Zoti Uithers, Amerikën nuk mund të ma marrin persekutorët e mi
Do dëshiroja që bashkë me deklaratën tuaj për ligjin që u miratua, ju ta bëni shumë të qartë, të hapur, qendrimin ndaj persekutorëve tanë. Ju duhet tua kujtoni atyre se ç’janë. Ata të mos ngatërrojnë debatin për ligjin me pafajësinë e tyre. Është shumë e rëndësishme që ju t’i tregoni me gisht vrasësit tanë, se në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri, ata sot janë me zyra dhe me kollare. Nga Bedri Blloshmi, ish-i burgosur për 25 vjet në burgjet politike të diktaturës, vëllai i poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi I nderuar dhe i respektuar shkëlqesi! Disa vite më parë, në kohën e demokracisë merrja pjesë në një gjyq për çështje pronësie. Pala që kishim përballë kishte marrë avokat një person që na u duk fytyrë e parë. U desh pak kohë që ta dallonim. Ishte gjykatësi që më kishte dënuar me vdekje vëllain dhe më kishte dhënë mua plot 25 vjet heqje të lirisë. E kishte kapur veten dhe ishte pasuruar goxha. Sapo na pa, hoqi dorë nga çështja dhe u largua. Në gojën tonë ngelën shprehjet: “prapë ky”. Jua them këtë zoti ambasador sepse ne, ish-të përndjekurit kemi pasur fatin e keq që të na vriten sytë prapë nga të njëjtët njerëz që na kanë nxirë jetën e që tani për të mbrojtur privilegjet e tyre po na hiqen si mbrojtësit më të mëdhenj të demokracisë. Unë quhem Bedri Blloshmi, rrjedh nga një familje e persekutuar sistematikisht nga regjimi komunist. Gjithë jetën kemi admiruar vendin tuaj si vend të lirisë dhe demokracisë. Ky admirim mbetet tek ne i palëkundur. Gjithë këto vite jam munduar së paku të jem një zë kujtese mbi atë që na ka bërë regjimi komunist, mua, familjes time si dhe gjithë popullit shqiptar. Hetuesit e djeshëm, prokurorët e djeshëm nuk kanë as mëshirën më të vogël ndaj shtresës sonë, bile më shumë na urrejnë sot që kanë marrë privilegjet e atij sistemi që nuk lanë gjë pa e sharë nëpër proceset tona. Unë vetë jam arrestuar më 3 prill 1976, jam gjykuar në Librazhd më 6-13 qershor 1977 dhe jam dënuar me 25 vjet burg. Vëllai im poet u pushkatua së bashku me një poet tjetër. Vetëm falë rënies së regjimit komunist, unë munda të dal nga ferri i burgut të Burrelit. Komunizmi ka qenë për ne një përbindësh që ka shkaktuar brenda nesh shumë plagë që kurrë nuk do të na hiqen nga trupat tanë të shumë vuajtur. Shtresa jonë ka treguar më së shumti tolerancë gjatë gjithë këtyre viteve. Ne nuk u hakmorëm ndaj xhelatëve tanë fizikisht, por në emër të gjakut të të parëve tanë, të vuajtjeve tona, nuk mund të heshtim e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë. Të gjithë persekutorët e mi ruajnë të gjitha privilegjet që kanë pasur. Është e neveritshme të shikosh kur ata hiqen sikur kanë zbatuar ligjet e kohës. Jo zoti ambasador ata kanë zbatuar mbi mua dhe shtresën ku unë bëj pjesë metodat më ç’njerëzore, duke fabrikuar procese pasi ne ishim “armiq të klasës” që nuk meritonim të jetonim. Ju kujtoj shkëlqesi që unë jam dënuar si “armik”, për agjitacion e propagandë dhe për akte diversioni sikur do hidhja në erë depot e kooperativës bujqësore pa pasur asnjë fakt. Këta njerëz që sot ndoshta ankohen deri tek ju sikur “kanë zbatuar” ligje, kanë nxirë jetët tona duke fabrikuar prova të rreme e duke sistematikisht torturat më ç’njerëzore. Si mund të ndjek në ekranet e televizioneve për shembull “juristin” e shkollës sovjetike Niazi Jaho të flasë për “kushtetueshmëri” edhe në këto vite të demokracisë. E si mund të harroj këtë prokuror që më ka dënuar babanë me fjalimet politike të kohës. E tmerrshme dhe tragjike do të ishte kur soji i këtij shërbëtori të regjimit e heq veten e tij si të “persekutuar”, të cilit po t’i verifikohej e kaluara do t’i dilnin edhe gjëra të tjera Zoti ambasador! Unë vetë pas vendosjes së demokracisë, bëra çmos dhe i gjeta eshtrat e vëllait tim e shokut të tij. Por mendoni sa nëna nuk kanë ku të qajnë bijtë e tyre viktima të regjimit komunist. Dhe kjo vetëm për një fakt të thjeshtë. Ata që preken nga ligji i fundit pastërtinë e figurës së zyrtarit, edhe sot e kësaj dite nuk kanë kurajën të tregojnë se ku i kanë groposur viktimat e tyre, e jo më të bëjnë një falje publike. Gjatë kohës që kam qëndruar në burg, kam bashkëbiseduar me shokë të mi që flisnin për prokurorë si Skënder Breca e Rrapi Mino, gjykatës si Fehmi Abdiu, Aranit Çela apo hetues si Zamir Shtylla, e sa e sa të tjerë që i gjen sot në Prokurorinë e Përgjithshme e në institucione të tjera të kësaj fushe. Unë si i përndjekur nuk mund të krahasohem me vilat e panumërta që kjo kastë ka ndërtuar sot me “punën” e këtyre viteve. Shkëlqesi! Një bashkëvuajtësit tim gjatë revoltës së Qafë-Barit më 1984, ata hetues e prokurorë që mbahen si centristë (ndryshe “të pavarur”) në kohën e sotme, me mizorinë më shtazarake e thyen në mes, në mes të kapit famëkeq në sy të gjithë të burgosurve, sikur të ishte dru për t’u djegur. Dhe imagjinoni ishte viti 1984. Poetin e Kukësit Havzi Nela e varën dhe e bënë shembull në popull më 1988. Në kufi na vranë edhe më 1990. Në emër të shtresës së të përndjekurve politikë, kërkojmë mbështetjen tuaj në dënimin e krimeve të komunizmit, ashtu siç kemi dëgjuar nga presidentët e mëdhenj të shtetit tuaj. Ne duam së paku të ndahemi nga njerëzit që kanë shkaktuar vuajtjet tona. Por, përqendrimi ynë tek debati parlamentar e më pas edhe tek miratimi i ligjit të dosjeve na u shpërqendrua nga keqpërdorimi i ethshëm që po u bëhet deklaratave tuaja, zoti ambasador. Personalisht kam ndjekur prej më shumë se 20 vitesh një betejë publike denoncuese ndaj persekutorëve të mi dhe arkitektëve të zbatimit të luftës së klasave në vend, shumë prej të cilëve, i hasja përditë edhe në jetën publike të Shqipërisë pluraliste. Numërimi i angazhimeve të mia për këtë kauzë nuk ka më shumë rëndësi sesa lehtësimi që ndjemë të gjithë natën e së hënës, kur parlamenti miratoi ligjin për çlirimin e institucioneve shtetërore nga ndikimi i këtyre zgjatimeve të së kaluarës diktatoriale. Por ky lehtësim i imi nuk është krejt i plotë, për shkak se deklaratat tuaja, i nderuar zoti ambasador, prej ditësh po luajnë rolin e protagonistit tek llogorja e persekutorëve, të cilët po flasin fort për mosprekjen e bashkëpunëtorëve të diktaturës, bile për mbrojtjen dhe lënien e tyre në qoshet e ngrohta institucionale, aty ku vegjetojnë prej më shumë se 20 vitesh. Të gjithë të burgosurit dhe të përndjekurit politikë e mbanin lart moralin e tyre, duke e ushqyer me standardin e moralit e të lirisë që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kampionia e lirisë. Edhe lirimin tonë në vitin 1990, në njëfarë mënyre ia blatuam SHBA-së, asaj reference që na mbajti gjallë në gulagët e diktaturës enveriste, më të egrës diktaturë komuniste në Evropë. Tek ajo kishim pushtetin moral edhe kur kërkonim drejtësi e jo hakmarrje, rikthim të dinjitetit të shoqërisë e jo linçimin e pjesëve të saj. Por, megjithë përpjekjet, drejtësia nuk është vendosur krejtësisht e përditë, teksa lexoj gazetat e perceptoj të tjera shfaqje të sferës publike, më është dashur të përballem me persekutorët e mi e me xhelatët e shokëve të mi, me njerëz me emra e me mbiemra, të cilët janë vetë zot e vetë shkop në zyra shumë të rëndësishme në institucione shtetërore, si nëpër ministri, në prokurori e në gjykatat e të gjitha niveleve. Këta njerëz me masnin mua standardin e lirisë sot e gjithë ditën, por asnjëherë s’m’u shua shpresa se me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ekuilibër i ri moral do të vendosej në shoqërinë shqiptare, e unë e bashkëvuajtësit e mi do të qetësoheshim, teksa në zyrat që ekzistojnë prej taksave tona, nuk do të takonim përditë bashkëpunëtorët e diktatorit. Por ata janë nëpër zyra ende, bile edhe më përqeshin për mundimin tim - sipas tyre - të kotë, për të vendosur një moral të shoqërisë e për të denoncuar bashkëpunëtorët enveristë. Ata ndiheshin të sigurtë, deri para dy netësh, kur mazhoranca e parlamentit shqiptar votoi pikërisht për standardin moral, për të cilin unë kam 20 vjet që flas, votoi për largimin e bashkëpunëtorëve të diktatorit Enver Hoxha nga institucionet vendimmarrëse të shtetit, si dhe nga prokuroritë e gjykata. Por bash, në këto ditë ngushtice për metastazat e diktaturës, kur përpjekja e parlamentarëve u kurorëzua me një votë historike, qe e dhimbshme për mua, zoti ambasador, që pikërisht deklaratat tuaja, të përfaqësuesit të shtetit-kampion të lirisë në botë u keqkuptuan e po shërbejnë si inkurajim për bashkëpunëtorët e diktaturës. Ky keqkuptim po më dhemb fort, më dhemb po aq sa po i ngazëllen persekutorët e mi. Për dy ditë me radhë, ata i kam parë si kaposhë rrugëve, gazetave e mediave, teksa shfaqin mospendesën e tyre të skajshme, bile nganjëherë edhe gatishmërinë e tyre për të kryer të njëjtën detyrë, në rast se ua lejon situata. Ata po marrin zemër, zoti ambasador, e nuk duan të dinë hiç, as për kleçkat kushtetuese, as për dilemat ligjore, e aq më pak për detyrimet morale që mund të vijnë nga zbatimi i ligjit të dosjeve. Ata po trimërohen, për shkak të deklaratave tuaja, zoti ambasador, të cilat ata s’duan t’i analizojnë, por veç i interpretojnë sipas stomakut të tyre me frazën “më në fund, Amerika është me ne”. Zoti Ambasador, mos ua jepni persekutorëve të mi Amerikën. Amerika është e imja dhe e jotja. Ti nuk i njeh këto monstra. Ty të urrejnë ata, vetëm nga fakti se je qytetar amerikan. Frikën e tyre mos e merr për paqe e për mirësjellje, ata presin kohën për krime të reja. Nuk besoj kurrë se është politikë dhe vijë e Amerikës kurajoja dhe ngushëllimi për komunistët. Ti je ambasadori im këtu, sepse ne e kemi pasur në zemër Amerikën edhe gjatë torturave, në hetim dhe në burg. Vëllai im, poeti i pushkatuar e adhuronte atdheun tënd, i cili ishte edhe atdheu ynë, se tonin na e kishin vrarë komunistët. Është e frikshme, zoti ambasador, që këto metastaza po mbërrijnë shpejt tek shpresa e tyre historike se “po vjen prapë dita jonë”. Është e dhimbshme që shkak i këtij keqkuptimi po bëhen deklaratat tuaja, zoti ambasador. I duhet dhënë fund këtij inkurajimi të keqkuptuar, pasi kam bindjen se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet plotësisht një ligj për pastrimin e shoqërisë shqiptare, ashtu siç ka vepruar më herët me të gjitha vendet e tjera të asaj që presidenti juaj i nderur, Xhorxh Bush e ka quajtur “Evropa e Re”. Për t’i dhënë fund këtij inkurajimi, kërkojmë prej Jush një mbështetje të paekuivok ndaj kauzës tonë për pastrimin e shoqërisë shqiptare nga bashkëpunëtorët e enverizmit.
...