paraqitur me banim në adresën e shtëpisë së vjetër të Arben Ratkocerit, që gjendet në rrugën Bajram Shabani në Shkup, ndërsa ndërhyrja policore është bërë në banesën që gjendet në rrugën Boro Menkov në lagjen Veri të Shkupit, ku Arbeni me familje jeton me vite. Në këtë adresë Diamant Mehmeti nuk figuron të jetë i paraqitur. Që të jetë ironia edhe më e madhe, një ditë para se të kryhej aksioni policor, dy inspektorë të policisë, me arsyetim se duan të bisedojnë me Diamantin për çështjen e shtetësisë, të cilën ai është në pritje për ta marrë në mars të vitit që vjen, kanë shkuar në shtëpinë e botuesit të gazetës KOHA. Aty janë takuar me nënën e kolegut Ratkoceri, e cila ua ka dhënë numrin e celularit të Diamantit. Inspektorët janë dëgjuar me Diamantin i cili ka qenë në Tetovë në vendin e tij të punës në USHT, dhe janë dakorduar që të hënën me 22 dhjetor, ai të paraqitet në stacionin policor për të biseduar për marrjen e shtetësisë së Maqedonisë. Këto janë vetëm disa nga arsyet që botuesit të gazetës KOHA nuk i është lënë të dyshojë se cak i bastisjes policore është pikërisht dhëndëri i tij, Diamanti. Këtë informatë ne si redaksi e kuptuam pasi organizuam konferencën për gazetarë, me ç'rast pasoi edhe deklarata e zëdhënësit Kotevski, ku ai la të kuptohet se policia ka kërkuar Diamant Mehmetin e jo gazetarin Ratkoceri. Menjëherë pas kësaj redaksia jonë kontaktoi me përgjegjësit e MPB-së, për të kërkuar vendin ku mund të paraqitet personi të cilin e paskan kërkuar. Ndërkohë, ftuam nga Tetova edhe Diamantin i cili erdhi menjëherë në Shkup, dhe të njëjtin e dërguam në stacionin policor në lagjen Autokomandë të Shkupit. Pas bisedës informative që zgjati rreth 5 orë, inspektorët u vërtetuan se bëhet fjalë për një njeri me profil akademik dhe të njëjtin e liruan me arsyetim se bëhet fjalë për mosmarrëveshje që është pasojë e dezinformatave që i janë plasuar përgjegjësve të MPB-së nga qarqe ta panjohura për ne, të cilët po hetojnë sulmin e armatosur që kohë më parë u realizua ndaj tre pjesëtarëve të njësitit policor Alfat, me ç'rast njëri prej tyre mbet i vrarë. Këto janë faktet, që për të pasur një pasqyrë më reale u munduam t'i radhisim në mënyrë kronologjike, ashtu siç kanë ndodhur. Ndaj është për keqardhje deklarata e ministres Jankullovska, e cila akuzon gazetën KOHA për manipulim të opinionit. Ne si redaksi sinqerisht shpresojmë se në MPB do të bëhet një kontroll i brendshëm për të ardhur deri te fajtori i cili bëri të mundur që për akte terroriste të dyshohen njerëz të pafajshëm dhe që në karrierën e tyre kanë një background akademik. Shpresojmë se ky nuk është një tentim i qarqeve të caktuara qeveritare për të realizuar një skenar për kriminalizimin e tërë shoqërisë shqiptare, duke tentuar që në mënyrë indirekte të bëjë një lidhje të gazetës KOHA dhe USHT-së me aktivitete të caktuara kriminale në shoqëri. Presim nga MPB-ja të shohë gabimin e strukturave të saj dhe burimin e kësaj dezinformate ta ndëshkojë në mënyrë adekuate. Ndryshe, ne si gazetarë në të ardhmen nuk do të jemi në gjendje të kryejmë me përgjegjësi detyrat tona të garantuara me ligjet vendore dhe ndërkombëtare; do të ndihemi të kërcënuar jo vetëm ne si gazetarë, por edhe fëmijët tanë të cilët pa asnjë faj ndeshen me tytat e automatikëve të njësiteve antiterroriste që në moshën 6 mujore. Njëherit, redaksia e gazetës KOHA shpreh falënderimin deri te kolegët tanë shqiptarë dhe maqedonas, të cilët seriozisht e kuptuan presionin që në formën më brutale, të shtunën, u ushtrua ndaj fjalës së lirë, dhe me përkrahjen dhe informimin e drejtë u solidarizuan me kolegët e tyre të gazetës KOHA. Shprehim mirënjohje për përkrahjen që në këto momente të vështira na dhanë shumë intelektualë nga të gjitha anët e botës. Falënderojmë për përkrahjen edhe subjektet e caktuara politike dhe ato jopolitike. Njëherit ne se redaksi shprehim keqardhje për ata që në rastin konkret patën obligim moral për të reaguar, por në vend të kësaj zgjodhën heshtjen. Qofshin ata gazetarë, intelektualë, apo edhe subjekte të caktuara politike, ne si redaksi dëshirojmë që kjo që i ndodhi botuesit të gazetës KOHA, familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij, të mos u ndodhë kurrë personave, që në rastin konkret dëshmuan se janë në krizë të thellë morale... Redaksia
...